Përshëndetja e Rektorit

 

Fjala përshëndetëse e Rektorit

Mesazh për studentët e vitit akademik 2026–2027

Të dashur studentë,

Në nisje të vitit akademik 2026–2027, ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen në Albanian University.

Për më shumë se dy dekada, institucioni ynë ka qenë në pararojë të arsimit të lartë, duke krijuar një trashëgimi që përcaktohet jo thjesht nga vitet, por nga ndikimi i mbi 30 000 të diplomuarve tanë anembanë botës. Sot, në më shumë se 40 programe aktive studimi, kurrikulat tona përmirësohen vazhdimisht për të ndërthurur njohuritë e thelluara teorike me zbatimin dhe ndikimin në praktikë, duke ju përgatitur të ecni me sukses në një epokë zhvillimesh të vrullshme teknologjike dhe të inteligjencës artificiale.

Duke i hapur dyert botës

Ky vit shënon një arritje të rëndësishme në shtrirjen tonë ndërkombëtare. Jemi krenarë që mirëpresim studentë nga e gjithë bota në gjashtë programe kryesore të cilësisë së lartë, të ofruara në gjuhën angleze:

  • Stomatologji
  • Farmaci
  • Infermieri
  • Psikologji
  • Administrim Publik
  • Teknologji Informacioni (IT)

Ky është vetëm fillimi. Me hapjen e programeve të tjera në gjuhën angleze vitin e ardhshëm dhe në vitet në vijim, po ndërtojmë një universitet me një gamë të gjerë fushash studimi, me standarde botërore dhe mësimdhënie në gjuhën angleze, të rrënjosur në zemër të Evropës.

Ju, studentët tanë, jeni në qendër të misionit të institucionit tonë. Gjithçka që ndërtojmë, hulumtojmë dhe mësojmë i shërben zhvillimit tuaj. Pas këtij përkushtimi qëndron një trupë e shquar akademike, e angazhuar në kërkime shkencore novatore, bashkëpunime ndërkombëtare dhe veprimtari akademike me ndikim të rëndësishëm, që e mbajnë mjedisin tonë akademik dinamik dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Përtej auditorit: arsimi si domosdoshmëri qytetare

Megjithatë, ajo që ju ofrojmë shkon shumë përtej përgatitjes profesionale: është një përvojë transformuese.

Jetojmë në një çast vendimtar të historisë. Në mbarë botën, shtyllat themelore të shoqërive të hapura, përkatësisht demokracia, konstitucionalizmi liberal dhe shteti i së drejtës, po përballen me trysni të paprecedenta. Ju nxis t’i shqyrtoni në thellësi dhe me frymë kritike këto koncepte. Të kuptosh botën e sotme do të thotë të dallosh rritjen e rrezikshme të joliberalizmit dhe autoritarizmit, edhe brenda shoqërive që prej kohësh janë konsideruar shembuj të qëndrueshmërisë demokratike.

Historia na ka mësuar vazhdimisht rreziqet e konformizmit institucional: prirjen e gabuar drejt nënshtrimit dhe njësimit të detyruar, apo Gleichschaltung, ku zërat kundërshtues heshten dhe pushteti përqendrohet. Por ajo epokë i përket vetëm së shkuarës. Qëndrueshmëria e vërtetë e shoqërisë mbështetet në të kuptuarit se asnjë subjekt i vetëm nuk ka monopolin e urtësisë; përparimi kërkon mekanizma dinamikë të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, debat të gjallë dhe përballje ndërmjet institucioneve.

Prandaj, arsimimi juaj duhet të bëjë më shumë sesa t’ju përgatitë për tregun e punës. Ai duhet t’ju pajisë me guximin intelektual dhe qartësinë morale për të mbrojtur vlerat demokratike, për të kërkuar llogaridhënie në strukturat institucionale dhe për të udhëhequr me integritet në jetën publike. E ardhmja e Shqipërisë, së bashku me vendin e saj në një Evropë të bashkuar dhe në një botë globale, është në duart tuaja.

Një ftesë për dialog

Si Rektor, zhvillimi juaj akademik dhe personal është përparësia ime më e lartë; ai është matësi i vërtetë i suksesit tonë si universitet.

Si filozof, puna ime e një jete është e rrënjosur në studimin e lirisë, autonomisë dhe përgjegjësisë politike. Besoj thellësisht se gjykimi njerëzor, arsyetimi etik dhe mendimi kritik janë të pazëvendësueshëm. Dera ime është gjithmonë e hapur për ju. Ju ftoj të vini në zyrën time, të vini në diskutim idetë dhe të bashkëbisedojmë për këto çështje thelbësore sa herë që ta ndieni të nevojshme. Do të gjej gjithmonë kohë për ju.

Ne besojmë në misionin tonë, jemi plotësisht të përkushtuar ndaj zhvillimit të potencialit tuaj dhe ndihemi të nderuar që e përshkojmë këtë rrugëtim së bashku me ju.

Mirë se vini në Albanian University!

Uroj që ky vit t’ju sfidojë intelektualisht, t’ju frymëzojë thellësisht dhe t’ju transformojë!

Prof. Dr. Julian Fink BPhil DPhil (Oxon)

Rektor, Albanian University

 

“Arsimi i lartë nuk është thjesht përgatitje për një karrierë: ai është një zgjim që na formon. Ne nuk përgatisim vetëm profesionistë; ne formojmë mendimtarë të pavarur që do të mbrojnë demokracinë, do të zotërojnë aftësitë për të inovuar dhe do t’i japin formë së ardhmes globale.”