Klinika Universitare

KLINIKA UNIVERSITARE STOMATOLOGJIKE

“ÇERÇIZ MINGOMATAJ”

FAKULTETI SHKENCAVE MJEKËSORE              ALBANIAN UNIVERSITY

Viti 2006 shënon hapjen e Klinikës Universitare Stomatologjike, si pjesë e rëndësishme e Programit të Integruar të Ciklit të Dytë të Studimit “Master i Shkencave në Stomatologji”.

Klinika Universitare Stomatologjike “Çerçiz Mingomataj” është e pajisur me liçencë nga Qendra Kombëtare e Biznesit.  Prej 15 vitesh Klinika mbështet funksionimin e Departamentit të Stomatologjisë, me sallat e mirё-profilizuara të pajisura me 74 poltronat dentarë (me facilitetet përkatëse: ndriçim, ajër, ujë, lëvizshmëri sipas situatës klinike, aspirator kirurgjikal, kavitron, llamba polimerizuese etj) të sterilizueshme pas çdo pacienti.

Secila sallë ka specifikat e veta për lёndёn që mbulon, si rrjedhojë, edhe materialet mbёshtetёse për realizimin e punimeve klinike janë specifike, sipas karakteristikave të çdo salle, konkretisht:

  • salla e terapisë (dentisteri e endodonti),
  • salla pedodontisё pёr trajtimin e moshave 3-16 vjeçare;
  • salla e ortodontisё;
  • salla e protetikёs fikse e tё lёvizëshme sё bashku me laboratorin e studentёve;
  • salla e kirurgjisё ambulatore;
  • salla e periodontologjisё dhe e sëmundjeve të mukozave,
  • Sallat e Kirurgjisë Orale dhe Implantologjisë struktura të “Day Hospital” në shërbim të studentëve dhe specializantëve.
  • salla e ekzaminimit radiografik dixhital.

Vlen për tu përmendur investimi që është bërë për programin kompjuterik të vlerësimit cefalometrik dhe aparaturave profesionale të ruajtjes së të dhënave që i vijnë në ndihmë studentëve për vlerësimin, diskutimin, trajtimin e rasteve klinike në fushën e Ortodontisë dhe Kirurgjisë e Implantologjisë.

Për realizimin në kushte sa më optimale të ndërhyrjeve kirurgjikale ambulatore janë vënë në dispozicion dy salla kirurgjikale që përmbushin kriteret e nevojshme për kryerjen në kushte sterile të ndërhyrjeve. Sallat janë të pajisura me paradhomë me shtretër për ekzaminimin klinik të përgjithshëm korrekt të pacientit, gjetjen e rrugëve venoze nëse ndërhyrja do kryhet me sedacion dhe hospitalizimin disa orë pas interventit deri në largimin e tij në kushte optimale pas ndërhyrjes.

Salla lavazhi për mjekët për tё garantuara sepsinë e ndërhyrjes e pajisur me lavaman dhe solucione e veshje sterile. Salla e sterilizimit me autoklave, letër plastifikimi për mjetet kirurgjikale të cilat sterilizohen dhe ruhen në kushte sterile.

Mjediset laboratorike shfrytëzohen jo vetëm për aktivitetin mësimor, por dhe punë kërkimore shkencore nga ana e pedagogëve dhe studentëve të cilët punojnë për temën e diplomës dhe punimet që prezantojnë në konferencat studentore.

Risi në Klinikën Universitare Stomatologjike “Çerçiz Mingomataj” është pranimi i diplomantëve të interesuar për zhvillimin e praktikës profesionale një vjeçare, kriter për futjen në provimin e marrjes së Liçensës Mjek-Stomatolog.