Departamenti i Art Dizajn

Përgjegjës Departamenti: Dr. Teuta BAJO

Departamenti i Arkitekturës si pjesë përbërëse e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike e ka nisur aktivitetin e tij me programin e studimit Master i Shkencave në “Arkitekturë” në vitin akademik 2005-2006. Në vitin akademik 2011-2012 Departamenti ofroi për herë të parë programin e studimit Bachelor në “Dizajn”, si dhe në vitin akademik 2018-2019 ofroi programin e ri të studimit Master Profesional në “Interier Dizajn”. Ky departament si pjesë përbërëse e “Albanian University” detyrë parësore ka përpunimin dhe transmetimin e dijeve, progresin e kulturës, përparimin dhe vlerësimin në fushën e Dizajnit. Misioni i kurrikulave të programeve të studimit që departamenti ofron është përgatitja e specialistit të profilit përkatës me njohuri bashkëkohore, të aftë për t’ju përgjigjur tregut të punës.

 

Aktualisht, Departamenti i Arkitekturës ofron këto programe studimi:

  1. Programi i Studimit: Bachelor në “Dizajn”
  2. Programi i Studimit: Master Profesional në “Interier Dizajn”

 

Programi i Studimit Bachelor në “Dizajn”

Programi i Studimit Bachelor në “Dizajn” është hapur në vitin akademik 2011-2012 me Urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës Nr.199, Dt. 16.05.2012, me një staf akademik të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit, artist – dizajner me një karrierë shumë aktive, si në mësimdhënie ashtu edhe në krijimtari artistike. Diploma Bachelor në “Dizajn” i ofron studentit  njohuri akademike dhe praktike bashkëkohore, të cilat do të shërbejnë në sensin praktik dhe krijues të studentit, i cili në fund të programit 3-vjeçar, do të jetë i aftë për të vazhduar dhe avancuar njohuritë dhe për ti profilizuar në drejtimet përkatëse të dizajnit siç janë: Dizajni Grafik, Multimedia, Web dizajn, Dizajn Interieri etj. Studentët të cilët diplomohen në programin e studimit Bachelor në “Dizajn” janë të përgatitur të punojnë në: studio dizajni grafik, redaksi të gazetave ditore ose javore, studio televizive në 3D efekte animacion, studio fotografike, studio projektimi si interier dizajner, shtypshkronja, shtëpi botuese, në shkolla 9 vjeçare (mësues i lëndës së artit figurativ), individualisht në sektor privat (art studio), web dizajn, në galeri arti etj. Programi i Studimit Bachelor në “Dizajn” është program i akredituar me vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr.78, Datë 04.10.2018.

 

Programi i studimit Master Profesional në “Interier Dizajn”

Programi i studimit Master Profesional në “Interier Dizajn” hapur me Urdhër të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë me Nr.669, Datë 12.10.2018. Ky program është i akredituar me vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr.55, Datë 05.07.2019, synon krijimin e specialistit “Interier Dizajner” nëpërmjet përgatitjes teoriko-praktike gjatë periudhës 1-vjeçare, duke mundësuar hyrjen e menjëhershme në tregun e punës si dizenjues i hapësirave të brendshme.

Në programin e studimit Master Profesional në “Interier Dizajn”, kombinohet teoria dhe praktika, kreativiteti dhe llogjika, arti dhe teknologjia duke zhvilluar tek studenti aftësitë krijuese dhe analizuese. Gjithashtu, studenti formohet me aftësi prezantuese të projektit në mënyrë që të shprehi sa më mire vetveten.

Nëpërmjet praktikës profesionale, detyrave të kursit dhe projekteve, studentët njihen me problematikat aktuale të interierit dhe fitojnë shkathtësi në teknikat e zgjidhjes së problematikave, të cilat do t’i ndihmojnë ata të konkurrojnë me sukses në tregun e punës.

Në përfundim të studimeve 1-vjeçare, figura e specialistit “Interier Dizajner” do të jetë në gjendje t’u jap zgjidhje funksionale dhe estetike ambienteve të brendshme, me funksione të ndryshme, nëpërmjet përdorimit të mobiljeve, ngjyrave, dritës dhe materialeve sipas nevojave të interierit duke përmirësuar mënyrën e jetesës.

Pas përfundimit të studimeve të ciklit të dytë Master Profesional në “Interier Dizajn”, të gjithë studentët e diplomuar hyjnë në botën profesionale si specialist “Interier Dizajner” të pavarur ose mund të punësohen pranë studiove të dizajnit, arkitekturës ose në sektorët kreativ të kompanive të ndryshme.