Përgjegjës Departamenti: Dr. Ismail TAFANI
Departamenti i Shkencave Juridike, është pjesë e Fakultetit të Shkencave Shoqërore pranë “Albanian University” dhe funksionon si njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore, duke përfshirë fusha kërkimi homogjene dhe duke grupuar disiplinat mësimore respektive. Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtarinë e mësimdhënies, dhe atë kërkimore-shkencore në programet e studimit që ofron.
Departamenti ndjek misionin dhe objektivat kryesorë të arsimit të lartë me qëllim: krijimin, transmetimin dhe mbrojtjen e dijeve me anë të mësimdhënies e kërkimit shkencor; formimin e specialistëve të lartë dhe përgatitjen e shkencëtarëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit të shoqërisë në rritjen e standardeve të demokracisë në shoqëri. Ai organizohet dhe funksionon në përputhje me legjislacionin për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, Statutin dhe rregulloret e institucionit.
Programi i studimit i Integruar Master i Shkencave në “Drejtësi”
Programi i studimit i Integruar Master i Shkencave në “Drejtësi”, mundëson një formim të plotë juridik për studentët që ndjekin këtë program studimi. Profesionistët e së drejtës, gjithnjë e më shumë gjenden përballë problematikave dhe çështjeve të cilat kërkojnë njohuri të thelluara mbi legjislacionin vendas të harmonizuar me legjislacionin e standardet e ngritura në nivel europian dhe ndërkombëtar. Arsye këto që vendosen në objektivat e programit të studimit me qëllim që të diplomuarit të përfitojnë njohuri të nevojshme mbi metodat e arsyetimit juridik dhe të doktrinës juridike, si edhe njohje të gjerë të institucioneve dhe instituteve juridike.
Në këtë kuadër, Programi i studimit i Integruar Master i Shkencave në “Drejtësi” ofruar nga Albanian University, synon një formim të plotë të studentëve në fushën ligjore, e cila paraqitet e domosdoshme për të vepruar me kompetencë në realitetin kompleks aktual juridik.
Ndjekja e programit të studimit në fushën e shkencave juridike dhe përftimi i diplomës së integruar Master i Shkencave në “Drejtësi”, të jep mundësi për t’u pranuar në provime të shtetit në ndonjë nga profesionet e rregulluara të kësaj fushe, gjithashtu të mundësojë vazhdimin e studimeve të doktoratës, në Shkollën e Magjistraturës apo studimeve specializuese pasuniversitare për përftimin e titullit respektiv. Në këtë frymë vlerësimi dhe bashkëpunimi propozohet ky program studimi i cili mundëson formimin teorik dhe praktik të studentit në një cikël të vetëm studimesh. Ky program ofron: përgatitje bazë dhe të avancuar për një formim të kompletuar të aftësive që iu korrespondojnë niveleve të kualifikuara të punësimit dhe të profesionalizmit; kërkim të pavarur nëpërmjet instrumenteve dhe teknikave të kërkimit. Programi ka një kohëzgjatje normale prej 5 vitesh akademike me një total prej 300 kredite (ECTS).
Programi i studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike” me profile
Programi i studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike” me profile është licencuar me VKM Nr.408, datë 26.05.2010 dhe riakredituar me Vendimin e Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 112, datë 02.11.2019.
. Ky program ka si qëllim thellimin e njohurive të fituara në ciklin e parë të studimit për të kompletuar formimin e marrë në këtë cikël studimi duke i dhënë mundësinë studentëve të profilizohen në një nga profilet e mëposhtme:
- E drejtë private;
- E drejtë publike dhe administrative;
- E drejtë penale;
- Marrëdhënie Ndërkombëtare;
- E drejtë Ndërkombëtare dhe BE.
Programi ka një kohëzgjatje prej 2 vitesh akademike me një total prej 120 kredite (ECTS). Veprimtaritë formuese, teorike dhe praktike të ofruara sigurojnë specializim të njohurive të studentit, krahasuar me ato të marra në programin e ciklit të parë të studimit. Ndjekja e programit të studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike” dhe përfitimi i diplomës në këtë fushë, u jep mundësi studentëve gjithashtu të vazhdojnë në ciklin e tretë të studimeve, doktoratë apo ndjekjen e shkollës së magjistraturës.
Master profesional në “Shkenca Penale”
Programi i studimit Master profesional në “Shkenca Penale” është licencuar me VKM Nr. 597, datë 28.05.2009, mbështetur me Urdhrin Nr. 308, datë 08.06.2010,dhe riakredituar me Vendimin e Bordit të Akreditimit të ASCAL nr. 25, date 12.04.2019. Kohëzgjatja e këtij programi studimi është 1 vit akademik dhe përbëhet nga 60 kredite (ECTS) gjithsej. Ky program studimi i ciklit të dytë përfshin fushën juridiko-penale dhe ka për qëllim formimin profesional të studentëve me njohuri specifike. Programi përgatit specialistë të aftë për të organizuar, planifikuar dhe drejtuar veprime proceduriale që duhet të kryhen nga subjektet e procedimit penal gjatë veprimtarisë hetimore, gjyqësore dhe në ekzekutimin e vendimeve, lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në luftën kundër krimit si dhe dhënien e drejtësisë në fushën e së drejtës penale. Studentët që do të mbarojnë programin e studimit Master profesional në “Shkenca Penale” do të kenë mundësi të punësohen apo të vijojnë karrierën e tyre profesionale në një sërë sektorësh apo organesh që lidhen me aplikimin e së drejtës penale.
Ky program është i përshtatshëm për ata që duan të punojnë në fushën e avokatisë, si juristë pranë institucioneve të pavaruara, studiove ligjore etj. Studentët mund të punësohen apo të përmirësojnë kurrikulumin e tyre në struktura të tilla si organizata joqeveritare, që merren me mbrojtjen e grave apo mbrojtjen e të miturve, si dhe ato që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo edhe të burgosurve në veçanti.
Master profesional në “E Drejtë Private”
Programi i studimit Master profesional në “E Drejtë Private” është liçencuar me VKM Nr. 597, datë 28.05.2009, mbështetur me Urdhrin Nr. 308, datë 08.06.2010, dhe riakredituar me Vendimin e Bordit të Akreditimit të ASCAL nr. 24, date 12.04.2019. Kohëzgjatja e këtij programi studimi është 1 vit akademik, dhe përbëhet nga 60 kredite (ECTS) gjithsej. Ky program studimi i ciklit të dytë ka si objektiv të formojë studentët me njohuri specifike në fushën e të drejtës private. Ky rezultat synohet të arrihet nëpërmjet studimit të instituteve specifikë dhe nëpërmjet zgjerimit të studimit në fusha të cilat karakterizohen nga specialiteti sektorial. Programi kombinon formimin akademik me përvojën praktike dhe realizohet në bashkëpunim me gjykata të niveleve të ndryshme të sistemit të drejtësisë dhe me studio ligjore prestigjoze, vendase dhe të huaja, pranë të cilave do të zhvillohen stazhi dhe praktika profesionale.
Studentët që do të përfundojnë këtë program studimi do të kenë mundësi të punësohen apo të vijojnë karrierën e tyre profesionale në një sërë sektorësh apo organesh që lidhen me aplikimin e të drejtës private. Ky program i ofron mundësi studentëve të cilët duan të punojnë në fushën e avokatisë, si juristë pranë bizneseve, në ndërmarrje, banka, shoqëri sigurimesh dhe konsulentë ligjorë pranë autoriteteve të pavarura etj.