Promovimi i Librit “Nga Lufta në Paqe, Shqipëria dhe SHBA, 1939-1946” i Prof.Dr.Hamit Kaba u zhvillua në vazhdën e një seri aktivitetesh në kuadër të 🤝 bashkëpunimit të nënshkruar midis “Albanian University” dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA).
Në mjediset e Bibliotekës Universitare përpara një auditori me studentë dhe pedagogë të “Albanian University”, rektorja e universitetit, Prof.Dr. Kaliopi Naska shprehu vlerësimin për kontributin e vyer të kolegut të saj, profesor Kabës, i cili do t’i shërbejë pasurimit të njohurive dhe formimit të mëtejshëm të studentëve.
Akad.Prof.Dr. Marenglen Verli, i pranishëm në këtë takim në cilësinë e rektorit të ASA evidentoi numrin e lartë të botimeve shkencore, 59 📚të tilla vetëm gjatë vitit të kaluar, nën siglën e ASA-s. “Falë punës së studiuesve si Prof.Kaba” – tha Akad.Prof.Dr. Verli rritet cilësisht edhe puna e ASA-s, e cila shumë shpejt do të plotësojë kolanën e botimeve “Roli i Shqiptarëve në Shek.XX, që do të jetë edhe pjesë e bibliotekës së Albanian University”
Në vlerësim të studimit të Prof.Dr.Kabës u shprehën edhe dy recensuesit e veprës, Prof.Dr. Petrit Nathanaili dhe Prof.Asoc.Dr. Sonila Boçi, të cilët e cilësuan veprën si një kontribut të vyer studimor, jo vetëm në përforcimin e tezave ekzistuese me fakte të reja, por edhe në drejtim të çeljes së diskutimit për tezat e reja sikurse rrëzimi i tezës se SHBA dhe Britania e Madhe kanë pasur të njëjtën qëndrim ndaj Shqipërisë.
Në cilësinë e përfaqësuesit të Departamentit të Edukimit në AU, pedagogu Dr.Ndriçim Mehmeti vlerësoi kontributin që vepra sjell për studentët, të cilët mund të njihen me agresorët e vlerave të demokracisë në të kalurën historike të vendit.
Autori i veprës, Prof.Dr.Hamit Kaba theksoi se misioni i çdo historian duhet të jetë pasqyrimi objektiv i ngjarjeve historike brenda kornizës së kohës, të cilat mund të ndihmojnë në leximin e drejtë të së shkuarës dhe në ndërtimin më të mirë të së ardhmes. Prezantimi i këtij botimi shkencor dhe tezat e parashtruara nga pjesëmarrësit në panel ngjallën diskutim dhe pyetje edhe nga studentët dhe përfaqësues të stafit të “Albanian University” të pranishëm në promovim.