Aktiviteteve të shumta të studentëve të Departamentit të Art Dizajnit gjatë këtyre diëve të festave të fundvitit, iu shtua edhe vizita në Muzeun Kombëtar Etnografik Berat. Shpjegimet deri në detajet e endjes dhe realizimet artizanale të strukturës, qepjes së kostumeve tradicionale, dekoracionit, të treguara me aq pasion dhe dashuri nga kuratoria e këtij Muzeu Gladiola Caka, tërhoqën vëmendjen e studentëve. Pasuria dhe larmishmëria e veshjeve qytetare ceremoniale, si dhe ato të përditshmërisë, të grave apo burrave që përdoreshin në qytetin e Beratit dhe krahinën e Myzeqesë së 100 – 200 viteve më parë, u prekën nga afër prej studentëve që patën mundësinë të ishin pjesë e këtij aktiviteti, mbështetur nga Projekti STITCH dhe Albanian University.
Drejtori i Muzeut, artisti Agron Polovina, në mënyrë të përmbledhur u tregoi edhe për punën e madhe të këtij muzeu në grumbullimin dhe ruajtjen e këtyre objekteve të ralla, si dhe promovimin e kësaj kulture beratase, që çdo vit pasurohet me elementë të rinj nga vetë banorët e vjetër të këtij Qyteti të “një mbi një dritareve”.
Gjatë gjithë kësaj vizite studentët u shoqëruan nga arkeologu Dritan Çoku, i cili si një udhërëfyes i rrënjëve të këtij Qyteti Muze shpaloste një pas një “sekretet” mbi të dy kulturat mbizotëruese, lindore dhe perëndimore; objektet e kultit të ndërtuara pranë njëra –tjetrës, si dëshmi e traditës së harmonisë fetare në vendin tonë.
Berati, si qytet i listës së trashëgimisë botërore tëUNESCO-s, gjithnjë të surprizon me të rejat që gjen sa herë që e viziton. Le të jenë këto foto ilustruese kartolinat e urimit për një vit të ri sa më të shëndetshëm, të mbarë e të suksesshëm