Leksion i Hapur me temë: “E Ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian – Shanset dhe realiteti”

Më datën 23 Maj 2022 u zhvillua në Albanian University leksioni i hapur me ekspertin e ekonomisë, njëkohësisht jurist dhe këshilltar për transport, infrastruktur dhe telefoni të Këshillit Ekonomik të CDU-së në Gjermani, Martin Henze. Tema e dialogut ishte “E ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian – shanset dhe realiteti”.  Veprimtarinë shkencore e prezantoi Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi. Ndërkohë i pranishëm ishte Rektori i Albania University, Prof. Dr. Pavllo Kongo.

Dialogu i zotit Henze me pedagogë dhe studentë të Albanian University u zhvillua përmes shkëmbimit të ideve dhe njohjes së praktikave të zgjerimit të Bashkimit Europian. Lektori vuri në dukje dy momente të rëndësishme: – Nga njëra anë domozdoshmërinë e zbatimit të kritereve të Kopenhagenit si dhe kushteve specifike për Shqipërinë dhe nga ana tjetër, nevojën e Bashkimit Europian për përfshirjen e rajonit të Ballkanit Perendimor në këtë union.

Pyetjet dhe diskutimet zbuluan faktin se Shqipëria, ashtu si Kroacia, Rumania, Bullgaria dhe vendet Balltike do të mund të ishte pranuar në BE ose do të mund të ishte në prag të pranimit. Por përparimi në reforma ka qenë i ngadaltë. Nëse Brukseli ka toleruar vendet e sipërpërmendura, kjo ka ndodhur për shkak të besimit se qeveritë e këtyre vendeve do të çonin deri në fund reformat e nisura. Ndërkohë kjo besueshmëri për Shqipërinë dhe disa vende të Ballkanit Perendimor nuk është si në rastet e tjera.

Mesazhi që u transmetua nga ky leksion shkencor lidhet me faktin se Shqipërisë përveç reformave i duhet një konsensus i plotë politik në çeshtjet e integrimit. Përçarja politike dhe korrupsioni shihen si dy pengesat e pakapërcyeshme për momentin. Megjithatë tërheqja e Bullgarisë nga vetoja për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut e vë Shqipërinë në kushte të favorshme që edhe ajo të mund të fillojë këtë proces bisedimesh.

Në përfundim Prof. Dr. Kaliopi Naska- Dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore- vlerësoi ecurinë e këtij aktiviteti shkencor prezantues dhe falenderoi referuesin, të mirënjohurin, Martin Henze, për trajtesën profesionale dhe mesazhet që ai dha në këtë drejtim. Rektori Kongo dhe Dekane Naska diskutuan me të ftuarin e nderit, zotin Henze, edhe për mundësitë e një bashkëpunimi shkencor dhe shkëmbimit të përvojave midis Albanian University dhe Universitetit Ushtarak të Hamburgut në Gjermani, gjë për të cilin zoti Henze u angazhua për realizimin e objektivave konkrete të këtij bashkëpunimi.