HISTORIKU
Albanian University është një institucion privat, i pavarur dhe laik i Arsimit të Lartë!
Licensuar në Prill të vitit 2004, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, ai i hapi dyert në vitin akademik 2004-2005, me kursin e parë të studimeve në Degën e Stomatologjisë, me rreth njëqind studentë. Që në vitin e parë të krijimit të tij, ky institucion vuri në qendër të jetës akademike promovimin e produktit intelektual dhe shkrirjen e mësimit me kërkimin shkencor, e finalizuar me Konferencën e Parë Stomatologjike UFO Dental, e cila hapi siparin e një tradite tashmë të konsoliduar.
Një vit më vonë, ky institucion ofroi diploma universitare dhe në degët; Farmaci, Arkitekturë, Shkenca Juridike, Shkenca Politike. Gjatë këtij viti akademik (2005–2006) ndoqën studimet universitare 600 studentë. Programe bashkëkohore studimi, staf me një formim shumë të gjatë si akademik dhe profesional, kushte infrastrukturore moderne dhe cilësore janë disa nga elementët mbi të cilët u zhvillua Universiteti. Në këtë vit akademik përfundoi dhe përkthimi i plotë i kolanës së literaturës Stomatologjike të marra nga Universiteti Tuft’s i Bostonit, kolanë e cila u botua nga Shtëpia Botuese UFO Press, botime këto që u pasuan me një numër shumë të madh librash në të gjitha fushat e studimit.
Në vitin akademik 2006-2007, Universiteti u plotësua me të tetë degët e tij të studimit; Stomatologji, Farmaci, Arkitekturë, Financë–Bankë, Shkenca Juridike, Shkenca Politike, Psikologji, Shkenca Komunikimi, dhe pranë tij ndoqёn studimet rreth 2000 studentë. Në këtë vit akademik, përveç plotësimit të detyrave akademike, Universiteti vuri theksin në përfshirjen e akademikëve në debatet dhe çështjet publike. Takimet dhe debatet mbi çështjet e legalizimit të Lobimit dhe evidentimit të grupeve të interesit, ishin hapi i parë drejt të qenit faktor në jetën publike të vendit. Forumet, ëorkshop-et, seminaret, konferencat, debatet kanë përfshirë jo vetëm akademikët, por edhe studentët, si dhe grupet e interesit pjesë të formimit intelektual drejt realizimit të misionit të Universitetit. Në prill të vitit 2007, përveç UFO Press-it, universiteti zgjeron hapësirën e tij publike nëpërmjet televizionit UFO education (tashmë UTV News). Ai u ideua si një televizion edukativ në çdo dhënie informacioni. Synimi i tij është formimi kulturor në aspektet politike, artistike, letrare, duke u përpjekur të transmetojë vlerat.
Nё vitin e katërt tё jetës sё tij mori një vlerë dhe kuptim të veçantë, jo vetëm për 3100 studentët që u ulën në auditorët e këtij institucioni, por sepse ishte viti në të cilin u diplomua brezi i parë i studentëve në degën e Stomatologjisë dhe Shkencave Politiko-Administrative. 94 Mjek Stomatologë dhe 26 Politologë, të gjithë tashmë të punësuar, vazhdojnë studimet pasuniversitare brenda dhe jashtë kufijve. Në historikun e Universitetit, në vitin akademik 2007-2008 do të shënohet i pari titull nderi i akorduar nga Senati Akademik, “Profesor Nderi” Dr. Erhard Busek, pedagog, studiues dhe politikan, një mbështetës i fuqishëm i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Viti akademik 2008-2009, erdhi me prova të reja për Universitetin. Programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, profilizimi dhe specializimi i studentëve të tij, për t’i afruar sa më shumë me tregun e punës ishin sfidat e reja. Programet e diplomave të nivelit të dytë dhe Master të nivelit të dytë, të gjitha të ofruara nën një projekt specifik “Për Kualifikimin e Administratës Publike”. 600 studentë në këto programe, iu bashkëngjitën 4000 studentëve të ciklit të parë të studimeve, duke e zgjeruar dhe plotësuar komunitetin e U.F.O University. Ky vit finalizohet suksesshëm duke nderuar me titullin ”Doktor Honoris Causa” Z.Gordon Richard England për kontributet e tij në anëtarësimin e Shqipërisë në bashkësinë Euroatlantike.
