Njoftim mbi vijimin e procesit akademik

 

Të dashur studentë,

Në mbledhjen e datës 26.05.2020 të Senatit Akademik të “Albanian University” u diskutua vijimi i procesit mësimor dhe planit akademik të realizuara deri në këto momente. Formimi teorik, seminare, ushtrime, praktikë simulatore, janë përmbushur duke u zhvilluar online në pjesën më të madhe të programeve të studimit. Gjatë mbledhjes, nisur nga kërkesa të ardhura nga cikle të ndryshme studimi, u diskutua situata e paqëndrueshme  e pandemisë së shkaktuar nga COVID –19. Vëmendja për të shmangur maksimalisht rrezikun për një infektim të mundshëm,  së pari për ju, por edhe për stafin akademik dhe administrativ si dhe nga fakti qe deri më datë 23 Qershor 2020 të gjitha institucionet e arsimit të lartë janë të mbyllura me urdhër qeverie,  u vendos që:

1.       Procesi i mësimdhënies dhe sesioni i provimeve të semestrit të dytë do të mbyllen online në platformat e përzgjedhura, sipas kalendarit akademik  për vitin 2019-2020;

2.       Për secilën lëndë do të krijohet mundësia e zhvillimit të 1-2 orëve konsultuese përpara provimit të asaj lënde, nëse do të jetë e nevojshme.

3.       Konsultimet do të kryhen online,  gjithashtu edhe për provimet e formimit dhe mbrojtjet e temave të diplomave.

4.       Provimet e semestrit te dyte do të zhvillohen në platformën exam.net, sipas kalendarit akademik.

5.       Procesi i diplomimit do të zhvillohet në platformë për studentët të cilët do të testohen me provim formimi, ne afatin e parashikuar, duke mos penguar realizimin në kohë të objektivit të çdo diplomanti.

6.       Për studentët që do të mbrojnë temë diplome, prezantimi do të bëhet me prezencë fizike, sipas kalendarit akademik,  konform masave higjeno sanitare të orientuara nga organet shtetërore.

7.       Fakultetin e Shkencave Mjekësore praktikat dhe laboratorët e pazhvilluara, të cilat ndikojnë në vlerësimin përfundimtar të një lënde do të zhvillohen përpara sesionit të provimeve të  vjeshtës, në ambientet e universitetit, sipas një orari të përshtatshëm dhe të deklaruar një muaj më parë në web të AU, me prezencë të stafit akademik ose atij ndihmës, gjithmonë nëse nuk do të ketë urdhëra dhe udhëzime shtetërore, që shkojnë ndesh me këtë vendim.

Stafi akademik dhe administrativ janë të angazhuar për të mbështetur plotësisht të gjithë procesin e përfundimit me sukses të  vitit akademik apo finalizimit të studimeve tuaja.

Këtë situatë e kemi përballuar bashkë, me vështirësitë e ndërsjella, por ja kemi dalë.

Duke uruar në një përmirësim të qëndrueshëm dhe sa më të shpejtë të situatës, shpresojmë dhe urojmë që gjithësecili nga ju të jetë mirë!

Suksese në provime si dhe në atë çka është më e rëndësishme për një pjesë prej jush, suksese në provimin    e diplomimit!