Rregullure e Bordit Administrativ

 RREGULLORE

“PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E BORDIT ADMINISTRATIV”

 

Neni 1

Me këtë Rregullore, përcaktohen rregullat mbi mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Bordit Administrativ të Albanian University (këtu e në vazhdim AU), organizimin e mbledhjeve, kryesimin dhe vendimmarrjen, zbatimin e vendimeve dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me punën e Bordit Administrativ.

Neni 2

Në zbatim të nenit 10, pika 1 të Statutit të Albanian University, Bordi Administrativ është organ qëndror drejtues administrativ i universitetit, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij.

 Neni 3

Bordi administrativ kryesohet nga Administratori (anëtar ex officio), të cilit i njihet kjo e drejtë në kontratë dhe përbëhet prej anëtarësh të personelit akademik, joakademik, një numër personalitetesh të emëruar nga Administratori si dhe një përfaqësues i zgjedhur nga Këshilli studentëve të institucionit.

Nuk mund të jenë anëtarë të Bordit anëtarët e Senatit akademik. Dekanët, ZvDekanët dhe ZvRektorët.

Neni 4

Në ushtrimin e kompetencave të tij, Bordi administrativ orienton, shqyrton, këshillon dhe voton strategjitë dhe aktivitetet jo akademike e universitetit. Vendimet e Bordit administrativ merren kolegjialisht dhe janë të vlefshme kur firmosen nga Administratori.

Në veçanti, Bordi administrativ ushtron kompetencat e mëposhtme:

  • miraton kriteret për ndarjen e burimeve financiare të universitetit të propozuara nga Rektorati;
  • miraton, me kërkesën e Senatit akademik, projektbuxhetin e universitetit me 2/3 e votave të anëtarëve të tij;
  • miraton propozimet e sektorëve administrativë dhe akademikë që lidhen me funksionimin e universitetit në lidhje mbi aspektet administrative, financiare apo ekonimike;
  • vendos për emërimet dhe shkarkimet në postet administrative të propozuara nga sektorët administrativë përkatës.
  • miraton strukturën dhe numrin e personelit të universitetit për të gjitha nivelet;
  • vendos kriteret për përcaktimin e pagave të personelit të universitetit si dhe tarifën e orës mësimore;
  • përcakton kushtet dhe shpërblimet për kontratat e punës bazuar në kualifikimin e të punësuarit dhe statusin i diplomuar apo student;
  • miraton paraprakisht tarifën e rregjistrimit dhe të studimeve në universitet dhe ia percjell për miratim të mëtejshëm Senatit akademik;
  • vlerëson planin e zhvillimit të institucionit dhe programin vjetor të veprimtrisë së tij;
  • miraton rregulloren e funksionimit të tij;
  • ofron infrastrukturën dhe shërbimin administrativ për mbarëvajtjen dhe funksionimin e organeve kolegjiale dhe monokratike të universitetit.

Neni 5

Mbledhja e Bordit administrativ thirret me vendim të Administratorit duke bashkëlidhur në njoftimin e saj rendin e ditës dhe çështjet kryesore që do të diskutohen.Bordi mblidhet minimumi 1 (një) herë në muaj, por Bordi Administrativ mund të mbajë edhe mbledhje të jashtëzakonshme.Vendimi i Administratorit për thirrjen e mbledhjes dhe rendi i ditës mund te publikohen në mjediset e Universitetit. Mbledhjet e Bordit administrativ zhvillohen të mbyllura.Anëtarët që kanë votuar kundra, kanë të drejtë të depozitojnë pranë Administratorit brenda 2 ditësh mendimin e tyre të pakicës, i cili i bashkëlidhet dokumentacionit të mbledhjes.

Neni 6

Administratori ka detyrimin që brenda 3 ditësh nga zhvillimi i mbledhjes, të formalizojë në një dokument zyrtar përmbajtjen e proces-verbalit duke e shoqëruar dërgimin e tij në strukturat vartëse akademike dhe administrative me urdhëra konkrete për zbatim. 

Neni 7

Administratori drejton mbledhjet e Bordit administrativ. Si rregull, ai nuk ka të drejtë të delegojë funksionin e drejtimit të mbledhjeve të Bordit administrativ dhe të kompetencave të tjera në organe apo funksionarë të tjerë drejtues të Universitetit. Kur prania e tij është e pamundur për shkaqe pune ose shëndetësore, mbledhja e Bordit administrativ shtyhet.

Neni 8

Administratori e jep fjalën sipas radhës së paraqitjes për diskutim. Anëtarët e Bordit marrin pjesë në diskutime dhe paraqesin mendimet dhe propozimet lidhur me çështjet të cilat trajtohen në mbledhje.

Neni 9

Vendimet e miratuara nga Bordi administrativ dhe të kundërfirmuara nga Administratori janë të detyrueshme për zbatim nga çdo instancë tjetër administrative brenda afateve dhe proçedurave të përcaktuara në vendim. Çdo shmangie, vonesë, neglizhencë apo keqadministrim i vendimeve analizohet rast pas rasti në mbledhjet e Bordit administrativ duke vendosur edhe për marrjen e masave konkrete për rivënien në vend të rregullit dhe disiplinës në Universitet.

Neni 10

Mbledhjet e Bordit administrativ zhvillohen në selinë qendrore të Universitetit. Vendimet e Bordit administrativ janë të vlefshme kur firmosen nga Administratori.

Neni 11

Bordi administrativ zbaton në veprimtarinë e tij parimet e autonomisë dhe të respektimit të të drejtave të punonjësve, personelit akademik dhe studentëve.

Neni 12

Mandati i anëtarit të Bordit administrativ mbaron kur:

  • përfundon afati;
  • jep dorëheqjen;
  • vdes, pamundësohet nga ana fizike apo mendore të ushtrojë funksionin;
  • në rast shkelje të rëndë të ligjit për arsimin e lartë në R.SH, të statutit dhe të rregulloreve të Institucionit;
  • dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale
  • nuk përmbush, në mënyrë të pajustifikuar, detyrimet kontraktore për së paku një periudhë tre mujore.

Neni 13

Kjo Rregullore hyn në fuqi pas miratimit në Bordin Administrativ dhe firmosjes nga Administratori.