Departamenti i Shkencave Juridike dhe Politiko-Administrative

Përgjegjës Departamenti: 

Departamenti i Shkencave Juridike dhe Politiko-Administrative, pjesë përbërëse e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, në Albanian University, funksionon si njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore, duke përfshirë fusha kërkimi homogjene dhe duke grupuar disiplinat mësimore respektive.

Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtarinë e mësimdhënies, dhe atë kërkimore-shkencore në programet e studimit që ofron.

Departamenti i Shkencave Juridike dhe Politiko-Administrative, ndjek misionin dhe objektivat kryesorë të arsimit të lartë me qëllim: krijimin, transmetimin dhe mbrojtjen e dijeve me anë të mësimdhënies e kërkimit shkencor; formimin e specialistëve të lartë dhe përgatitjen e shkencëtarëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit të shoqërisë në rritjen e standardeve të demokracisë në shoqëri.

Departamenti i Shkencave Juridike dhe Politiko-Administrative, nëpërmjet programeve që ofron në të gjitha ciklet e studimit, ka si mision dhe objektiv kryesor angazhimin dhe përgatitjen e studentëve në sfidën e përbashkët të thellimit të dijeve, për përgatitjen e një gjenerate studiuesish në sferën e shkencave politike, administrative dhe në fushën ligjore, e cila paraqitet e domosdoshme për të vepruar me kompetencë në realitetin kompleks aktual juridik dhe politik. Për arritjen e misionit të tij, Departamenti realizon procesin e mësimdhënies, kërkimin shkencor si dhe ofrimin e shërbimeve komunitare në kuadër të përmbushjes së përgjegjësisë sociale.

Programet e studimit që ofron Departamenti i Shkencave Juridike dhe Politiko-Administrative, në themel të tyre kanë formimin dhe përgatitjen e një brezi të ri profil të përgjithshëm dhe ekspertëve në fushën e administratës publike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, profesionistëve të së drejtës si dhe duke synuar në radhë të parë përgatitjen e specialistëve të aftë në këto fusha studimore, por edhe krijimin e konsolidimin e një tradite të re në ambientin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

Qëllimi dhe objektivat e mësimdhënies kanë konsistuar në forcimin e departamentit si një institucion jo vetëm mësimor, por dhe shkencor për të formuar specialistë dhe studiues me profil të përgjithshëm për të kontribuar në sistemin politik shqiptar, në administratën publike, integrimin euro-atlantik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke kultivuar aftësitë në këtë fushë studimore, por edhe krijimin e një konsolidimi të një tradite të re në ambientin politik shqiptar, nën raportin e standardeve dhe rregullave të testimit empirik të profilit që ata kanë. Nisur nga këto synime është përpiluar një plan mësimor ekstrakurrikular shumë dimensional.

Gjithashtu promovimi i një sërë vlerash, përbën dhe një tjetër angazhim të Departamentit përballë studentëve në sfidën e përbashkët të thellimit të dijeve. Për këtë arsye, programi synon të përgatisë studentë me aftësi akademike që dëshirojnë të angazhohen seriozisht në projekte studimi individuale, si dhe projekte në grup.

Praktikat mësimore dhe profesionale, janë pjesë integrale e cikleve të studimit që ofron Departamenti i Shkencave Juridike dhe Politiko-Administrative.

Departamenti i Shkencave “Juridike dhe Politiko-Administrative” kryen mbarëvajtjen e procesit mësimor në tre ciklet e studimeve:

Cikli i I-rë:

  • Bachelor në “Shkenca Politiko-Administrative” – (180 Kredite).

Cikli i II-të:

  • Program i Integruar Master i Shkencave në Drejtësi (300 Kredite).
  • Master i Shkencave në “Administrim Publik në dy profile; (120 Kredite).

