Edicioni i 16-të i Konferencës Studentore të Stomatologjisë kushtuar “Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit në Stomatologji dhe Shëndetin Oral”

Edicioni i 16-të i Konferencës Studentore të Stomatologjisë kushtuar “Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit në Stomatologji dhe Shëndetin Oral” nisi me prezantimin e studentëve me fjalën e fundit të teknologjisë në lëmin e protetikës. Key Opinion Leader, Dr.Enis Ahmedi, i specializuar për protetikë në Universitetin e Gracit, në Austri i njohu studentët me marrjen e masës me metodën digjitale me PrimeScan të kompanisë DENTSPLAY SIRONA.

Në çelje të prezantimeve të punimeve studentore, sikurse e do tradita 18 vjeçare e “Albanian University”, ishte rektori Prof.Dr. Pavli Kongo që iu drejtua studentëve me një fjalë përshëndetëse. Ai theksoi se qëllim i organizimeve të tilla ka qenë kurdohere dhënia e mundësisë studentëve të qëndrojnë të përditësuar me risitë teknologjike, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientit.

E kënaqur për pjesëmarrjen e gjerë studentore në këtë konferëncë, Dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në AU, As.Prof.Dr. Erda Qorri falenderoi të gjithë të pranishmit, në veçanti stafin e pedagogëve që kanë asistuar studentët në përgatitjen e 12 punimeve shkencore të fokusuara tek inovacioni në lëmin e dentistrisë.

Drejtuesja e Departamentit të Stomatologjisë, Dr.Nilena Eriksen vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin e studentëve në këtë konferëncë, teksa shprehu bindjen se një pjesë e mirë e tyre do të vijojnë të thellojnë kërkimin shkencor edhe në konferenca të tjera të ngjashme në të ardhmen, që nuk do të mungojnë.