Viti akademik 2009-2010 ishte viti i konsolidimit cilësor të universitetit, në këtë vit të gjitha programet bachelor dhe programet e integruara të farmacisë, kaluan procesin e akreditimit dhe në vitin 2010 u vlerësuan pozitivisht nga Agjencia Publike e Akretidimit të Arsimit të Lartë.
Viti akademik 2010-2011, shënoi një vit të veçantë në jetën e këtij universiteti. Emri i vjetër i universitetit ndryshon nga U.F.O University, në një emër më kuptimplotë që përfaqëson denjësisht 7100 studentë të Albanian University.
Viti 2011 shënon marrëveshjen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet universitetit të studimeve të Palermos dhe Albanian University, Tiranë. Rektori i Universitetit të Studimeve i Palermos, Prof. Roberto Lagalla dhe Rektori i Albanian University i Tiranës, Prof. Pavli Kongo, konsiderojnë bashkëpunimin ndëruniversitar një mjet të domosdoshëm për njohjen e ndërsjellët të kulturave, për zhvillimin kulturor, shkencor të njohurive dhe shpërndarjen e tyre.
Viti akademik 2011-2012 shënon një vit të rëndësishëm në jetën akademike të universitetit, sepse në këtë vit akademik hapet cikli i tretë i studimeve ai i specializimeve afatgjata në fushën e stomatologjisë në 8 drejtimet e tyre, ku lëndët e praktikës organizohen me profesorë të huaj. Ky vit shënon edhe një numër të madh aktivitetesh shkencore dhe kulturore në të gjithë departamentet e tij, të pasqyruara edhe në revistën Optime, si dhe një numër i madh ribotimesh dhe botimesh të reja të shtëpisë botuese.
Viti akademik 2012-2013 përbën një vit të rëndësishëm sepse shënon 10 vjetorin e hapjes së aktivitetit të shërbimit privat në fushën e arsimit. Ky vit ofroi edhe një gamë më të gjerë programesh të ciklit të dytë, master profesional në fushën e infermierisë dhe të psikologjisë, sikurse edhe hapjen e programeve të ciklit të tretë të doktoraturave në fushën e shkencave juridike, ekonomike, psikologji, shkenca politike, shkenca farmaceutike, arkitekturë.
Viti akademik 2013-2014 është një vit me arritje të mëdha në fushën e zgjerimit të programeve të studimit ku u licencuan 5 programe te ciklit të parë dhe të dytë dhe 3 programe të studimeve në doktoraturë, gjithashtu po në këtë vit u akredituan 10 programe studimi bachelor të ofruara në filialin e Beratit dhe Tiranës. Ky vit ka qenë një vit i organizimit të aktiviteteve të mëdha shkencore siç është konferenca e parë evropiane e implantologjisë, konferencat ndërkombëtare në fushën e psikologjisë dhe të shkencave politike si bashkëpunime me universitete e tjera publike dhe private në vend.
Viti akademik 2014-2015 mbetet viti i konsolidimit dhe arritjes së standardeve të cilësisë, si në fushën e mësimdhënies, por edhe në fushën e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare. Universiteti në këtë vit akademik lidhi marrëveshje me universitetin e L’Aquilas me qëllim të shkëmbimit të stafeve akademike, personelit kërkues shkencor dhe studentëve; shkëmbim të publikimeve, materialeve shkencore, projekteve kërkuese, zhvillimin e projekteve kërkimore, organizimin e publikimeve të përbashkëta, konferencave dhe ëorkshopeve etj.
Viti akademik 2015-2016 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm gjithashtu meqenëse shënon disa marrëveshje ndëruniversitare në kuadër të bashkëpunimit institucional, jo vetëm në shkëmbimin e stafeve akademike dhe studentore, por edhe në zhvillimin e përbashkët të kërkimit shkencor.
Universitetet bashkëpunuese janë si vijon: The Corvinus University of Budapest, University of Padova, Facultatea de Medicina Dentara në Bukuresht dhe Sigmund Freud University në Vienë.
