Drejtuese e Komanduar e Departamentit të Shkencave Ekonomike
Dr. Brikena Tolli
Departamenti i Shkencave Ekonomike është pjesë e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara pranë Albanian University dhe ka për qëllim kryesor përhapjen në nivele më të larta intelektuale të dijes në shkencat ekonomike. Departamenti është njësi bazë mësimore-shkencore që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore përkatëse. Ai ka për detyrë të nxisë, të bashkërendojë dhe të administrojë veprimtarinë e mësimdhënies dhe veprimtaritë kërkimore-shkencore. Departamenti i Shkencave Ekonomike promovon zhvillimin e lirë të studimit dhe procesit mësimor dhe kujdeset për cilësinë e mësimdhënies në të gjitha ciklet e studimit në përputhje me legjislacionin për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, Statutit dhe Rregulloreve të Institucionit.
Departamenti i Shkencave Ekonomike ofron këto programe studimi:
- Bachelor në “Financë-Bankë”
- Bachelor në “Menaxhim Biznesi”
- Master Profesional në “Menaxhim Bankar dhe Financiar”
- Master Profesional në “Administrim Biznesi”
- Master i Shkencave në “Menaxhim Bankar”
- Master i Shkencave në “Administrim Biznesi”
Programi i Studimit Bachelor në “Financë-Bankë”
Programi i studimit Bachelor në “Financë-Bankë” është licencuar me Miratim të MASH Nr. 8981, datë 27.12.2005, akredituar me Urdhër Nr. 355, datë 03.11.2009 si dhe Urdhër Nr. 541, datë 01.12.2010, riakredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit nr.79, datë 05.10.2019, me një kohëzgjatje prej 5 (pesë) vite akademike dhe me vlefshmëri deri në datën 30.09.2024.
Ky program ofron njohuri të plota në fushën e financës dhe të bankave me kohëzgjatje normale prej tre vitesh akademike me një total prej 180 kredite. Programi ndjek me kujdes zhvillimin e shkencës ekonomike në botë, duke përqendruar vëmendjen sidomos në arritjet në rrafshin e shkencave financiare, institucioneve bankare dhe atyre jobankare.
Programi i studimit Bachelor në “Financë-Bankë” synon të përgatisë ekonomistë me njohuri bashkëkohore dhe të aftë për të punuar kryesisht në institucionet financiare, por jo vetëm. Studentët e këtij profili pajisen me njohuri dhe shprehi të mjaftueshme për të punuar edhe si financierë në industri të ndryshme të ekonomisë, në përputhje me nevojat e tregut të punës. Programi i studimit, nëpërmjet kombinimit të lëndëve të formimit bazë, të lëndëve të formimit të përgjithshëm, të lëndëve të specialitetit dhe praktikës, synon zhvillimin e aftësive teorike dhe shprehive të studentëve, me qëllim që të përgatisë ekonomistë finance të profilit bankar, të aftë për të punuar kryesisht në institucionet financiare e monetare.
Kurrikula vendos bazat e forta në formimin e financierit të ardhshëm i cili mund të integrohet lehtësisht dhe të punojë në institucionet bankare, në fushën e investimeve financiare lidhur me investimet dhe drejtimin e kapitaleve, në fushën e studimit të tregut financiar dhe të kontabilitetit e statistikave financiare, të kompanive të sigurimeve dhe bankave të investimeve, të institucioneve, të kredive, në fushën e konkurencës dhe të sigurimit të tregut financiar, kompanitë prodhuese apo të shërbimeve, etj.
Programi i studimit Bachelor në “Menaxhim Biznesi”
Programi i studimit Bachelor në “Menaxhim Biznesi” është licencuar me VKM Nr. 408, datë 26.05.2010, akredituar me Urdhër Nr.240, datë 09.05.2016, si dhe Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 33, datë 19.05.2017, riakredituar me Vendim Nr.79, datë 27.10.2018, me një kohëzgjatje prej 5 (pesë) vite akademike dhe me vlefshmëri deri në datën 30.09.2023.
