Me propozim të rektoratit u vendos me votim unanim të Senatit të “Albanian University”. akordimi titullit “Doctor Honoris Causa” për sipërmarrësin, humanistin, intelektualin, personalitetin austriak z. Karl Fink, i cili ka pasur një dimension të mahnitshëm shoqëror e humanitar gjatë gjithë karrierës së tij me fokus mbështetjen e kauzave të ndjeshme sociale.
Gjatë periudhës që ai drejtoi “Viena Insurance Group”, me inisiativën e tij janë ndërmarrë nisma e mbështetje sociale në ndihmë të target grupeve të personave në nevojë në Austri e në Ballkan.
Z. Fink ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë, duke ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme organizatat bamirëse në vendin tonë që punojnë për mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve, për një rritje të shëndetshme të fëmijëve të sëmurë, të fëmijëve me nevoja ndryshe, fizike dhe sociale, të jetimëve, të moshuarve, të familjeve në nevojë, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar për zbutjen e problemeve të tyre duke synuar një të ardhme më të mirë për personat vulnerabël. Gjithashtu ka ndihmuar shumë studentë shqiptarë për t’u arsimuar në Austri.
Në fjalën e tij ideatori dhe themeluesi i “Albanian University”, z.Astrit Veliaj u shpreh se: “Njerëz si Kal Fink-u nuk kanë punuar për tituj – Vepra është stolia e jetës së tyre. Vjen një moshë kur njeriu nuk rend më pas fitimit, por rend që t’i shërbejë një bote më të mirë, ky është thelbi i njerëzve me vlerë. Këto janë cilësitë më të larta të liderit. Kjo është një “Honoris Causa “e merituar.”
Zoti Veliaj u ndal në fjalën e tij edhe në historikun e marrëdhënieve Shqipëri- Austri : “Populli shqiptar ka qenë gjithmonë afër me austriakët, Austria ka dhënë një kontribut të madh për shpalljen e pavarësisë dhe forcimin e dinjitetit kombëtar. Në Austri u shkolluan figura kombëtare, si Lashgush Poradeci, Eqerem Çabej dhe qindra intelektualë të kohës tonë. Austria është vendi i albanologëve të shquar, Norbert Jokli dhe Maksimiljan Lamberti.
Austria është atdheu i Moxartit, Bet’hovenit, dhe i filozofit Karl Poper.
Austria është atdheu i Karl Finkut, Austria është vendi i personaliteteve të shquara që i kanë dhënë dritë Evropës dhe njerëzimit!”
Zoti Karl Fink u shpreh i emocionuar nga ky vlerësimi “Albanian University”, ndërsa u shpreh se: “Jam krenar dhe i lumtur që dëgjoj fjalët tuaja nderuese për mua. Gjatë gjithë karrierës sime 42 vjecare kam qenë gjithmonë një njeri praktik dhe kam vlerësuar gjithnjë të menduarit e të vepruarit përpara fjalëve, “
Më tej ai u ndal në parimet etike që e kanë orientuar në lidershipin e tij duke theksuar se : “Është shumë e rëndësishme në politikë dhe në biznes që të krijosh një sistem hierarkik të hapur kur ti e rrethon vehten jo me “Yesman”-ë, por me mendje kritike dhe të hapura që guxojnë të sfidojnë idetë e tua.”
Ai njoftoi se do të mundësojë një vizitë studimore të 10 studentëve të “Albanian University” në Selinë Qendrore të Viena Insurance Group në Vjenë.