                        1) Administrim publik, politika publike dhe qeverisje

                        2) Administrim publik, politika publike dhe qeverisje në BE

  • Master i Shkencave në “E Drejtë publike dhe Administrative”; (120 Kredite)
  • Master i Shkencave në “E Drejtë Private; (120 Kredite).
  • Master i Shkencave në “E Drejtë Penale”; (120 Kredite).
  • Master Profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik” ;(60 Kredite).
  • Master Profesional në “Shkenca Penale; (60 Kredite).
  • Master Profesional në “E drejtë Private”; (60 Kredite).

Cikli i III-të:

  • Doktoraturë:
  • “Shkenca Administrative.”

Bachelor në “Shkenca Politiko – Administrative”:

Programi i studimit Bachelor në “Shkenca Politiko-Administrative” është licencuar me miratim nga MASH, Nr. 8981, dt. 27.12.2005, akredituar me Urdhër Nr. 532 dhe riakredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL nr. 82, datë 05.10.2019.

Kërkesa në treg për personel të kualifikuar në fushën e shkencave politike dhe administrative vjen gjithmonë në rritje. Sot më shumë se kurrë, kjo fushë ka nevojë për ekspertë, duke konsideruar zhvillimin dhe zbatimin e sistemeve të reja politike. Programi Bachelor në “Shkenca Politiko-Administrative” synon kualifikimin e studentëve me njohuri të përgjithshme, të vetëdijshëm për sfidat në fushën e shkencave politike dhe administrative, si dhe të aftë për të punuar në sektorët publikë ose privatë. Fokusi shtrihet më gjërë në planifikimin, zhvillimin, zbatimin dhe funksionimin e institucioneve publike kombëtare ose ndërkombëtare. Ata kanë nevojë jo vetëm për njohuri teorike dhe praktike, por duhet të jenë në gjendje të shprehin veten dhe të jenë ndërmjetës midis institucioneve dhe shoqërisë.

Objektivat formuese përcaktuese, të përgjithshme apo specifike në programin e studimit Bachelor në “Shkenca Politiko-Administrative”, mbajnë parasysh kërkesat për nivele cilësore bashkëkohore dhe hartohen në bashkëpunim me përfaqësues të tregut të punës dhe profesioneve në nivel kombëtar. 

Gjatë vitit të parë akademik programi Bachelor në “Shkenca Politiko-Administrative” ka si synim  t’u ofrojë studentëve njohuri të përgjithshme të mbështetura në lëndë të formimit bazë të karaktereve sociologjike, historike dhe filozofike si dhe të realizojë gjatë 2 viteve të tjera akademike thellimin e njohurive që përkojnë me profilin e diplomës së shkencave politiko-administrative, konkretisht në disiplinat ekonomiko-politike, juridike, administrative, politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare duke vendosur objektiva specifikë për përgatitjen e politologëve dhe ekspertëve në fushën e administratës, të aftë për të operuar në këtë fushë, dhe integrimin e tyre në dikastere ose institucione me karakter specifik.

Praktika mësimore: Praktikat në institucionet publike e kërkimore e parashikuar si pjesë përbërëse e programit mësimor-formues për studentët e vitit të III të programit Bachelor në “Shkencave Politiko-Administrative”, synojnë njohjen dhe familjarizimin e studentëve me procesin praktik politik. Si pjesëmarrës në praktikën politike, synohet që të zhvillohen shkathtësitë e studentëve për të vendosur lidhjen nëpërmjet instrumenteve njohëse që marrin gjatë procesit mësimor dhe politikës në veprim. Gjatë praktikës studenti do të ndjekë të gjithë atë që quhet cikël politik duke përfshirë hyrjet (“inputs”), kthimin e kërkesave dhe vendimeve, daljet (“outputs”), reagimin ndaj daljeve e deri tek reagimi i institucionit ndaj aktorëve të tjerë politikë ose shoqëror.

