“Albanian University” nis fushatën promovuese të Universitetit për vitin akademik 2022-2023

Për tri ditë me rradhë, në datat 23 dhe 24 dhe 25 shkurt, “Albanian University” nisi “Ditët e Informimit Online”, në kuadër të fushatës promovuese që do të zhvillojë me maturantët në të gjithë vendin.

Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë kandidatët për studentë për t’u njohur me programet e studimet në “Albanian University” me ekipet drejtuese të universitetit si dhe për të drejtuar pyetje mbi jetën studentore të “Albanian University”.

Zv/rektorja e Albanian University, As.Prof.Dr. Aida Dama paraqiti misionin, vlerat dhe objektivat që udhëheqin në punën e përditshme stafin e “Albanian University”, universitetin më të madh jopublik në vend.

Në emër të Fakultetit të Shkencave Mjekësore, drejtuesja e Departamentit të Farmacisë, Dr. Kleva Shpati prezantoi programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore, praktikat në klinikat e “Albanian University” që u ofrohen të gjithë studentëve që zgjedhin “Albanian University”.

Dekania e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike, As.Prof.Dr. Manuela Meçe theksoi avantazhet e të studiuarit në lëmin e shkencave inxhinierike, ekonomike dhe dizajnit për të gjithë ata të rinj dhe të reja që do i besojnë përgatitjen e tyre profesionale universitetit tonë.

Për Fakultetin e Shkencave Shoqërore, drejtuesja e Departamentit të Edukimit dhe Anglishtes, Dr.Gilberta Hadaj informoi kandidatët për studentë mbi mundësitë e punësimit për të gjithë të diplomuarit e “Albanian University”, të cilat sipas të dhënave statistikore që universiteti disponon, fillojnë që në vitin e parë të diplomimit.