Albanian University merr pjesë në konferencën “Fan Noli, personalitet i gjithanshëm” në nderim të 140-vjetorit të lindjes së Fan. S. Nolit

Albanian University merr pjesë në konferencën “Fan Noli, personalitet i gjithanshëm” në nderim të 140-vjetorit të lindjes së Fan. S.  Nolit,  të organizuar më 17 qershor 2022  nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë  në bashkëpunim me Universitetin “Fan Noli” të Korçës, me kontributin shkencor hulumtues të dekanes së FSHSH në AU, Prof. Dr. Kaliopi Naska. Fjala e hapjes u mbajt nga Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe përshëndetën Prof. Dr. Dhimitri Bello, Rektor i Universitetit të Korçës dhe  Episkopi i Bylisit Hirësi Asti në emër të KOASH. Paneli i parë konferencës u drejtua nga akad. Shaban Sinani dhe Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, të cilit i dhanë  fjalën për  referim midis studiuesve dhe Prof. Dr. Kaliopi Naska nga Albanian University, e cila  trajtoi  “Veprimtarinë e Fan Nolit si politikan dhe deputet në Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kushtetues në shërbim të shtetit shqiptar, në vitet 1921-1924”. Ajo vlerësoi Fan Nolin si njërin nga figurat më të pastra politike që iu përkushtua kryerjes së detyrës së deputetit dhe politikanit në parlamentin shqiptar, duke u mbështetur në parime të shëndosha kombëtare, morale e politike, për ndërtimin e një shteti modern demokratik perëndimor. Me diskutimet e tij në Këshillin Kombëtar Noli u shqua në opozitën e fuqishme që u krijua, si një nga udhëheqësit e saj, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në përhapjen e ideve demokratike, të cilat dhe sot ruajnë një aktualitet të veçantë. Paneli i dytë i konferencës u drejtua nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi dhe Prof. Dr. Kaliopi Naska. Konferenca u  shoqërua  dhe me ekspozitën bukinistike me veprat e Fan S. Nolit, organizuar me kontributin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. 

www.akad.gov.al 

 https://www.facebook.com/akademiaeshkencave/videos/739752414108869/