Hapet viti i tretë i praktikës mësimore për studentët e Albanian University, në zbatim të projektit për digjitalizimin e inventarëve të fondeve të arkivave mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Albanian University

“Albanian University” nën kujdesin e Prof. Dr. Kaliopi Naska dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, organizuan hapjen e vitit të tretë, të vijushmërisë së projektit “Digjitalizimi i mjeteve të informimit të DPA”. Në ceremoninë hapëse në datën 15 mars morrën pjesë Drejtori i Drejtorisë së Arkivit Qendror Shtetëror  Z. Armando Boçe, i cili në fjalën përshëndetëse theksoi se vazhdimi i këtij projekti si një cikël praktik mësimor, do t’iu vijë në ndihmë studentëve të degëve të ndryshme, për të njohur sistemin e pasurimit dhe të shfrytëzimit të mjeteve të informimit pranë organit më të lartë të rrjetit arkivor. Në këtë ceremoni u bë edhe demostrimi i hedhjes digjitale të inventarëve të fondeve të arkivave nga Drejtori i Drejtorisë së Evidencës, Digjitalizimit dhe Restaurimit  Z. Armant Vogli në prezencë të studentëve të AU, të cilët do të realizojnë regjistrimin digjital të fondeve. Prof. Asoc. Dr. Bergin Gjonaj, Zv. Rektor për Kërkimin Shkencor  në  AU,  falenderoi  DPA-në për mbështetjen e dhënë në vazhdimësinë e këtij procesi të rëndësishëm mësimor praktik, që përbën dhe qëllimin e realizimit të këtij projekti duke cilësuar  se studentët e përfshirë në projekt janë të fushave të ndryshme të studimit dhe pasi të përfundojnë kursin ata do të pajisen dhe me certifikatë. Praktika do të zhvillohet në mjediset e “Albanian University” në Laboratorin e Informatikës, pranë Departamentit të Inxhinierisë, në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike nën mbikqyrjen e Znj. Manuela Doçaj, Përgjegjëse e Sektorit të Mjeteve të Informimit të DPA-së.   

Prof. Dr. Kaliopi Naska në fjalën e saj theksoi se vazhdimi i këtij projekti është mjaft i rëndësishëm si për Universitetin ashtu dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave,  sepse është digjitalizimi  i dokumentacionit, sipas ndarjes dhe klasifikimit përkatës ndër vite. Rezultatet e këtij bashkëpunimi vijnë dhe nga zbatimi me përkushtim i Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis dy institucioneve,  që shënoi edhe aftësimin e studentëve në këtë proces në përdorimin e programeve të posaçme, në praktikat mësimore dhe aftësimit të tyre edhe në kërkimin shkencor.