Albanian University ofron këto programe studimi të ciklit të tretë “Doktoratë” të akredituara:
- E Drejtë Europiane dhe e Kontratave;
- Shkenca Administrative;
- Shkenca Farmaceutike;
- Psikologji Klinike.
Këto programe studimi synojnë të përgatisin studiues të aftë dhe ekspertë të mirëfilltë të cilët do të munden të zhvillojnë kërkime, studime dhe analiza të thelluara shkencore në mënyrë të pavarur të çështjeve dhe problematikave në fushat përkatëse. Këto programe studimi kanë objektiv aftësimin me teknologjitë dhe metodologjitë e punës kërkimore, pjesëmarrjen e studentëve në aktivitete shkencore, përqasjen ndërdisiplinore në fushat e studimit, aftësimin në drejtimin e projekteve, profilizimin në drejtime të veçanta studimesh të krahasuara ose monografike, dhënie konsulence, aftësimin për të administruar shoqëri tregtare apo njohjen në mënyrë të specializuar të tregut.
Në zbatim të Ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” si dhe të akteve nënligjore në fuqi, Albanian University ka aplikuar pranë MASR për riorganizimin e programeve të studimit të ciklit të tretë, si dhe për hapjen e disa programeve të tjera.
Doktoratë në “E Drejtë Europiane dhe e Kontratave”
Ky program studimi ofrohet nga Albanian University pranë Departamentit të Shkencave Juridike. Qëllimi i programit të studimit të Doktoratës në “E Drejtë Europiane dhe e Kontrateve” qëndron në studimin dhe ngritjen e së drejtës europiane në një nivel tjetër kërkimor shkencor, në atë të normativës europiane duke trajtuar të gjitha aspektet e këtij rendi juridik e pa dyshim atë të kontratave. Disa nga kompetencat që zhvillon ky program janë aftësia për komunikimin e duhur me nivel shkencor, përdorimi i argumenteve bindëse dhe artikulimi i qartë i ideve si dhe zotësinë për të debatuar dhe mbështetur të tjerët, të përfshirë, në mësimdhënie, mbikëqyrje ose demonstrime të ndryshme. Ky program studimi është akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 11, datë 24.01.2020.
Doktoratë në “Shkenca Administrative”
Programi i studimit “Doktoratë” në “Shkenca Administrative” organizohet pranë Departamenti të Shkencave Politiko-Administrative. Ky program studimi pajis pjesëmarrësit me njohuri të thelluara në fushën e studimeve të shkencës administrative, në përbërësit politikë, ekonomikë dhe socialë-kulturorë të shkencës administrative, u ofron njohuri mbi metodat matëse sasiore të zhvilluara mbi përmirësimin e administratës publike, i njeh me modelet dhe vizionet bashkëkohore mbi pozicionimin e administratës publike në kontekstin e globalizimit dhe integrimit europian. Ky program studimi është akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 10, datë 24.01.2020.
Doktoratë në “Shkenca Farmaceutike”
Studimet Doktoratë në “Shkenca Farmaceutike” organizohet pranë Departamentit të Farmacisë në Albanian University. Këto studime synojnë të përgatisin specialistë të spikatur në fushat përkatëse farmaceutike duke ndikuar në ecurinë e shërbimit farmaceutik shqiptar dhe që të zhvillojnë kërkim dhe analiza të thelluara shkencore të problematikave shëndetësore me qëllim ofrimin e kontributit për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe përmirësimit të programeve të arsimit të lartë. Ky program studimi është akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 46, datë 13.07.2020.
Doktoratë në “Psikologji Klinike”
Programi i studimit të Doktoratës në “Psikologji Klinike” organizohet pranë Departamentit të Psikologjisë së Përgjithshme në Albanian University. Pajis pjesëmarrësit me njohuri të thella nga teoritë e sotme globale mbi psikologjinë e aplikuar, pjesë e së cilës është edhe psikologjia klinike. I ofron njohuri mbi metodat matëse sasiore dhe cilësore të zhvilluara në bazë studimesh krahasuese me vende të tjera të zhvilluara që kanë një përvojë shumëvjeçare në fushën e kërkimit shkencor. I aftëson në integrimin e njohurive të thelluara të marra gjatë programit të masterit në psikologji klinike apo disiplina të ngjashme në mënyrë që të krijojë kërkues të mirëfilltë. Ky program studimi është akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 12, datë 24.01.2020.