Në kuadër të projektit evropian RESILIENCE, përkushtuar zhvillimit të infrastrukturës ndërdisiplinore evropiane, për kërkime shkencore mbi fenë, në të gjitha fushat, “Albanian University” në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë, që e mbështeti këtë projekt, më datë 21.10.2024, zhvilluan aktivitetin shkencor në ambientet e Muzeut, në prani të studentëve dhe pedagogëve të “Albanian University”.
Drejtorja e këtij muzeu Znj. Fjoralba Prifti prezantoi temën: «Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dhe koleksioni i tij unik në botë”, duke u ndalur në analizën dhe trajtimin e historikut të zhvillimit të veprave të artit, që ruhen pranë këtij muzeu dhe konkretisht, të njohjes së ikonografisë dhe veprave të artit në shekuj, të fesë shqiptare, të cilat, për nga vlerat estetike dhe kulturore përbëjnë një pasuri të vyer shpirtërore, me vlera universale në trashëgimisë tonë kulturore kombëtare, duke u radhitur përkrah vlerave botërore të pikturës bizantine. Pavionet e artit ikonografik dhe ikonostaset, të krijuar nga piktorët shqiptarë për pesë shekuj, duke filluar nga epoka e bronzit dhe e hekurit e në vazhdim janë vendosur në një godinë moderne e disajnuar enkas, si Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar Korçë, që jep kënaqësi estetike për mijëra vizitorë, dhe në këtë rast edhe për studentët tanë.
Studentët u njohën nëpërmjet veprave origjinale të artit, të një niveli botëror, duke marrë imazhe figurative mbi antikitetin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare liturgjike, si dëshmi e traditës shqiptare në trashëgiminë tonë kulturore kombëtare, si pjesë integrale e kulturës evropiane. Një mundësi pozitive për të parë konkretizimin e këtij arti ikonografik të pasqyruar në Katedralen Ngjallja e Krishtit Korçë ishte dhe ligjërimi që u mbajt nga At Vangjeli, që i dhanë mundësinë studentëve t’i shihnin konkretisht në katedrale. Ndihmesë në organizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me këtë projekt të rëndësishëm evropian RESILIENCA, u dha dhe nga Prof. dr. Kaliopi Naska (historiane), e cila vlerësoi trashëgiminë e veprave të artit, si shprehje e pluralizmin kulturor kombëtar.