Viti akademik 2016-2017 ka përkuar me ndërmarrjen e disa iniciative akademike. Universiteti ka krijuar zyrën e Projekteve dhe Zhvillimit Shkencor për te nxitur dhe zhvilluar marrëdhëniet ndëruniversitare me institucione dhe akademi ndërkombëtare. Nga iniciativat me te njohura dhe me faktor impakti direkt tek studentet dhe stafet akademike, kjo zyre ka filluar organizimin dhe aplikime përkundrejt programeve te Erasmus Plus, Jean Monnet, Marie Sklodowska Curie si edhe dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi direkte me universitete Europiane. Gjithashtu ky vit akademik ka nisur me një prezence te shtuar te AU ne rrjetet sociale. Ristrukturimi i zyrës se Marrëdhënieve me Jashtë i ka dhëne një dimension proaktiv dhe lehtësues marrëdhënies Universitet-Studentë, duke rritur ndjeshëm interesin dhe pjesëmarrjen e publikut dhe trupës studentore kundrejt Universitetit. Krahas zhvillimeve brenda institucionit, Albanian University përfundoi me sukses akreditimin e 29 programeve Bachelor dhe Master si dhe përfundoi me sukses edhe procesin e vlersimit te jashtëm institucional. Albanian University është akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 90, datë 20.10.2017 nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në bashkëpunim me QAA (Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë).
Në vitin akademik 2017-2018, AU i ka dhënë prioritet konsolidimit të cilësisë së zhvillimit të veprimtarisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë dhe përvojat më të mira brenda dhe jashtë vendit. Gjatë këtij viti, në përputhje me kërkesat e Ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, janë rishikuar të gjitha planet mësimore si dhe janë riorganizuar programet e studimit Master profesional nga 90 në 60 ECTS. Gjithashtu, Njësitë bazë (Departamentet) në Albanian University kanë ndërmarrë studime të tregut të punës për të gjitha programet e studimit që ofrojnë, si dhe kanë ngritur propozime për të ofruar programe të reja, në bazë të kërkesave të tregut.
Albanian University për vitin akademik 2018-2019, me miratim zyrtar të MASR, ka hapur për herë të parë 3 programet e studimit Master profesional në “Terapi Manuale”, “Sisteme të Energjisë” dhe “Interier Dizajn”.
Në vitin akademik 2019-2020, Albanian University ka hapur programin 2 vjeçar me karakter profesional “Laborant i Lartë Dentar”. Gjatë këtij viti akademik është finalizuar me sukses dhe procesi i vlerësimit të jashtëm institucional, ku Albanian University mori akreditimin periodik me Vendim të Bordit të Akreditimit nr.1, datë 24.01.2020. Gjatë këtij viti është finalizuar riorganizimi i programit të studimit Bachelor në “Shkenca Juridike”, në program të integruar Master i Shkencave në “Drejtësi”, sipas kuadrit ligjor në fuqi me Urdhër të MASR nr.188, date 03.07.2020 dhe urdhër nr.188/1, date 17.09.2020. Për vitin e ardhshëm akademik, Albanian University ka aplikuar për hapjen e disa programeve që do të sjellin risi në tregun e punës.
Për vitin akademik 2020 – 2021 Albanian University ofron një diversitet diplomash në tre ciklet e studimit dhe programet me karakter profesional, duke qenë koherente me kërkesat e tregut të punës dhe sjelljen e risive në programe të reja studimi. Sot AU është një emër i konsoliduar në arsimin e lartë privat në Shqipëri me numrin më të lartë të studentëve aktivë dhe atyre të diplomuar ndër universitetet privatë. Jemi krenarë për gjeneratat e të diplomuarve, të cilët mbartin kombësi të ndryshme dhe e kanë gjetur veten në tregun e punës kombëtar dhe ndërkombëtar apo në thellimin e njohurive të tyre akademike.
Në mënyrë periodike, të gjitha programet aktive të studimit kanë kaluar procesin e vlerësimit të jashtëm nga ASCAL dhe janë vlerësuar pozitivisht nga Bordi i Akreditimit. Mbarëvajtja e këtij procesi dhe realizimi i tij në përputhje me legjislacionin ne fuqi është në qendër të veprimtarisë së Institucionit.
