Studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike në “Albanian University” u bënë më datë 09.11.2022, pjesë e leksionit të hapur për “Aftësimin në media dhe në Informacion” të zhvilluar posaçërisht nga Biblioteka Kombëtare Shqiptare me qëllim për t’i njohur ata me mjetet të cilat lehtësojnë dhe ndihmojnë qasjen në informacionin që disponon BKSH dhe shërbimet online që ofrohen përmes faqes zyrtare të bibliotekës kombëtare www.bksh.al.
Prof. Dr. Kaliopi Naska falenderoi Bibliotekën Kombëtare për gatishmërinë e treguar në bashkëpunimin me “Albanian University” me qëllim rritjen e aftësisë së kërkimit shkencor nga ana e studentëve, si një element kyç dhe i domosdoshëm për cilësinë e punimeve studimore, si dhe për mbështetjen e dhënë në sistemimin shkencor të Bibliotekës së universitetit. Studentët dhe pedagogë shfaqën interes me pyetjet për të mësuar më shumë mbi mënyrën sesi mund të shfrytëzojnë teknologjitë e reja si burime referuese.
Studentët, të interesuar për shërbimet online që ofron BKSH përmes faqes së saj zyrtare, u njohën me mjetet të cilat lehtësojnë dhe ndihmojnë qasjen në informacion, si: Katalogët online, Katalogët e digjituar, Biblioteka digjitale, e-Bibliografi, Fletëkerkesa elektronike etj. Me mjaft interes ishte dhe njohja dhe prezantimet konkrete në ambjentet e bibliotekës.