Fakulteti i Shkencave Mjekësore në “Albanian University”, Departamenti i Farmacisë, zhvilloi konferencën studentore me temë “Kërkimi Shkencor në Këndvështrim Studentor”

Në vazhdën e një tradite shumëvjeçare në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në “Albanian University”, studentët e Farmacisë paraqitën punimet e tyre nën udhëheqjen e pedagogëve në konferencën studentore me temë “Kërkimi Shkencor në Këndvështrim Studentor”.

Të pranishme në këtë konferencë ishin edhe dy lektore nga “Jyväskylä University” në Finland, Leena Mattilla dhe Elina Laurila, me ekspertizë në lëmin e Kimisë dhe Shkencave të Natyrës. Përmes Erasmus Plus, Albanian University bashkëpunon me Jyväskylä University si për shkëmbimet teorike, por edhe për përvojat më të mira praktike në lëmin e kërkimit shkencor.

Zv/rektorja e “Albanian University” Prof.Asoc. Aida Dama vlerësoi traditën shumëvjeçare të organizimeve të tilla si një mundësi e mirë për të orientuar studentët drejt mendimit kritik dhe promovimit të bashkëpunimit profesor-studentë. Në një falenderim të veçantë për dy lektoret finlandeze, zv/rektorja Prof.Asoc. Aida Dama theksoi se universiteti është i angazhuar për të zgjeruar më tej marrëveshjet e bashkëpunimit me universitetet më prestigjioze jashtë vendit. Përgëzime dhe urimet më të mira për punimet e studentëve përcollën edhe Dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof.Asoc. Erda Qorri si dhe Drejtuesja e Departamentit të Farmacisë Dr.Kleva Shpati. Me një numër të madh pjesëmarrësish, të vlerësuar me çertifikatë, kjo konferencë shënjoi një hap të rëndësishëm për të gjithë studentët në procesin e kërkimit shkencor.