FINESA E TRADITËS

Aktiviteteve të shumta të studentëve të Departamentit të Art Dizajnit gjatë këtyre diëve të festave të fundvitit, iu shtua edhe vizita në Muzeun Kombëtar Etnografik Berat. Shpjegimet deri në detajet e endjes dhe realizimet artizanale të strukturës, qepjes së kostumeve tradicionale, dekoracionit, të treguara me aq pasion dhe dashuri nga kuratoria  e këtij Muzeu Gladiola Caka, tërhoqën vëmendjen e studentëve. Pasuria dhe larmishmëria e veshjeve qytetare ceremoniale, si dhe ato të përditshmërisë, të grave apo burrave që përdoreshin në qytetin e Beratit dhe krahinën e Myzeqesë së 100 – 200 viteve më parë, u prekën nga afër prej studentëve që patën mundësinë të ishin pjesë e këtij aktiviteti, mbështetur nga Projekti STITCH dhe Albanian University. 

Drejtori i Muzeut, artisti Agron Polovina, në mënyrë të përmbledhur u tregoi edhe për punën e madhe të këtij muzeu në grumbullimin dhe ruajtjen e këtyre objekteve të ralla, si dhe promovimin e kësaj kulture beratase, që çdo vit pasurohet me elementë të rinj nga vetë banorët e vjetër të këtij Qyteti të “një mbi një dritareve”. 

Gjatë gjithë kësaj vizite studentët u shoqëruan nga arkeologu Dritan Çoku, i cili si një udhërëfyes i rrënjëve të këtij Qyteti Muze shpaloste një pas një “sekretet” mbi të dy kulturat mbizotëruese, lindore dhe perëndimore; objektet e kultit të ndërtuara pranë njëra –tjetrës, si dëshmi e traditës së harmonisë fetare në vendin tonë. 

Berati, si qytet i listës së trashëgimisë botërore tëUNESCO-s, gjithnjë të surprizon me të rejat që gjen sa herë që e viziton. Le të jenë këto foto ilustruese kartolinat e urimit për një vit të ri sa më të shëndetshëm, të mbarë e të suksesshëm