Rregullore e Senatit Akademik

       

 RREGULLORE “MBI ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SENATIT AKADEMIK”

 

 Neni 1  

Senati Akademik është organ kolegjial vendimmarrës në nivel Universiteti. Veprimtaria e Senatit të Albanian University (këtu e në vazhdim AU) mbështetet në ligjin nr. 9741 date 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, neni 14 i tij, si dhe në Statutin e AU, neni 8 i tij.  

Neni 2  

Senati Akademik është organi më i lartë i AU i cili përcakton politikat e zhvillimit të institucionit, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati akademik zbaton në veprimtarinë e tij parimet e autonomisë dhe lirisë akademike, si dhe respektimit të të drejtave të studentëve.  

Neni 3  

Funksionet kryesore të Senatit akademik në zbatim të nenit 8, pika 4 të Statutit të AU janë:

  • garanton respektimin e parimeve të autonomisë dhe të mundësive të barabarta të lirisë akademike e të kërkimit, si dhe të drejtat e studentëve;
  • miraton drejtimet e zhvillimit akademik të universitetit që propozohen nga të gjithë shkallët e hierarkisë akademike;
  • miraton planet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të institucionit dhe programin vjetor të veprimtarive të tij;
  • miraton projektstatutin dhe projekt rregulloret e universitetit me 2/3 e votave të anëtarëve të tij;
  • miraton programet e reja të studimit, të kërkimit, të zhvillimit apo pjesë të tyre si dhe hapjen, ndryshimin ose mbylljen e njësive mësimore ose kërkimore të propozuara nga Instancat përkatëse;
  • miraton krijimin e qendrave apo kurseve te posaçme, si dhe projekte të tjera shërbimi që ofrohen nga fakultetet, bazuar në propozimin e këshillit të fakultetit përkatës;
  • vlerëson, garanton dhe mban përgjegjësi për sigurimin e brendshëm të cilësisë së universitetit, në përputhje me standartet shtetërore përmes zyrës së sigurimit të cilësisë së institucionit;
  • vlerëson veprimtarinë mësimore-kërkimore të personelit akademik;
  • harton dhe miraton listën e kritereve për emërimin e të gjitha niveleve të personelit akademik;
  • ratifikon marrëveshjet e nënshkruara nga Rektori në emër të universitetit për anëtarësimin në organizata kombëtare e ndërkombëtare të arsimit të lartë, për bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë, publike dhe private, vendase dhe të huaja si dhe për marrëveshje bashkëpunimi me organizma joqeveritare;
  • për probleme që i konsideron të rëndësishme mund të krijojë komisione të përhershme ose të përkohshme, me anëtarë të Senatit akademik dhe të ftuar;
  • kur e çmon të nevojshme, përcakton kritere të veçanta në përzgjedhjen e kandidatëve për t’u pranuar student në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve sipas propozimeve të këshillave të fakulteteve;
  • shfuqizon aktet e këshillave të fakulteteve, kur bien ndesh me statutin dhe rregulloret përkatëse;
  • siguron që kryerja dhe vlerësimi i të gjitha provimeve të bëhet në përputhje me standartet e Institucionit, që garantojnë cilësinë dhe transparencën e duhur;
  • miraton raportin vjetor të veprimtarisë mësimore-kërkimore, si dhe atë financiar, në një mbledhje të hapur për gjithë personelin akademik e administrativ dhe për studentët.
  • shqyrton projektbuxhetin e propozuar nga Rektorati dhe ja kalon për miratim Bordit administrativ.

  Neni 4  

Senati akademik kryesohet nga Rektori dhe përbëhet nga Zëvendësrektorët, Dekanët, Përgjegjësit e njësive bazë, staf tjetër akademik me grada dhe tituj akademikë si dhe një përfaqësues i trupës studentore.  

Neni 5  

Senati i AU funksionon dhe ka fuqi ligjore vendim‐marrëse brenda hapësirës kohore për të cilën anëtarët e tij zgjidhen me një kohëzgjatje 4- vjeçare me të drejtë rinovimi.  

Neni 6  

Senati akademik mblidhet periodikisht dhe vendos me shumicë të thjeshtë ose të cilësuar të të gjithë anëtarëve të tij. Me vendim të Rektorit ose të ¼ -tës së të gjithë anëtarëve të Senatit, në mbledhje mund të thirren edhe të ftuar që kanë lidhje me çështjet që merren në shqyrtim.  

Neni 7  

Mbledhja e Senatit akademik thirret me vendim të Rektorit. Rektori në koordinim me Zv.Rektorët dhe Dekanët e Fakulteteve formulon dhe vendos mbi rendin e ditës dhe çështjet kryesore që do të diskutohen. Anëtarët e Senatit akademik dhe të ftuarit e tjerë kanë të drejtë të njihen me përmbajtjen e rendit të ditës para zhvillimit të mbledhjes.

