
(Për programet e ciklit të parë të studimeve “Bachelor”, programet e integruara të nivelit të dytë “Master i Shkencave” dhe për programet me karakter profesional 2-vjeçar)
Në zbatim të ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM Nr. 46 dt. 27.1.2021 “Disa ndryshime në VKM Nr. 436 dt. 3.6.2020, “Për përcaktimin e kriterit te notes mesatare””, për vitin akademik 2021-2022, ju bëjmë me dije si më poshtë vijon:
Kriter i parë pranimi në “Albanian University” është përfundimi me sukses i arsimit të mesëm të lartë.
– Për të gjitha programet universitare është kriter plotësimi i notës mesatare minimalisht 6.5, për programin Bachelor në “Anglisht” është kriter plotësimi i notës mesatare minimalisht 7, për programet Bachelor në “Mësuesi në Arsimin Fillor”, “Mësuesi në Arsimin Parashkollor” dhe “Psikologji e Përgjithshme” është kriter plotësimi i notës mesatare minimalisht 7.5.
– Për programin Bachelor në “Dizajn”, i cili është në fushën e artit nuk është kriter plotësimi i notës mesatare.
– Për programin profesional 2 vjeçar “Laborant i Lartë Dentar”, nuk është kriter mesatarja.
Aplikimi kryhet në Portalin U-Albania për degët që kërkoni në “Albanian University”, sipas përcaktimeve të udhëzimeve përkatëse.
Bashkëngjitur gjeni edhe kriteret që do të bëjnë të mundur renditjen e aplikantëve në “Albanian University” për vitin akademik 2021-2022.

KRITERET E PRANIMIT
(Për programet e ciklit të dytë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”)
Të gjithë kandidatët, të cilët kërkojnë të ndjekin ciklin e dytë të studimeve në AU, duhet të kryejnë procesin e aplikimit nëpërmjet dorëzimit të dokumentacionit pranë Zyrës përkatëse në AU, sipas afateve dhe procedurave të parashikuara në udhëzimet e MASR.
Aplikimi kryhet nga kandidatët të cilët:
- kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomë për ciklin e parë të studimeve;
- zotërojnë dokumentacionin ligjor të përfundimit të këtij niveli arsimor;
- nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, në IAL-të publike ose jopublike ;
- plotësojnë kriteret e përcaktuara nga AU për programet e studimit për të cilat aplikojnë.
Në fazën e shqyrtimit të kërkesave për të ndjekur një program të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, i ndryshëm nga cikli i parë, në çdo rast, vlerësohen pozitivisht rrethanat si më poshtë vijon:
a) programi i studimit të ciklit të parë që ka ndjekur studenti çon drejtpërsëdrejti në programin e studimit të ciklit të dytë ku studenti kërkon të regjistrohet. Në këto raste studentit i njihet e drejta për t’u regjistruar në programin e zgjedhur;
b) programi i studimit të ciklit të parë që ka ndjekur studenti ka ngjashmëri jo më pak se 60% me programin bazë që çon drejtpërdrejti në ciklin e dytë. Në këto raste, për programe studimi të afërta të të njëjtit institucion apo programe të njëjta e të afërta të institucioneve të tjera të arsimit të lartë, të cilat konsiderohen të përputhshme e të pranueshme, studentit i njihet e drejta për t’u regjistruar në programin e zgjedhur.
Kandidatët e programeve të ciklit të dytë dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
- diplomën e ciklit të parë të studimeve (fotokopje të njehsuar me origjinalin) ose në rastet e diplomimit jashtë Republikës së Shqipërisë, njehsimin e diplomës së fituar nga ministria përgjegjëse për arsimin e lartë;
- fotokopje e njehsuar me origjinalin e diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese apo diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njehsuar në ministrinë përgjegjëse të arsimit;
- dëshmi të gjuhës së huaj në përputhje me kërkesat e ligjit në fuqi (kriter vetëm për kandidatët e Masterit të Shkencave);
- fotokopje e një dokumenti identifikimi;
- CV të detajuar;
- çdo dëshmi tjetër kualifikimi.