 Master i shkencave në “Administrim Publik” me 2 profile 

  1. Politika publike dhe qeverisje”,
  2. Politika publike dhe BE.”

 Programi i studimit Master i Shkencave në “Administrim Publik” me profile 1. “Politika publike dhe qeverisje”, 2. “Politika publike dhe BE” është hapur për herë të parë në vitin akademik 2009-2010. Programi është licencuar me VKM Nr. 56, dt. 21.01.2009, plotësuar me Urdhrin e MASH Nr. 308, dt. 08.06.2010 dhe riakredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit nr. 23, date 12.04.2019, vlerësuar me 5 vite deri në 2024

Ky program studimi u adresohet të diplomuarve që zotërojnë një diplomë “Bachelor” të profilit përkatës, të interesuar të thellojnë njohjen shkencore dhe formimin profesional në administrim publik, politika publike, sisteme qeverisëse, politika dhe menaxhim sektorial, qeverisje vendore, zhvillim institucional, integrim evropian etj.

Misioni i këtij programi studimi lidhet me nevojën për t’ju përgjigjur kërkesave të kohës dhe eliminuar përgatitjen e specialistëve me kompetencë të kufizuar, programi ynë shtrin hapësirën e specializimit, tejkalon kufijtë tradicionalë midis shkencave duke afruar një trajtim ndërdisiplinor dhe multishkencor: Shkenca Politike, Shkenca Administrative, Shkenca Juridike, Shkenca Ekonomike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sociologji, Shkenca Komunikimi etj. Ky program studimi zhvillon aftësinë për të drejtuar studime dhe kërkime të avancuara në mënyrë të pavarur, i profilizon në drejtime të veçanta studimesh të krahasuara ose monografike, ofron përqasje ndërdisiplinore në fushat e administrimit publik, u ofron njohuri mbi përmirësimin e administratës publike, i njeh me modelet dhe vizionet bashkëkohore mbi pozicionimin e administratës publike në kontekstin e globalizimit dhe integrimit evropian.

Stimulimi i një qëndrimi të hapur ndaj personave që u përkasin kombësive, etnive, besimeve fetare dhe gjithçkaje të ndryshme nga grupi i tij social (Një përgatitje psikologjike për proceset e integrimit dhe kooperimit evropian). Stimulimi i aftësive komunikuese, mirëkuptuese dhe bashkëpunuese për përmirësimin e imazhit të funksionarit dhe institucioneve publike dhe atyre kombëtare në tërësi.

Specialistët që përgatit ky program studimi, do mund të ri-dimensionojnë politikën dhe administratën.

 Mundësitë për punësim në përfundim të programit të studimit Msc “Administrim Publik me profile: “Politika Publike dhe Qeverisje”; “Politika Publike dhe BE”

 

  1. Administrim Publik/Politika Publike dhe Qeverisje: Të diplomuarit në këtë profil do pajisen me një paketë konceptesh teorike dhe cilësish ekzekutive të aftë të shërbejnë në të gjitha nivelet e administratës publike qendrore: presidencë, parlament, kryeministri, ministri, institucione të tjera publike, në të gjitha dimensionet e hapësirës publike, por në mënyrë të veçantë në nivel qarqesh, bashkish, sikurse mund të ndërmarrin iniciativa për krijimin e sipërmarrjeve private që afrojnë bashkëpunim dhe shërbime specifike për administratën publike qendrore dhe atë vendore; Një pjesë prej tyre mund të zgjedhin të japin një kontribut si studiues, pedagogë dhe analistë të shkencave administrative dhe qeverisjes qendrore brenda dhe jashtë vendit, etj;
  2.  Administrim Publik/Politika Publike dhe BE: Të diplomuarit në këtë profil do zotërojnë koncepte teorike dhe cilësi ekzekutive që do ju mundësojnë të kontribuojnë në drejtimin e administratës publike shqiptare, në mënyrë të veçantë në institucionet publike integruese apo drejtoritë e veçanta të integrimit evropian brenda ministrive, bashkive dhe prefekturave. Një pjesë e të diplomuarve do përbëjnë elitën e studiuesve, pedagogëve dhe analistë të ardhshëm të administratës dhe hapësirës publike evropiane;

 

Programi i Integruar Master i Shkencave në “Drejtësi”