Neni 8  

Vendimi i Rektorit për thirrjen e mbledhjes se Senatit akademik dhe rendi i ditës publikohen në mjediset e Universitetit. Në raste të veçanta vendimi publikohet dhe në faqen zyrtare të Internetit për të gjithë të interesuarit e tjerë.  

Neni 9  

Mbledhja e Senatit akademik hapet nga Rektori duke prezantuar rendin e ditës dhe çështjet që do të diskutohen ose votohen. Mbledhja më pas kalon në procedurat e verifikimit të prezencës së anëtarëve dhe të të ftuarve, si dhe të legjitimimit të tyre rast pas rasti. Mbledhja e Senatit vijon me prezantimin e çështjeve nga përfaqësuesit e strukturave propozuese akademike, me zhvillimin e diskutimeve, dhënien e mendimeve nga anëtarët e tjerë, dhe më pas në hedhjen për votim të propozimeve.  

Neni 10  

Mbledhja e Senatit akademik dokumentohet në një proçes-verbal të detyrueshëm, i cili mbahet nga personeli administrativ i Rektoratit.  

Neni 11  

Rektori ka detyrimin që brenda 3 ditësh nga zhvillimi i mbledhjes, të formalizojë në një dokument zyrtar vendimin e Senatit duke e firmosur atë dhe duke e shoqëruar dërgimin e tij në strukturat vartëse akademike dhe administrative me urdhra konkrete për zbatim.  

Neni 12  

Rektori ka të drejtë t’ia delegojë kompetencën e drejtimit të mbledhjes së Senatit akademik njërit nga Zv.Rektorëve (kur ka të tillë), vetëm në kushtet kur prania e tij është e pamundur për shkaqe pune ose shëndetësore, si dhe kur mbledhja e Senatit akademik ka karakter urgjent.  

Neni 13  

Vendimet e miratuara nga Senati akademik janë të detyrueshme për zbatim nga çdo instancë tjetër akademike dhe administrative brenda afateve dhe procedurave të përcaktuara. Çdo shmangie, vonesë, neglizhencë apo keqadministrim i vendimeve të Senatit analizohet rast pas rasti në mbledhjet e tij, duke vendosur edhe për marrjen e masave konkrete për rivendosjen e rregullit dhe disiplinës në Universitet.

Neni 14  

Senati Akademik mblidhet në sesione të rregullta 3 (tre) herë në një tremestër. Mbledhjet e Senatit akademik zhvillohen në selinë qendrore të Universitetit.  

Neni 15  

Senati akademik në zbatim të Statutit merr në shqyrtim çdo propozim të paraqitur nga nivelet më të ulëta të strukturave akademike, lidhur me programet mësimore dhe kërkimin shkencor, hapjen, ndryshimin ose mbylljen e tyre. Senati garanton cilësinë e brendshme të Universitetit përmes vlerësimit të aktivitetit mësimor-kërkimor të personelit akademik dhe sigurimit të kushteve për përmirësimin e tyre.  

Neni 16  

Senati ka të drejtë të caktojë kritere të veçanta për pranimin e studenteve në programet e studimit, për rekrutimin e stafit akademik, si dhe për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Etikës. Të gjitha çështjet e mësipërme Senati i kalon për votim me shumicë të thjeshtë në prani të të gjithë anëtarëve të tij.  

Neni 17  

Senati akademik miraton me shumicë të cilësuar me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të pranishëm projekt-statutin dhe projekt-rregulloret e universitetit. Senati ratifikon marrëveshjet e nënshkruara nga Rektori në emër të Universitetit për anëtarësimin në organizata kombëtare e ndërkombëtare të arsimit të lartë, për bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë, publike dhe private, vendase dhe të huaja, dhe me organizma joqeveritare. Senati gjithashtu merr vendime mbi ndryshimet apo shfuqizimet e akteve të këshillave të fakulteteve, të cilat bien ndesh me statutin dhe rregulloret përkatëse.  

Neni 18  

  • Mandati i anëtarit të senatit akademik në universitet është 4 vjeçar dhe është i rinovueshëm.
  • Mandati i anëtarit të senatit akademik mbaron kur:
  • përfundon afati;
  • jep dorëheqjen;
  • vdes, pamundësohet nga ana fizike apo mendore të ushtrojë funksionin;
  • në rast shkelje të rëndë të ligjit për arsimin e lartë në R.SH, të statutit dhe të rregulloreve të Institucionit;
  • dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale
  • nuk përmbush, në mënyrë të pajustifikuar, detyrimet kontraktore për së paku një periudhë tre mujore.

  Neni 19  

Kjo Rregullore hyn në fuqi pas miratimit në Senatin Akademik dhe firmosjes nga Kryetari i tij.