Më datën 29 maj 2026, në sallën e Bibliotekës së “Albanian University”, në Tiranë u organizua Promovimi i librit “Aktivitete Shkencore” gjatë viteve 2021-2024 së bashku me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në kuadrin e projektit “RESILIENCE”, përgatitur nga Prof. Dr. Kaliopi Naska. Ku morën pjesë z/v rektori, prof. Dr. Pavllo Kongo, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, pedagogë dhe studentë. Çelja e aktivitetit u bë me materialin e përgatitur nga Prof. Asoc. Dr. Gilberta Hadaj. Ajo theksoi se “RESILIENCE” promovon bashkëpunimin ndërkombëtar, dialogun ndërfetar dhe shkëmbimin e eksperiencave akademike mes institucioneve partnere. Një partner shumë i rëndësishëm në këtë projekt ka qenë Kryegjyshata Botërore Bektashiane, e cila ka dhënë një kontribut të veçantë në promovimin e trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe historike të komunitetit bektashian në Shqipëri dhe më gjerë. Në fjalën e tij Përshëndetëse, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Dede Baba, Edmond Brahimaj u ndal në punën e bashkëpunimit me Universitetin gjatë viteve 2021-2024, bashkëpunim i cili qe i frytshëm dhe pasqyrohet më së miri në këtë libër interesant, gjithëpërfshirës me pedagogët, student, takime, biseda, konferenca etj…
U theksua që kjo praktikë, do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Me interes u ndoq nga të pranishmit dhe përmbledhja e librit nga Prof. Asoc. Dr. Hajri Mandri, lexuar Dhurata Lamçja, që mes të tjerave, vuri në dukje se: “…Përhapësit e bektashizmit nuk prodhonin dije për dekor akademik, por për të ndërtuar një vetëdije kombëtare, si ndikime kulturore qytetëruese që u përhapën nëpër territorin shqiptar e duke lënë gjurmë të qytetërimeve që kanë komunikuar me njëri-tjetrin, brenda dimensionit kombëtar. Pikërisht këtij përfundimi rreh të definojë ky projekt që ende mbetet në vazhdim…”.
Prof, Kaliopi Naska, e cila ka ndjekur hap pas hapi projektin me pasion e përkushtim, theksoi punën katër vjeçare në zbatim të projektit. Foli gjithashtu edhe prof. Valbona Loshi, Dekan i Shkencave Shoqërore, e cila vlerësoi librin si një hap të rëndësishëm bashkëpunues me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Kurse z/v rektor, prof. Dr. Pavllo Kongo, vlerësoi kontributin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj në këtë projekt evropian, personalitet që mbetet një mik i përhershëm i këtij Universiteti. Nga studentët u bënë pyetje të ndryshme rreth këtij libri. Gjithashtu, në këtë aktivitet, iu dhuruan libra dhe kopje të revistës ‘Urtësia’, bibliotekës së universitetit dhe personaliteteve të pranishëm në këtë aktivitet.





