Leksion i hapur në “Albanian University” dedikuar rolit të Austrisë në Bashkimin Evropian, të referuar nga ambasadori austriak në Tiranë, Shkëlqesia e tij, Dr. Christian Steiner

Studentët e “Albanian University” patën mundësinë të ndiqnin një leksion të hapur dedikuar rolit të Austrisë në Bashkimin Evropian të referuar nga ambasadori austriak në Tiranë, Shkëlqesia e tij, Dr. Christian Steiner.

Në çelje të leksionit, auditori u njoh me karrierën e gjatë diplomatike të ambasadorit austriak të prezantuar nga pedagogu i “Albanian University”, Prof.As. Enver Bytyçi.

Dr. Steiner prezantoi një vështrim të shkurtër historik mbi themelimin e komunitetit evropian, që nisi fillimisht nga një bashkim ekonomik në 1951-in, për t’u ndalur më tej, gjatë këtij leksioni, në procesin e zgjerimit të BE-së deri në ditët e sotme.

Studentët shfaqën një interes të lartë, duke drejtuar pyetje, që synonin të mësonin më shumë për rolin që Austria do të kishte në nxitjen e mëtejshme të zgjerimit të BE-së, si shfaqje e aspirates kombëtare në mënyrë që edhe Shqipëria të integrohet së shpejti në BE.

Në përfundim të aktivitetit, Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Prof.Dr. Kaliopi Naska shprehu mirënjohjen e saj për praninë e ambasadorit austriak, Dr. Steiner në këtë leksion të hapur për studentët e “Albanian University”, teksa solli në vëmendje që vetë universiteti ka krijuar një sërë urash bashkëpunimi shkencor siç është me universitetin Kirchliche Pedagogische Hochschule në Vienë, me të cilin ka tashmë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e edukimit. Ndër të tjera, ajo falenderoi ambasadorin Dr.Steiner edhe për prezencën e tij në ceremoninë e akordimit të titullit “Doctor Honoris Causa”, z.Karl Fink, një personaliteti të shquar të biznesit dhe një filantropi të orientuar tek ndihma me grupet vulnerabël në Shqipëri dhe në Ballkan.

Dekania e FSHSH-së i dhuroi në shenjë mirënjohje ambasadorit austriak disa botime shkencore të “Albanian University”.