Më datën 09.06.2022, në godinën qendrore të AU, Fakulteti i Shkencave Shoqërore (Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes), hapi Ekspozitën studentore të Artit Figurativ me temë “Loja vizuale dhe fantazia me natyrën”. Ky aktivitet u zhvillua me pjesëmarrjen e studentëve të programeve të studimit Bachelor në ‘’Mësuesi për Arsimin Fillor’’ dhe “Mësuesi për Arsimin Parahkollor” nën drejtimin e pedagoges Dr. Eli Xoxa dhe në bashkëpunim me shkollën jopublike “Vatra e Dijes”. Fëmijët e grupit parashkollor nën drejtimin e dy edukatoreve ishin vizitorët e ekspozitës.
Ata patën kënaqësinë të shihnin të ekspozuara punime në letër e struktura 45 vepra, funksionale dhe dekorative; dhe rreth 85 vepra në teknika të ndryshme si vizatim, akuarel, grafik, kolazh, lapustil. Punime të realizuara me shumë ndjeshmëri dhe profesionalizëm. Edukimi nëpërmjet Artit Pamor siguron zhvillimin e krijimtarisë dhe përvojave personale nëpërmjet zbulimit, kërkimit, eksperimentimit, trillimit, vizatimit dhe përdorimit të një sërë mjeteve dhe teknikave. Kjo lëndë promovon vëzhgimin dhe ndihmon studentët të fitojnë ndjeshmëri për botën vizuale, hapsinore të ndjeshme edhe në eksperiencat estetike.