Profesori i njohur i Filozofisë Praktike në disa universitete prestigjioze në Evropë, Prof.Dr. Julian Fink zhvilloi sot një leksion të hapur me temë “Markets and Morality” për studentët e “Albanian University”

Në mjediset e “Albanian University” u organizua sot leksioni i hapur me temë “Markets and Morality” i referuar nga Prof.Dr. Julian Fink, profesor i Filozofisë Praktike në Universitetin e Bayreuth dhe bashkëdrejtor i Programit Master Philosophy and Economics, njëherësh kërkues shkencor në Qendrën Studimore “Study of Mind in Nature”, në Universitetin e Oslos.

I diplomuar në Universitetin e Oksfordit për filozofi, Prof.Dr. Fink ka një eksperiencë të pasur mësimdhënieje në disa universitete prestigjioze në Evropë si në Frankfurt School of Finance and Management, Slovac Academic of Sciences, University of Vienna, University of Oslo si dhe në University of Graz (Austria).

Në fillim të leksionit, ai ngriti pyetjen kërkimore nëse interesi i Moralitetit si institucionit i Altruizmit mund të përputhet me interesat egoiste të fitimit që kanë bizneset. Duke ofruar shembuj praktikë, ai shpjegoi konceptet filozofike të moralit dhe solli alternativa sesi këto mund të konvergojnë me interesat e tregut, pa rënë ndesh me njëri-tjetrin.

Studentët e “Albanian University” e përcollën me shumë interes këtë leksion dhe i drejtuan atij pyetje mbi konceptet që ai shpjegoi.

Në përfundim të këtij leksioni, Senati i “Albanian University”, përmes zv/rektores, Prof.As.Dr. Aida Dama e njoftoi Prof.Dr. Julian Fink për vendimin që i jep atij statusin e anëtarit të nderit të Senatit të këtij universiteti me synimin dhe dëshirën që bashkëpunimi me të të vijojë në forma të tjera në lëmin e kërkimit shkencor dhe më gjerë.