Përgjegjës i Departamentit: Dr. Erina HILAJ
Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë është pjesë përbërëse e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Albanian University. Ai funksionon si njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore. Departamenti nxit, programon, bashkërendon, zhvillon, organizon dhe administron veprimtarinë e mësimdhënies dhe atë kërkimore-shkencore, për programet respektive të studimit që ofron.
Departamenti çdo vit kryen studimin e tregut të punës dhe në bazë të tij bën propozime për përmirësimin ose/dhe përshtatjen e kurrikulave dhe programeve të studimit që ofron.
Vizioni dhe misioni i departamentit janë të mbështetura mbi:
- Strategjinë dhe legjislacionin shqiptar mbi arsimin e lartë
- Strategjinë institucionale të Albanian University
- Strategjinë e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në AU
- Strategjinë e Departamentit
Vizioni i Departamentit të Infermierisë në Albanian University është të jetë lider në drejtimin dhe transformimin e shkencës së infermierisë në Shqipëri, si dhe mënyrën se si mësohet dhe praktikohet infermieristika.
Misioni i Departamentit është të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit, mirëqenien dhe cilësinë e jetës të komuntitetit nëpërmjet edukimit, kërkimit, kujdesit infermieror dhe përfshirjes së komunitetit.
Vlerat thelbësore që drejtojnë të gjithë procesin e edukimit, kërkimit dhe praktikës në këtë departament përfshijnë:
- Përsosmërinë: Përpjekje të vazhdueshme për përsosmëri në të gjitha aktivitetet akademike, praktike dhe kërkimore, angazhim për rritjen e vazhdueshme të cilësisë dhe performancës si dhe përkushtim për të siguruar kushtet më të mira për studentet tanë.
- Inovacionin: Vlerësim i kreativitetit dhe metodave inovative, në veçanti në procesin e mësimdhënies në komponentin teorik dhe atë praktik si dhe përdorimi i metodave dhe mjeteve më të avancuara të kohës në kërkimin shkencor.
- Kulturën profesionale dhe kulturën e barazisë, diversitetit dhe gjithepërfshirjes.
Komponentët e ekselencës së departamentit të mbështetura në Planin Strategjik tëAlbanian University janë:
- Programet Akademike: Qëllimi është krijimi dhe mbështetja në programe arsimore të përgatitura dhe të përditësuara për brezin e ardhshëm të profesionsitëve, drejtuesve dhe studiuesve të infermierisë, për të ofruar kujdes ekselent infermieror.
- Hulumtimi dhe përditësimi i njohjeve dhe aftësimi profesional: Qëllimi është ti jepet përparësi kërkimit në fushat e promovomit të shëndetit, shëndetit publik, njohjes së sistemeve shëndetësore, avancimin e kujdesit infermieror në specialitete të veçanta dhe mbi te gjitha, aftësimit praktik me programe të përditësuara dhe të krahasuara të studimit.
- Bashkëpunimi dhe partneritetet kombëtare dhe ndërkombëtare: Qëllimi është të krijohen partneritete me organizma dhe institucione të vendit ose ndërkombëtare me synim përmirësimin dhe përditësimin e programeve akademike, përfshirjen e gjithanshme të pedagogeve dhe studentëve në aktivitete shkencore, nxitjen e mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve, krijimin dhe zgjerimin e kapaciteteve për përfshirjen aktive dhe cilësore të studentëve në praktikën profesionale,
Departamenti ka patur gjithmonë në qendër të vëmendjes përfshirjen në procesin e mësimdhënies të pedagogeve me përvojë profesionale dhe akademike. Gjatë viteve në procesin akademik kanë kontribuar figura të shquara të njohura të mjekësisë dhe akademizmit në vend. Stafi akademik aktual përbëhet nga specialistë të fushës së mjekësisë dhe fizioterapisë, një pjesë e madhe e të cilëve kanë tituj dhe grada të ndryshme shkencore.
Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë ka krijuar tashmë traditën e organizimit të konferencave vjetore studentore. Në këto konferenca, studentët e përzgjedhur, nën drejtimin e pedagogëve të lëndëve të ndryshme, përgatisin dhe paraqesin tema të ndryshme teoriko-praktike me interes të veçantë për ta dhe të përqendruara në programet e studimit të departamentit.
Gjithashtu, departamenti në bashkepunim me pedagogë të brendshëm ose të jashtëm, por edhe me specialistë të ftuar, organizon rregullisht leksione të hapura për studentët e të katër programeve të studimit që ofron.
Konferenca më e rëndësishme e organizuar nga departamenti është konferenca shkencore vjetore. Departamenti ka organizuar shtatë konferenca të tilla, ku janë përfshirë pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm të fakultetit, por edhe specialistë te ftuar. Në konferencat shkencore është vënë theksi në punimet origjinale të autoreve.
Aktualisht, Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë ofron këto programe studimi:
- Programi i studimit Bachelor në “Infermieri” është liçensuar me urdhër të MASH nr.411, datë 25.08.2011, është akredituar për herë të parë me urdhër të MASH nr.239, datë 09.05.2016 dhe është riakredituar me vendim të bordit të akreditimit nr.111, datë 02.11.2019.
- Program i studimit Bachelor në “Fizioterapi” është liçensuar me urdhër të MASH nr. 199, datë 16.05.2012, është akredituar për herë të parë me urdhër të MASH mash nr.238, datë 09.05.2016 dhe është riakredituar me vendim të bordit të akreditimit nr.110, datë 02.11.2019.