Ky program ofron njohuri të plota lidhur me çështjet kryesore të misionit të kompanive, të realizuar në 180 kredite me kohëzgjatje normale prej tre vitesh. Misioni i kurrikulës është të përgatisë ekonomistë të profilit “Menaxhim Biznes” me njohuri bazike dhe të thelluara bashkëkohore, për t’u adaptuar me llojet e ndryshme të biznesit, të aftë për të punuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në përputhje me nevojat e tregut të punës. Kurrikula përputhet plotësisht me qëllimin strategjik të departamentit, për të përgatitur një brez të ri ekonomistësh të aftë që të kontribuojnë në forcimin dhe konsolidimin e sistemit të ekonomisë së tregut në vendin tonë.
Ideimi dhe hartimi i planit mësimor shumëdimensional të kurrikulës, është bërë në kohezion të plotë me kërkesat e Kartës së Bolonjës duke u konsultuar me modelet më të mira të kurrikulave të shkollave të larta homologe të suksesshme të vendit, europiane dhe botërore. Kurrikula optimizon raportet ndërmjet disiplinave të formimit të përgjithshëm, të atyre të formimit bazë e të formimit special dhe aftësimit praktik të studentëve.
Ndihmesë të madhe për ndërtimin e një kurikule të tillë koherente dhe shumë dimensionale, kanë dhënë pedagogët e departamentit, shumica e të cilëve kanë kryer studimet universitare dhe pasuniversitare duke mbrojtur MA ose PHD në Shqipëri ose në vende të tilla si: SHBA, Japoni, Gjermani, Angli, Greqi, Poloni, Spanjë, Suedi, Itali si dhe drejtues e specialistë të spikatur të rangjeve të larta në Administratën publike e biznesin privat.
Të diplomuarit në Bachelor “Menaxhim Biznesi” do të jenë në gjendje të përdorin dhe vlerësojnë mjetet për analizimin e kompanisë, të njohin kercënimet dhe mundësitë me të cilat përballet organizata në mjedise vazhdimisht të ndryshueshëm dhe global dhe të jenë në gjendje për marrjen e vendimeve optimale në nivele të ndryshme të administrimit të bizneseve.
Institucioni po merr masa për procesin e riakreditimit. Është ngritur grupi i Vlerësimit të Brendshëm i cili po punon për përgatitjen e raportit të vlerësimit.
Programi i studimit Master Profesional në “Menaxhim Bankar dhe Financiar”
Programi i studimit Master Profesional në “Menaxhim Bankar dhe Financiar” është licencuar me Urdhër Nr. 176, datë 26.04.2012, akredituar me Urdhër Nr.441, datë 25.08.2016, Programi i studimit Master Profesional në “Menaxhim Bankar dhe Financiar” është riakredituar me Vendimin e Bordit të Akreditimit nr. 53, datë 05.07.2019, me një kohëzgjatje prej 3 (tre) vite akademike dhe me vlefshmëri deri në datën 30.09.2022.
Në vitin akademik 2018-2019 për herë të parë u implementua programi i riorganizuar me 60 kredite ECTS. Duke nisur nga viti akademik 2018-2019, programet master professional ofrohen me një kohëzgjatje prej 1 viti akademik, pra të ndarë në dy semestra. Gjatë semestrit të parë studenti angazhohet në ndjekjen e leksioneve dhe seminareve, duke grumbulluar në përfundim 30 ECTS nga semestri i parë, ndërkohë në semestrin e dytë përveç leksioneve dhe seminareve angazhohet në ndjekjen e praktikës profesionale dhe punimit të temës së diplomës, mbrojtjen e së cilës do ta bëjë në përfundim të semestrit të dytë duke grumbulluar të njejtin total kreditesh.
Në muajin Prill u përcoll dosja e riakreditimit në NjSBC, pas realizimit të procesit të riakreditimit. Nga data 21-22 qershor 2022 u realizua procesi i akreditimit të jashtëm, dhe pritet Vendimi i Bordit të Akreditimit.