Programi i Integruar Master i Shkencave në “Drejtësi”, mundëson një formim të plotë juridik për studentët që ndjekin këtë program studimi. Profesionistët e së drejtës, gjithnjë e më shumë gjenden përballë problematikave dhe çështjeve të cilat kërkojnë njohuri të thelluara mbi legjislacionin vendas të harmonizuar me legjislacionin e standardet e ngritura në nivel europian dhe ndërkombëtar. Arsye këto që vendosen në objektivat e programit të studimit me qëllim që të diplomuarit të përfitojnë njohuri të nevojshme mbi metodat e arsyetimit juridik dhe të doktrinës juridike, si edhe njohje të gjerë të institucioneve dhe instituteve juridike.

Në këtë kuadër, Programi i Integruar i studimit Master i Shkencave në “Drejtësi” ofruar nga Deparatamenti I Shkencave Juridike dhe Politiko-Administrative në Albanian University, synon një formim të plotë të studentëve në fushën ligjore, e cila paraqitet e domosdoshme për të vepruar me kompetencë në realitetin kompleks aktual juridik.

Ndjekja e programit të studimit në fushën e shkencave juridike dhe përftimi i diplomës së integruar Master i Shkencave në “Drejtësi”, të jep mundësi për t’u pranuar në provime të shtetit në ndonjë nga profesionet e rregulluara të kësaj fushe, gjithashtu të mundësojë vazhdimin e studimeve të doktoratës, në Shkollën e Magjistraturës apo studimeve specializuese pasuniversitare për përftimin e titullit respektiv. Në këtë frymë vlerësimi dhe bashkëpunimi propozohet ky program studimi i cili mundëson formimin teorik dhe praktik të studentit në një cikël të vetëm studimesh. Ky program ofron: përgatitje bazë dhe të avancuar për një formim të kompletuar të aftësive që iu korrespondojnë niveleve të kualifikuara të punësimit dhe të profesionalizmit; kërkim të pavarur nëpërmjet instrumenteve dhe teknikave të kërkimit. Programi ka një kohëzgjatje normale prej 5 vitesh akademike me një total prej 300 kredite (ECTS).

Praktika mësimore: bën të mundur aftësimin praktik të studentit dhe rritje të nivelit të tij profesional si në mënyrën e arsyetimit ligjor praktik, dhe në metodikat e ushtrimit të teorisë në praktikën e përditshme. Praktika ka për qëllim të afrojë studentët me realizimin real të bagazhit teorik të krijuar në 4 vitet e para, të aftësojë ata në përpilimin e akteve të nevojshme, ti familjarizojë me proçeset gjyqësore si dhe të aftësojë studentin profesionalisht në ushtrimit e njohurive të marra në “Gjyqin Imitues” ,“Aktorët” në një proçesi gjyqësor, rolet e tyre në një proçes dhe roli i gjykatës në një proçes gjyqësor, aktet bazë për fillimin e një proçesi gjyqësor që paraqiten nga paditësi, mbrojtja e të paditurit, fazat e proçesit gjyqësor. ” si vlerësues të praktikës profesionale

 

Programi i studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike” me profile

Programi i studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike” me profile është licencuar me VKM Nr.408, datë 26.05.2010 dhe riakredituar me Vendimin e Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 41, datë 14.04.2023 deri në vitin 2026.

Ky program ka si qëllim thellimin e njohurive të fituara në ciklin e parë të studimit për të kompletuar formimin e marrë në këtë cikël studimi duke i dhënë mundësinë studentëve të profilizohen në një nga profilet e mëposhtme:

  • E drejtë private.
  • E drejtë publike dhe administrative.
  • E drejtë penale.

Programi ka një kohëzgjatje prej 2 vitesh akademike me një total prej 120 kredite (ECTS). Veprimtaritë formuese, teorike dhe praktike të ofruara sigurojnë specializim të njohurive të studentit, krahasuar me ato të marra në programin e ciklit të parë të studimit. Ndjekja e programit të studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike” dhe përfitimi i diplomës në këtë fushë, u jep mundësi studentëve gjithashtu të vazhdojnë në ciklin e tretë të studimeve, doktoratë apo ndjekjen e shkollës së magjistraturës.

