Përshëndetja e Rektorit

Të dashur studentë!

Të nderuar kolegë, pjesëtarë të stafit akademik të “Albanian University”!

Fillimi i vitit është një datë e rëndësishme dhe e veçantë për të gjithë universitetin, por më e veçantë është për studentët e viteve të para, të cilët nisin rrugëtimin për realizimin e ëndrrave dhe dëshirave për përzgjedhjen e degës, e specialitetit për të vazhduar karrierën e tyre profesionale.

Viti akademik 2021-2022 për ne ishte viti i parë pas pandemisë, i cili na lejoi ta zhvillojmë procesin pedagogjik në auditorë dhe laboratorë, e në këtë mënyrë t’ju rikthehemi kushteve normale.

Të dashur studentë të viteve të para! Në auditorët dhe laboratorët e “Albanian University” do të gjeni kushte optimale, stafe akademike të kualifikuara e me një përvojë të gjatë. Në këto mjedise, duke filluar nga viti 2004 kanë studiuar e janë diplomuar mbi 20.000 studentë të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, “Albanian University” ka vlerësuar që në fillimet e veta punën kërkimore-shkencore si një detyrim ligjor. Konferencat e organizuara janë një tregues i rëndësishëm. Pjesëmarrja në to e specialistëve të huaj ka ndikuar në implementimin e metodave bashkëkohore si në leksione, ashtu edhe në praktikat mësimore.

Të dashur studentë, më lejoni që në emër të “Senatit Akademik” t’ju uroj fillimin e vitit akademik me bindjen e plotë në përballimin e vështirësive që mund të ndeshim në këtë rrugëtim të gjatë.

Suksese!

 

Rektori

Profesor Doktor Pavllo Kongo