Aktivitet kushtuar shkrimtarit Xhevahir Lleshi

Albanian University në kuadrin e mbështetjes së Panairit të Librit, si dhe në kuadër të kontributit për promovimin e veprave dhe autorëve me cilësi, zhvilloi aktivitetin kushtuar shkrimtarit të njohur Xhevahir Lleshi duke promovuar 4 nga veprat e shkrimtarit, përkatësisht romanet “Tala”, “Telelkat”, “Tërbimi” dhe “Brenga”. Këtë eveniment e nderuan me pjesëmarrje shkrimtari Xhevahir Lleshi, Rektori i Albanian University Prof. Dr. Pavllo Kongo, si dhe të ftuar akademikë, pedagogë dhe studentët e AU të degëve Mësuesi, Psikologji, etj.Në fjalën e saj hyrëse Prof. Dr. Kaliopi Naska theksoi se autori Xhevahir Lleshi prej vitesh i sjell lexuesit botime mjaft cilësore duke sfiduar vështirësitë e kohës dhe se gëzon atribute jo vetëm si autor i një sërë veprash letrare, por edhe si studiues, dramaturg, përkthyes, me kontribut në fusha të psikologjisë, estetikës, historisë, sociologjisë, etj.Në analizë të romanit “Tërbimi” Prof. As. Piro Lazi nënvizoi intervenimin psikologjik në roman dhe trajtimin psikologjik e social të realitetit të kohës, si një mjeshtëri e autorit i cili prek momente kyçe jetësore në një trajtim realist e optimist, si dhe në “referenca të pastra psikologjike”.Në një tjetër analizë të romanit “Telelkat” Dr. Hajri Mandri theksoi se romani ishte i shkruar në një stil modern të ligjërimit të sotëm letrar, një poetikë e brëndshme frymëzimi në një mision human të autorit, për ti folur shoqërisë në gjuhë letrare.Dr. Gilberta Hado duke analizuar romanin “Tala” vuri në dukje kompasin dramatik të shprehur në roman: shtet shqiptar dhe njëherazi Kosova, në preokupimin për fatin e kombit shqiptar duke mbajtur nën kujdes idenë e bashkimit të shqiptarëve.Së fundmi Dr. Arbjola Halimi e cila analizoi romanin “Brenga” theksoi se libri është një rrëfim për jetën sado të kamur materiale të dikujt, por të varfëruar shpirtërisht, të përvuajtshme, e përcjellë nëpërmjet një sërë monologesh të Brengës.Një pikë qëndrore e aktivitetit ishin dhe pyetjet e zhvilluara nga studentët Uarda Kavaja, Gisela Goleca, Okeda Abaz, Arsela Begaj dhe Kjara Mishi, të cilat u mirëpritën së tepërmi nga shkrimtari për zhdërvjelltësinë e tyre, duke ju dhënë prej tij dhe shpjegimet përkatëse.