 

Master profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik”

Programi i studimit Master profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik” është hapur për herë të parë në vitin akademik 2009-2010. Programi është licencuar me VKM Nr. 597, dt. 28.05.2009, plotësuar me Urdhrin e MASH Nr. 308, dt. 08.06.2010 dhe riakredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit nr. 22, datë 12.04.2019, vlerësuar me 5 vite deri në 2024.

Ky program studimi i drejtohet kryesisht personave që zotërojnë një diplomë Bachelor, diplomë të integruar të nivelit të dytë, diplomës sipas sistemit të vjetër të pandarë në cikle studimi ose diplomë ekuivalente me të, të përfituar brenda apo jashtë vendit, në degët drejtësi, ekonomik, mësuesi, shkenca sociale, gazetari, shkenca politike etj. të interesuar të thellojnë formimin profesional në fushën e qeverisjes dhe administrimit publik.

Ky program studimi i drejtohet edhe personave të cilët kanë përfunduar studimet në fusha të tjera nga ato të lartpërmendura, kur tregojnë interes dhe motivim për frekuentimin e tij.

Albanian University, në zgjerimin e mundësive të pranimit, është nisur nga konstatimi paraprak se programi i studimit Master profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik” shfaq interes për një spektër të gjerë kandidatësh, të cilët pavarësisht nga fusha e diplomimit të tyre, kanë eksperienca punësimi në nivele të ndryshme të administratës publike apo në sektorin privat.

Programi i studimit Master profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik”, ka si mision pajisjen e të diplomuarve me njohuri bazë mbi teoritë e shkencave administrative, procedurat, politikat, institucionet lokale dhe qeverisjen e tyre. Një vëmendje e veçantë ju kushtohet dimensionit dhe njohjes së strukturave, institucioneve, legjislacionit dhe funksionimit të institucioneve kombëtarë lokale.

Njohja e studentëve me koncepte bashkëkohore si financat publike, komunikimi, qeverisja vendore, teoria dhe praktikat e lidershipit, funksionimi i administratës publike, janë pjesë e objektivave formuese të këtij programi. Njohuritë mbi sistemet politike dhe angazhimi i specialistëve të administratës në funksion të mbarëvajtjes së shtetit janë nga objektivat kryesorë të këtij programi.

 

Mundësitë për punësim në përfundim të programit të studimit Mp “Qeverisje dhe Administrim Publik”

Programi i studimit Master profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik” ka për qëllim të realizojë përgatitjen teoriko-praktike të nevojshme për thellimin dhe njohjen shkencore si dhe formimin profesional mbi sistemet politike dhe angazhimin e specialistëve të administratës në funksion të mbarëvajtjes së shtetit. Ai përgatit studentët në ushtrimin e profesionit si specialistë në sektorë të ndryshëm të organeve në nivel lokal e qendror, në OJQ, OJF të cilat kanë në qendër të punës së tyre veprimtarinë e enteve qeveritare apo të drejtat e qytetarëve, në fushën e qeverisjes dhe administrimit publik, në zyrat e marrëdhënieve me publikun të kompanive private dhe enteve publike, etj.

 

Master profesional në “Shkenca Penale”