Ky program përgatit specialistë të lartë të sektorit bankar si edhe menaxherë dhe konsulentë në këtë sektor, nëpërmjet ofrimit të njohurive dhe shprehive të nevojshme teknike dhe menaxheriale për të krijuar një karrierë të suksesshme në sektorin bankar apo institucione të tjera financiare.
Synimi themelor i këtij programi studimi lidhet me kontributin në rritjen e cilësisë profesionale të diplomuarve të ciklit të pare të studimeve Bachelor, apo të sistemit të vjetër dhe që duan të vazhdojnë më tej karrierën profesionale duke u specializuar në fushën e menaxhimit.
Ai i profilizon studentët në fusha të ndryshme të drejtimit financiar duke i ofruar njohuri mbi ligjësitë e përgjithshme të tregut, institucionet e ndërmjetësimit financiar, mbi modelet dhe vizionet bashkëkohore të strukturave institucionale, mbi pozicionimin e firmave në ambientin financiar në kontekstin e globalizimit dhe integrimit europian.
Programi gjithashtu stimulon aftësitë praktike për analiza ekonomike të treguesve financiarë dhe përdorimin e tyre në çështje kombëtare dhe rajonale nën raportin e standardeve dhe rregullave të profilit. Të diplomuarit e këtij cikli pajisen me aftësi të planifikimit financiar dhe kompetenca argumentuese dhe këshilluese për institucionet të ndryshme në fushën e ekonomisë.
Programi i studimit Master Profesional në “Administrim Biznesi”
Programi Master Profesional në “Administrim Biznesi” është licencuar me Urdhër Nr. 176, datë 26.04.2012, akredituar me Urdhër Nr.440, datë 25.08.2016, si dhe me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 52, datë 10.07.2017, riakredituar me Vendimi i Bordit të Akreditimit nr.52, date 05.07.2019. Për herë të parë u implementua programi i riorganizuar me 60 kredite ECTS. Në muajin qershor 2022 u realizua procesi i akreditimi të jashtëm dhe pritet Vendimi i Bordit të Akreditimit.
Ky program synon të përgatisë manaxherë dhe ekzekutivë të aftë në fushën e administrimit të biznesit me qëllim hapjen e mundësive të zhvillimit të karrierës së tyre, jo vetëm në profilin manaxherial në sektorin privat dhe atë publik, por edhe për nxitjen e vazhdimit të mëtejshëm të karrierës së tyre akademike.
Ai i profilizon studentët në drejtime të ndryshme të administrimit të biznesit duke i ofruar njohuri mbi orientimin e firmave dhe kufijtë specifikë të progresit të tyre, mbi modelet dhe vizionet bashkëkohore dhe mbi pozicionimin e njësive ekonomike në kontekstin e globalizimit dhe integrimit evropian. Programi gjithashtu stimulon aftësitë praktike për analizën e klimës së biznesit në kontekstin kombëtar dhe rajonal. Të diplomuarit e këtij cikli pajisen me aftësi për të ndërmarrë studime kritike të burimeve të organizatës dhe bashkërendimin e njohurive financiare, të marketingut, të prodhimit etj. në zinxhirin e vlerës.
Ai synon në pajisjen e të diplomuarve me njohuri të thelluara teorike dhe praktike si dhe trajnim të mirëfilltë profesional mbi shkencat ekonomike, politikat e biznesit dhe administrimin e njësive ekonomike, shprehitë, metodologjitë dhe kompetencat e nevojshme për të ndërmarrë lehtësisht funksione manaxheriale, për të fituar më shumë përgjegjësi në punë, apo për të zhvilluar më tej karrierën e tyre profesionale. Një vëmendje e veçantë ju kushtohet dimensionit dhe njohjes së strukturave organizative, menaxhimit të institucioneve, planifikimit, legjislacionit dhe funksionimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.
Studentët që përfundojnë studimet Master Profesional në “Administrim Biznesi” pranë Albanian University mund të punojnë në nivele manaxheriale dhe ekzekutive në kompani të ndryshme, institucione apo agjenci private dhe publike si edhe mund të ndërmarrin iniciativa për çeljen e sipërmarrjeve private.