Në kuadër të kërkimit shkencor, Albanian University vazhdon të zgjerojë rrjetin e marrëveshjeve duke bashkëpunuar me Institucione të huaja të Arsimit të Lartë, si dhe me struktura kombëtare dhe ndërkombëtare me qëllim aplikimin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Përmes tyre është mundësuar pjesëmarrja/aplikimi i Universitetit në disa programe Europiane të kërkimit shkencor dhe mobilitetit (Erasmus+, CEEPUS, Horizon 2020, Mevlana etj.).
Për vitin akademik 2021 – 2022, “Albanian University” ofron diploma në të tre ciklet e studimit: Bachelor, Master, Specializime Afatgjata në Stomatologji si dhe program me karakter profesional “Laborant i Lartë Dentar”, në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe sjelljen e risive me programe të reja studimi.
Në kuadër të ndërkombëtarizimit këtë vit u aplikua për hapje programi të përbashkët, “Master i Shkencave”, program i integruar në “Odontoiatria e Protesi Dentaria”, Departamenti i Stomatologjisë dhe u miratua nga MAS me Urdhër nr. 444, datë 22.07.2022, në bashkëpunim me Universitetin e Ferrarës.
Bazuar në standardet e reja të cilësisë sipas VKM nr.824, datë 24.12.2021, u riorganizua programi i studimit specializime afatgjata në “Kirurgji Orale” në 3 vite akademike, 180 ECTS.
Në mënyrë periodike, ashtu si çdo vit edhe për vitin akademik 2021-2022 programet e studimit kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të jashtëm nga ASCAL.
Mbarëvajtja e këtij procesi dhe realizimi i tij në përputhje me legjislacionin në fuqi është në qendër të veprimtarisë së Institucionit.
“Albanian University”, ka realizuar shkëmbime (mobilitete) stafi dhe studentësh në bazë të marrëveshjeve të lidhura me institucione arsimore ndërkombëtare.
Në kuadër të kërkesave të Ligjit 80/15 për “Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, stafi akademik është përfshirë në projekte – kërkimore shkencore, me qëllim rritjen e cilësisë në mësimdhënie.
Shumëllojshmëria e fushave të ndryshme të studimit si: stomatologji, farmaci, infermieri dhe fizioterapi, inxhinieri, art-dizajn, shkenca ekonomike dhe shoqërore, e bën këtë universitet konkurrent dhe ndër më të përzgjedhurit nga maturantët.
Për vitin akademik 2022-2023, “Albanian University” ka aktive 41 programe studimi , prej të cilave 15 janë programe Bachelor, 12 programe Master Profesional, 7 programe Master i Shkencave, 4 Programe të Integruara të Nivelit të Dytë, 2 program në Specializim Afatgjatë, 1 program me karakter profesional “Laborant i Lartë Dentar”.
Risi është programi i ri, Master i Shkencave, program i integruar në “Odontoiatria e Protesi Dentaria” i përbashkët me Universitetin e Ferrarës, i cili është aktiv për herë të parë ku janë rregjistruar 20 studentë të huaj, i miratuar me Urdhër Ministri MAS Nr.444 dt 22.07.2022.
Ky bashkëpunim vjen gjithashtu në përmbushje të objektivave kombëtare për ndëkombëtarizimin e universiteteve shqiptare.
Këtë vit Institucioni në kuadër të akreditimit periodik institucional kaloi me sukses procesin e vlerësimit të jashtëm nga ASCAL dhe gjithashtu u aplikua për riakreditimin e 15 programeve të studimit.
Programet e studimit të ofruara nga “Albanian University” janë hartuar dhe zhvillohen në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përmbushur standardet shtetërore të cilësisë.
Për këtë vit akademik është aplikuar për hapjen e dy programeve të reja studimi si dhe për programin e studimit të ciklit të tretë: Doktoratë (hapje dhe riorganizim).
Për vitin akademik 2022-2023 është rritur numri i aplikimeve në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare nga stafi akademik si dhe numri i mobiliteteve si të studentëve dhe stafit akademik me Institucione të tjera të huaja të Arsimit të Lartë me qëllim shkëmbimin e eksperiencave për përmirësimin e cilësisë në procesin e mësimdhënies.