Programi i studimit Master profesional në “Shkenca Penale” është licencuar me VKM Nr. 597, datë 28.05.2009, mbështetur me Urdhrin Nr. 308, datë 08.06.2010, dhe riakredituar me Vendimin e Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 43, datë 14.04.2023 deri nw vitin 2026.  Kohëzgjatja e këtij programi studimi është 1 vit akademik dhe përbëhet nga 60 kredite (ECTS) gjithsej. Ky program studimi i ciklit të dytë përfshin fushën juridiko-penale dhe ka për qëllim formimin profesional të studentëve me njohuri specifike. Programi përgatit specialistë të aftë për të organizuar, planifikuar dhe drejtuar veprime proceduriale që duhet të kryhen nga subjektet e procedimit penal gjatë veprimtarisë hetimore, gjyqësore dhe në ekzekutimin e vendimeve, lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në luftën kundër krimit si dhe dhënien e drejtësisë në fushën e së drejtës penale. Studentët që do të mbarojnë programin e studimit Master profesional në “Shkenca Penale” do të kenë mundësi të punësohen apo të vijojnë karrierën e tyre profesionale në një sërë sektorësh apo organesh që lidhen me aplikimin e së drejtës penale.

Ky program është i përshtatshëm për ata që duan të punojnë në fushën e avokatisë, si juristë pranë institucioneve të pavaruara, studiove ligjore etj. Studentët mund të punësohen apo të përmirësojnë kurrikulumin e tyre në struktura të tilla si organizata joqeveritare, që merren me mbrojtjen e grave apo mbrojtjen e të miturve, si dhe ato që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo edhe të burgosurve në veçanti.

 

Master profesional në “E Drejtë Private”

Programi i studimit Master profesional në “E Drejtë Private” është liçencuar me VKM Nr. 597, datë 28.05.2009, mbështetur me Urdhrin Nr. 308, datë 08.06.2010, dhe riakredituar me Vendimin e Bordit të Akreditimit të ASCAL nr. 64, date 10.09.2022 deri nw vitin 2025. Kohëzgjatja e këtij programi studimi është 1 vit akademik, dhe përbëhet nga 60 kredite (ECTS) gjithsej. Ky program studimi i ciklit të dytë ka si objektiv të formojë studentët me njohuri specifike në fushën e të drejtës private. Ky rezultat synohet të arrihet nëpërmjet studimit të instituteve specifikë dhe nëpërmjet zgjerimit të studimit në fusha të cilat karakterizohen nga specialiteti sektorial. Programi kombinon formimin akademik me përvojën praktike dhe realizohet në bashkëpunim me gjykata të niveleve të ndryshme të sistemit të drejtësisë dhe me studio ligjore prestigjoze, vendase dhe të huaja, pranë të cilave do të zhvillohen stazhi dhe praktika profesionale.

Studentët që do të përfundojnë këtë program studimi do të kenë mundësi të punësohen apo të vijojnë karrierën e tyre profesionale në një sërë sektorësh apo organesh që lidhen me aplikimin e të drejtës private. Ky program i ofron mundësi studentëve të cilët duan të punojnë në fushën e avokatisë, si juristë pranë bizneseve, në ndërmarrje, banka, shoqëri sigurimesh dhe konsulentë ligjorë pranë autoriteteve të pavarura etj.

 

Doktoratë në “Shkenca Administrative”

Programi i studimit “Doktoratë” në “Shkenca Administrative” pjesë e Albanian University është hapur me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 564, datë, 19/11/2012.

Ky program studimi bazohet në Ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë“të ndryshuar, në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, si dhe në Statutin e Albanian University. Programi i studimit “Doktoratë” në “Shkenca Administrative” është riorganizuar në përputhje me Ligjin 80/2015, në pritje të miratimit nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

Programi i studimit “Doktoratë” në “Shkenca Administrative” me karakter plotësisht akademik, ka në bazë kërkimin shkencor dhe veprimtari krijuese. Nëpërmjet programit të studimit “Doktoratë” në “Shkenca Administrative”, doktorantët arrijnë të përsosin në nivelin më të avancuar aftësitë e tyre studimore e kërkimore shkencore në fushën e Shkencave Administrative, në mënyrë që t’i përgjigjen larmisë së nevojave më aktuale akademike në vend. Ky program studimi synon të ndihmojë në njohjen e modeleve dhe vizioneve bashkëkohore mbi pozicionimin e administratës publike në kontekstin e globalizimit dhe integrimit europian; t’i profilizojë në drejtime të veçanta studimesh të krahasuara ose monografike në Shkenca Administrative.