
Albanian University, Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike vijojnë bashkëpunimin e suksesshëm me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) mbi projektin “Digjitalizimi i inventarëve të Fondeve të Arkivave Shtetërore Vendore” ne vitin e tij të katërt.
Në takimin e përbashkët ku morën pjesë përfaqësuesit nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, z. Armando Boçe dhe z. Armant Vogli dhe nga Albanian University Dekanet Prof. Asoc. Valbona Loshi dhe Prof. Asoc. Valbona Ribaj, si dhe Dr. Delina Xhafaj nga Zyra e Koordinimit të Kërkimit Shkencor dhe Botimeve Akademike, u diskutua për fillimin e organizimit të projektit dhe zbatimin e tij në vijim.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është të aftësojë studentët tanë në përdorimin e programeve të posaçme nga DPA, duke u përfshirë në praktika mësimore dhe kërkimore. Ky projekt i nisur dhe ideuar nga Prof.Dr. Kaliopi Naska dhe Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, u jep mundësinë studentëve të njohin më nga afër sistemin e pasurimit dhe shfrytëzimit të mjeteve të informimit në nivelin më të lartë të rrjetit arkivor.
Në vitin e katërt fokusi do të jetë në zhvillimin e aftësive praktike dhe shkencore të studentëve, duke i përgatitur ata për të ardhmen në fushën e arkivimit dhe teknologjisë së informacionit.
Bashkëpunimi me DPA është një hap i madh përpara drejt një të ardhme të digjitalizuar dhe të integruar në sistemet bashkëkohore të menaxhimit të informacionit.
#AlbanianUniversity # DrejtoriaePërgjithshmeeArkivave
#Digitalization #Research



