Studentë dhe Pedagogë të Departamentit të Edukimit dhe Anglishtes në Albanian University u bënë pjesë e një tryeze të rrumbullakët me “Muzikologjia si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe edukimi i fëmijëve me shijet e saj” me të ftuar të posaçëm një personalitet me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare në lëmin e studimit të muzikologjisë, Akademik Prof.Dr. Vaso S. Tole, zv/kryetar i Akademisë së Shkencave.
Në çelje të këtij aktiviteti, Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Prof.Dr. Kaliopi Naska u shpreh e nderuar për praninë e studiuesit të mirënjohur në mjediset e “Albanian University” si dhe e falenderoi atë për dhurimin e një fondi të ri librash, i dyti nga seria e botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që i akordohen bibliotekës së universitetit me qëllim pasurimin e mëtejshëm të fondit studimor.
Akademiku Tole bëri një prezantim të vlerave të foklorit shqiptar me fokus të veçantë tek muzika polifonike, pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale e mbrojtur nga UNESCO. “Edhe pse një popull i vogël – theksoi Akademik Vaso S. Tole – ne ia kemi dalë të përcjellim brez pas brezi një pasuri të madhe shpirtërore falë ruajtjes që i kemi bërë këngëve, valleve dhe arteve të tjera të shfaqjes”. Ai iu drejtoi një apel studentëve, që do të jenë mësuesit e ardhshëm për brezat e rinj që të kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e njeriut dhe talentit prej nga buron trashëgimia shpirtërore në mënyrë që ajo të mos humbasë.
Për moderatorin e këtij aktiviteti pedagogun Dr.Ndriçim Mehmeti asetet studimore në lëmin e muzikologjisë si Vaso S. Tole që vijon të kontribuojë dhe të frymëzojë brezat me punën e tij duhet të jenë burim frymëzimi për studentët dhe studiuesit e rinj.
Aktiviteti u pasurua edhe me 2 performanca të vyera. Njëra e Mjeshtrit Fatmir Lela i cili në lahutë interpretoi një këngë të vjetër të folklorit shqiptar si dhe Kori i “Albanian University” i cili dhuroi emocione për të pranishmit me këngën “Luleborë”