Programi i studimit Master i Shkencave në “Menaxhim Bankar”
Programi i Studimit Master i Shkencave në “Menaxhim Bankar” është licencuar me VKM Nr. 56, datë 21.01.2009, akredituar me Urdhër Nr. 327, datë 07.08.2012, si dhe riakredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 81, datë 27.10.2018. Me vendimin e Bordit të Akreditimit Nr. 65, datë 10.09.2022, ky program është riakredituar me afat deri në 09.09.2026
Ky program studimi 2-vjeçar i ciklit të dytë ju adresohet të diplomuarve që zotërojnë diplomën “Bachelor” me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor apo trajnim të mirëfilltë profesional. Programi ka në bazë kërkimin shkencor dhe krijon baza të qëndrueshme njohurish për të vazhduar më pas me studimet e ciklit të tretë – doktoratës.
Zhvillimi i aftësive për arsyetime logjike me bazë teorike dhe empirike, kompetenca argumentuese dhe këshilluese për institucionet financiare, sistemin bankar, organizatat joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të gjithë aktorët e interesuar në këto fusha përbën një tjetër element të rëndësishëm në formimin profesional të studentëve të këtij cikli.
Njohuritë dhe ekspertiza e përftuar gjatë këtyre dy viteve të studimit do të finalizohet me krijimin e një grupi të diplomuarish të aftë për të punuar si manaxher, këshillues biznesi, ekonomistë pranë kompanive vendase dhe të huaja, në institucione financiare bankare dhe jo bankare, specialistë në ente publike, qendrave të ndryshme kërkimore, konsulentë apo ekspertë të treguesve ekonomik pranë organizmave të ndryshëm qeveritare dhe jo-qeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Programi i studimit Master i Shkencave në “Administrim Biznesi”
Programi i studimit Master i Shkencave në “Administrim Biznesi” është licencuar me VKM Nr. 56, datë 21.01.2009, akredituar me Urdhër Nr. 327, datë 07.08.2012, si dhe riakredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 80, datë 27.10.2018.
Ky program i ciklit të dytë është një program studimi 2-vjecar, i cili synon të pajisë studentët me parimet, njohuritë akademike, metodologjitë dhe shprehitë e nevojshme, për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave të tregut dhe për të kryer me sukses funksione manaxheriale dhe të niveleve strategjike në mjedise të ndryshme ku ata punojnë.
Kryerja e studimeve Master i Shkencave në “Administrim Biznesi” është një kualifikim i kërkuar në rang ndërkombëtar, për nivelin e lartë manaxherial apo ekzekutiv, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Me ndryshimin e vazhdueshëm të ekonomisë dhe tregjeve në të cilat kompanitë veprojnë, rëndësia e pasjes së një strategjie të suksesshme dhe të qënurit konkurues në treg, bëhet gjithnjë e më e nevojshme. Ndaj, organizatat kërkojnë manaxherë të cilët të jenë të aftë të kontribuojnë në këtë proces.
Synimi themelor i këtij programi në kuadrin e formimit shkencor, është strukturimi i një qasjeje të thelluar analitike nëpërmjet njohurive të ofruara dhe pajisjes të të diplomuarve të ciklit të dytë me instrumentet e nevojshëm shkencor në analizën e hollësishme të sistemit ekonomik në tërësi, politikave ekonomike, administrimit te biznesit, zhvillimit të institucioneve dhe komponentëve të qeverisjes, të projektuara në dinamikën e zhvillimit të tyre ekonomik dhe bashkëkohor.
Njohuritë dhe ekspertiza e përftuar gjatë këtyre dy viteve të studimit do të finalizohet me krijimin e një grupi të diplomuarish të aftë për të punuar si manaxher, këshillues biznesi, ekonomistë pranë kompanive vendase dhe të huaja, apo qendrave të ndryshme kërkimore, konsulentë apo ekspertë të treguesve ekonomik pranë organizmave të ndryshëm qeveritare dhe jo-qeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare.