Universiteti Alma Mater Europea Campus College Rezonanca në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Mjekësore të “Albanian University” si edhe Odën e Mjekëve të Kosovës dhe Odën e Infermierëve të Kosovës, organizuan dhe zhvilluan me sukses Konferencën e dytë ndërkombëtare të praktikave të avancuara peri-operative.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm ishin të ftuar profesionistë të nderuar nga Kosova, Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia etj. Fakulteti i Shkencave Mjekësore (FSHM) të AU pas një pune pregatitore me disa nga pedagogët e tij bëri një paraqitje serioze me temat e përgatitura nga tre lektorë të përzgjedhur.
Profesionistët që u angazhuan në përgatitjen e temave dhe paraqitjen e tyre në Konferencë ishin: Dr. Shk. Med. Agim Koçiraj, Prof. Asoc. Dr. Edmont Laho, Dr. Lenica Lena, Msc. Erind Thartori, Msc. Klajdi Belishta, Msc. Studim Hysa.
Temat që u prezantuan nga lektorët e “Albanian University” ishin:
- Menaxhimi i hipertensionit në shtatzani (kujdesi perioperativ) në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldine”, Tiranë.
- Asistenca infermierore në periudhën pre-operative.
- Metodat e vendosjes dhe mirëmbajtjes së kateterit venoz periferik (CPV).
Gjatë konferencës, përveç referimeve serioze nga profesionistë me përvojë, sidomos të fushës së kirurgjisë, pati dhe diskutime të frytshme dhe shkëmbim të eksperiencave midis pedagogëve dhe profesionistëve të fushave të mjekësisë dhe infermieristikës.
Në bashkëbisedimet që u bënë me Rektorin Prof. Dr. Arianit Isufaj dhe Prorektorin Prof. Asoc. Dr. Blerim Krasniqi u vlerësua bashkëpunimi midis dy universiteteve tona dhe u mendua të zgjerohej më shumë në të ardhmen.