Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes

Përgjegjës Departamenti: Dr. Gilberta HADAJ

Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes bën pjesë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Për herë të parë është hapur në vitin 2010. Aktualisht, Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes ofron tre programe studimi të ciklit të parë Bachelor dhe një program të ciklit të dytë Master Profesional:

  • Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor”
  • Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Parashkollor”
  • Bachelor në “Anglisht”
  • Master profesional në “Pedagogji” me 2 profile:
  1. “Mësuesi në Arsim Fillor”
  2. “Menaxhim Arsimi” 

 

Programi i studimit Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor”

Programi i studimit Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor” është licencuar me Urdhër të MASH Nr. 251, datë 02.06.2011 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 81, datë 05.10.2019. Ky program, ofruar nga Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes, është program studimi i ciklit të parë, me kohëzgjatje normale 3 vite akademike, 180 kredite (ECTS) dhe forma e studimit është me kohë të plotë.

Ky program përgatit mësues për klasat e ciklit të ulët të arsimit bazë ose klasat I-V si dhe ka si objektiv kryesor pajisjen e studentëve me njohuritë dhe kompetencat bazë që shërbejnë, në punët e përditshme si mësues. Gjithashtu programi i studimit “Mësuesi në arsimin fillor”, i mundëson studentëve thellimin e njohurive të tyre, në studimet e nivelit të dytë në Master profesional në “Pedagogji” me profil “Mësuesi në Arsim Fillor”.

Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor” synon të formojë personel të aftë që të punojnë në tregun kombëtar të punës:

  • Në shkolla të arsimit publik apo privat si mësues të ciklit të ulët të arsimit bazë 9 – vjeçar;
  • Në drejtori arsimore rajonale ose zyra vendore arsimore si specialistë të arsimit fillor;
  • Në agjenci publike ose private si specialistë të arsimit fillor;
  • Në OJQ të specializuara për punë edukative si trajnues dhe këshillues për edukimin e fëmijëve të moshës 6-11 vjeç.

Programi i studimit Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Parashkollor”

Programi i studimit Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Parashkollor” është licencuar me Urdhër të MASH Nr. 251, datë 02.06.2011 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 80, datë 05.10.2019. Ky program, ofruar nga Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes, është program studimi i ciklit të parë, me kohëzgjatje normale 3 vite akademike, 180 kredite (ECTS) dhe forma e studimit është me kohë të plotë.

Ky program konsiston në përgatitjen e edukatorëve që do të punojnë me fëmijët e moshës 3-7 vjeç të cilët janë regjistruar në institucionet parashkollore publike dhe private, të tilla si qendra të kujdesit të fëmijëve, kopshte të fëmijëve, etj. Studentët që do të diplomohen në programin Bachelore në “Mësuesi për arsimin parashkollor” do të kenë këto mundësi në tregun e punës:

  • në institucionet publike dhe private të arsimit parashkollor (kopshte) si mësues ose edukatorë kopshti;
  • në institucionet publike dhe private të arsimit parashkollor (kopshte) si drejtues ose menaxherë;
  • në institucionet private të arsimit parashkollor (qendra të kujdesit për fëmijë) si mësues, edukatorë ose kujdestarë;
  • në drejtori arsimore rajonale/zyra vendore arsimore si dhe qendrat arsimore të bashkive si specialistë të edukimit parashkollor.

Programi i studimit Bachelor në “Anglisht”

Programi i studimit Bachelor në “Anglisht” është licencuar me Urdhër të MASH Nr. 199, datë 16.05.2012 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 39, datë 12.03.2021.

Ky program, ofruar nga Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes, është program studimi i ciklit të parë, me kohëzgjatje normale 3 vite akademike, 180 kredite (ECTS) dhe forma e studimit është me kohë të plotë. Programi synon të pajisë studentët me njohuri të thelluara për gjuhën dhe kulturën angleze dhe amerikane. Në përfundim të programit 3-vjeçar, për të fituar diplomën Bachelor, studentët do të kenë përvetësuar dije që synojnë formimin e njohurive teorike bazë dhe shprehive të përdorimit praktik të gjuhës angleze, duke pasur në vëmendje nevojat që ka tregu i punës për njohës profesionistë të kësaj gjuhe. Gjithashtu, ky program u ofron studentëve baza njohurish për një zhvillim të mëtejshëm në programe te specializuara, që orientohen në studimin e profileve të detajuara të gjuhës angleze, të nivelit master apo në kurse specifike trajnimi.

Në përfundim të studimeve të ciklit Bachelor të diplomuarit mund të punësohen;

  • Në institucionet qeveritare apo joqeveritare ku kërkohen zotërues të përgatitur të gjuhës angleze në rolin e përkthyesit apo si asistentë në projektet që punojnë kryesisht me gjuhën angleze;
  • Në administratën arsimore rajonale;
  • Në agjenci të ndryshme shërbimesh;
  • Në qendrat e mësimit të gjuhës së huaj;
  • Në institucionet mediatike;
  • Në organizatat ndërkombëtare.

Programi i studimit Master Profesional në “Pedagogji”

Programi i studimit Master profesional në “Pedagogji” ofrohet në dy profile: 1. “Mësuesi në Arsim Fillor” dhe 2. “Menaxhim Arsimi”.

Ky program është licencuar me VKM Nr. 89, datë 10.02.2010 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit nr. 56, dt. 05.07.2019. Ky program ka një kohëzgjatje normale një vit akademik, të cilat i korespondojnë 60 kredite.

Studentët e profilit “Mësuesi në Arsim Fillor” do të kuptojnë në teori dhe praktikë se ç’do të thotë “mësimdhënie” e suksesshme, do të kuptojnë rëndësinë e menaxhimit efektiv të klasës për të arritur një “mësimnxënie të suksesshme” si edhe do të njihen me komponentët, teknikat dhe strategjitë mësimore. Është shumë e rëndësishme që studentët të përditësohen me kompetencat që duhet të fitojë nxënësi gjatë orës së mësimit si dhe teknikat bashkëkohore që duhet të ketë mësuesi për të përcjellë këto kompetenca në arsimin parauniversitar.

Studentët e profilit “Menaxhim Arsimi” do të formohen me konceptet, idetë dhe parimet teorike të menaxhimit të arsimit. Gjithashtu ata kanë mundësinë të pajisen me njohuri të mjaftueshme për legjislacionin, strategjitë dhe politikat arsimore dhe ato të drejtimit të shkollës dhe arsimit. Ky program studimi formëson te studentët aftësi dhe  shprehi për veprimtari drejtuese dhe menaxhuese të shkollës dhe arsimit.