“Albanian University” si Institucion i Arsimit tё Lartё, e bazon veprimtarinë akademike dhe organizative nё Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Ligjin Nr 80/ 2015 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” në Statutin e Institucionit si dhe në Rregulloret që miratohen në zbatim të tij.
• Statuti prezanton dhe konstituon strukturat vendimarrёse dhe ekzekutive të universitetit si dhe pёrcakton detyrat dhe pёrgjegjёsitё e çdo njёsie. Statuti pёrshkruan strukturёn akademike dhe administrative tё universitetit dhe vendos marrëdhёniet mes tyre;
• Statuti ka përparësi mbi rregulloren e universitetit, rregulloret e fakulteteve, të programeve tё studimit, si dhe urdhёresat ose dokumentat e tjera qё hartohen nga strukturat e universitetit;
• Senati akademik është organi drejtues kolegjial më i lartë, i cili ushtron të gjitha kompetencat që lidhen me programimin dhe koordinimin e aktiviteteve mësimore dhe të kërkimit shkencor. Senati akademik formulon politikat e zhvillimit të universitetit, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë mësimore e kërkimin shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre;
• Rektori është autoriteti drejtues akademik më i lartë. Ai përfaqëson institucionin e arsimit të lartë, duke vepruar në emër dhe për llogari të tij. Ai drejton dhe koordinon tё gjithё veprimtarinё akademike tё universitetit. Nё bashkёpunim me Senatin e Universitetit dhe Bordin Drejtues Administrativ, ai orienton dhe ndёrton politikat e zhvillimit tё institucionit;
• Në Albanian University, sipas strukturës akademike ka tre Zv.Rektorë: Zv. Rektori për Zhvillimin Institucional; Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor; Zv. Rektori për Proçesin Mësimor-Akademik; Zv. Rektori kryen detyrat sipas fushës që mbulon në institucion të cilat përcaktohen nga Rektori, dhe në mungesë e me porosi të tij, nënshkruan aktet përkatëse;
• Bordi administrativ është organi drejtues kolegjial administrativ më i lartë i cili mbikëqyr e kontrollon veprimtarinë e institucionit që lidhet me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe pasuror të universitetit;
• Administratori është autoriteti më i lartë drejtues administrativ. Administratori, sipas specifikimeve të kontratës, kryeson Bordin Administrativ dhe firmos të gjitha vendimet e marra prej tij;
• Fakulteti është njësi kryesore që bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe zhvillimin kulturor në fusha mësimore-kërkimore, të përafërta ose të ndërthurura të njësive bazë. Fakulteti ofron programe të studimeve të llojeve dhe niveleve të ndryshme.
• Dekani është autoriteti drejtues i fakultetit. Ai drejton të gjithë punën mësimore e shkencore në fakultet. Ai harton planin e zhvillimit të fakultetit sipas njësive bazë, miraton planin kalendarik akademik të propozuar nga përgjegjësi i njësisë bazë dhe përmbush të tjera të drejta dhe detyrime të përcaktuara në rregulloren e fakultetit. Ai është përgjegjës për organizimin e programit të studimit sipas standarteve të përcaktuara me ligj, si dhe të gjithë proçesin mësimor-kërkimor për realizimin e programit të studimit;
• Në “Albanian University”, sipas strukturës akademike ka dy Zv. Dekanë: Zv. Dekani për Proçesin mësimor; Zv. Dekani për Kërkimin Shkencor. Zv. Dekanët mbulojnë fushat e përcaktuara sipas strukturës së universitetit. Zv. Dekani kryen detyrat sipas fushës që mbulon në institucion të cilat përcaktohen nga Dekani, dhe në mungesë me porosi të tij, nënshkruan aktet përkatëse;
• Departamenti është njësi bazë mësimore-kërkimore, që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore respektive. Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies dhe veprimtaritë kërkimore duke respektuar liritë akademike të personelit akademik dhe të drejtën e tij për të shfrytëzuar burimet materiale dhe financiare në dispozicion;
• Përgjegjësi i njësisë bazë është përgjegjës për të gjithë veprimtarinë e Departamentit, formimin e grupeve mësimore dhe funksionimin e tyre. Përgjegjësi i njësisë bazë ndjek rregullisht dhe sistematikisht zbatimin e programeve të studimeve nga pedagogët, vlerëson programet dhe drejton zhvillimin e tyre në bashkëpunim me Zyrën e Zhvillimit të Kurrikulës. Përgjegjësi i njësisë bazë ndërton planin e plotë të veprimtarive ekstrakurrikulare dhe të inisiativave kërkimore-shkencore, ideon, harton dhe propozon strategjitë e ecurisë dhe zhvillimit të njësisë bazë;
• Këshilli i Etikës ngrihet pranë universitetit dhe diskuton probleme të etikës së jetës universitare, për të cilat i bën propozime Rektorit. Këshilli i Etikës përzgjidhet nga Senati akademik. Këshilli i Etikës kryesohet nga Rektori.
Nё punёn e pёrditshme tё universitetit ka dhe shume hallka tё tjera akademike dhe administrative, tё cilat mundësojnё realizimin e plotё tё tё gjithё veprimtarisё akademike, shkencore dhe intelektuale.
Albanian University ka hartuar Strategjinë e tij për zhvillimin institucional për vitet 2017–2022. Kjo strategji është hartuar me qëllimin për të qenë e pajtueshme me prirjet kryesore të zhvillimit të AL në Evropë dhe në botë. Qëllimi i saj është të përmirësojë Albanian University, në drejtime të ndryshme, në mënyrë që ky Institucion të renditet mes Institucioneve më cilësore të Arsimit të Lartë. Albanian University ka si kolona të forta për besim dhe sukses: orientimin drejt Hapsirës Evropiane të Arsimit të Lartë, profesionalizmin e përkushtimin, bashkëpunimin dhe partneritetin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë me studentët dhe faktorët e tjerë që motivojnë dhe nxisin progres.
Në kuadër të startegjisë së zhvillimit Universiteti ka si mision:
- Të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anë të mësimdhënies.
- Të zhvillojë punë shkencore në të gjitha fushat që ajo mbulon dhe të përgatisë specialistë dhe shkencëtarë të rinj.
- Të kontribuojë në rritjen e standardeve të demokracisë e të qytetërimit të shoqërisë dhe në përgatitjen e të rinjve për një shoqëri bashkëkohore.
- Të ndihmojë në zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal.
- Të ndihmojë brezat e ri në përmbushjen e aspiratave të tyre për zhvillim.
- Të mbështesë dhe realizojë aftësimin e personelit akademik, duke i garantuar mundësi të barabarta për të përfituar nga financimet për kërkim shkencor.
Objektivat strategjikë për realizimin e misionit të Universitetit në pesë vitet e ardhshme do të përqëndrohen në drejtimet e mëposhtme:
- Organizimi Institucional;
- Mësimdhënia, kurrikulat dhe mësimnxënia me në qendër formimin e studentëve;
- Kërkimi shkencor dhe Inovacioni;
- Sigurimi i brendshëm i cilësisë;
- Veprimtaritë shërbyese;
- Marrëdhëniet me jashtë.
Kuadri institucional aktual në Albanian University kërkon t’i përgjigjet zhvillimeve të kohës. Aktualisht Institucioni kontribuon, por do të vazhdojë akoma më shumë të kontribuojë në zhvillimin e vendit në përgjithësi dhe në atë rajonal në veçanti nëpërmjet konsolidimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të Institucionit.