- Program i studimit Master Profesional në “Infermieri kirurgjikale” është liçensuar me urdhër të MASH nr.479, datë 10.10.2012, është akredituar për herë të parë me urdhër të MASH nr.242, datë 09.05.2016 dhe është riakredituar me vendim të bordit të akreditimit nr.58, datë 05.07.2019.
- Programi i studimit Master Profesional në “Terapi manuale” është liçensuar me urdhër nga MASH nr.671, datë 12.10.2018 dhe është akredituar për herë të parë me vendim të bordit të akreditimit nr.59, datë 05.07.2019.
Programi Bachelor në “Infermieri”
Programi i studimit Bachelor në “Infermieri”, synon të përgatisë studentë të cilët të kenë përvetësuar njohuritë bazë dhe të nevojshme për të zotëruar kapacitetet e duhura profesionale për një infermier të përgjithshëm.
Ky program është hartuar në perputhje me strategjinë kombëtare të arsimit me qëllim formimin e profesionisteve të aftë në këtë fushë. Mbi këto baza, një numër studentësh janë punësuar në vend dhe jashtë tij, në Institucione Shëndetёsore private ose shtetёrore.
Njohuritë akademikë që ofron ky program studimi synojnë të krijojnë, krahas modelit të përkujdesjes së infermierisë së përgjithshme, edhe pajisjen e studentëve me njohuri në disa fusha specifike të shkencave mjekësore, në mënyrë që ky program studimi të mos orientojë studentin vetëm në tregun e punës, por dhe ti krijojë bazat dhe njohuritë për specializime të mëtejshme.
Kurrikula që përbën këtë program studimi ka një kohëzgjatje të rregullt tre vjeçare dhe ka në total 180 kredite. Kurrikula është ideuar që të pajisë studentët në vitin e parë të studimit me njohuritë të lëndëve bazë të çdo fushe të mjekësisë siç janë: anatomia, fiziologjia, biokimia, etj. Krahas këtyre lëndëve të formimit bazë, studentët kanë mundësi të përvetësojnë njohuri të lëndëve integruese, siç janë: statistika, informatika dhe gjuha e huaj, njohuri këto, të cilat do të kompletojnë dijet e studentit në ushtrimin e profesionit. Gjatë vitit të dytë dhe të tretë studentët do të pajisen me njohuri specifike dhe praktike, të cilat do të plotësojnë formimin profesional të infermierit të përgjithshëm.
Po në vitin e dytë dhe të tretë studentët pajisen me njohuri praktike në kushte klase dhe me pas pranë pacienteve. Studentët e kryejnë praktikën mësimore në disa institucione shëndetësore spitalore dhe ambulatore të cilat kanë marrëveshje specifike me Fakultetin e Shkencave Mjekësore.
Këto njohuri do t’i shërbejnë studentëve që të forcojnë më tepër sensin praktik të punës. Studentët në fund të programit do të jenë të aftë të ndërmarrin studime të mëtejshme të avancuara në fusha të specializuara të vlefshme për specifikën shqiptare dhe profesionistët e kësaj fushe në Shqipëri.
Programi Bachelor në “Fizioterapi”
Gjatë studimit për diplomën Bachelor në “Fizioterapi” programet e lëndëve synojnë të pajisin studentët me njohuri profesionale e bashkëkohore për përvetësimin e profesiont të Fiozioterapistit.
Ky program është hartuar në perputhje me strategjinë kombëtare të arsimit me qëllim formimin e profesionisteve të aftë në këtë fushë. Mbi këto baza, një numër studentësh janë punësuar në vend dhe jashtë tij, në Institucione Shëndetёsore private ose shtetёrore.
Kurrikula që përbën këtë program studimi ka një kohëzgjatje të rregullt tre vjeçare dhe ka në total 180 kredite. Programi i studimit Bachelor në “Fizioterapi” përfshin lëndë të nivelit teorik dhe praktik të fushës së “Fizioterapisë” dhe fokusi primar është të përgatisë Fizioterapistë të përgjithshëm. Ky program studimi synon të pajisë studentët me njohuri profesionale në ushtrimin e profesionit të fizioterapistit. Nderkohe, njohuritë e përfituara në studimin Bachelor i japin mundësi studentit të vazhdojë studimet Master.
Studenti i përfiton njohuritë teorike në klasë ku përdoren metoda bashkëkohore për mësimdhënien si dhe ato praktike në qendrat e specializuara në drejtim të fizioterapisë.
Kurrikula është hartuar në mënyrë të tillë që të pajisë studentët në vitin e parë me njohuri të lëndëve bazë si anatomia, histologjia, fiziologjia, etj. Në vitin e dytë dhe të tretë studenti pajiset me njohuritë themelore mbi patologji specifike si ortopedi, kirurgji, neurologji, pediatri, geriartri, etj, si dhe me procedurat përkatëse të trajtimit dhe rehabilitimit fizioterapeutik.
Gjatë vitit të dytë dhe të tretë studentet kryejnë edhe praktikën profesionale në disa institucione shëndetësore publike dhe private, ambulatore ose spitalore, të cilat kanë marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave Mjekësore.
Në përfundim të ciklit 3 vjeçar studentët do të jenë të aftë të aplikojnë metodikat profesionale për trajtimin, parandalimin dhe rehabilitimin në dëmtimet trupore, të patologjive për shkaqe të ndryshme të lindura ose të fituara tek pacientët në klinika apo në qendra të specializuara.
Programi Master Profesional në “Terapi manuale”
Programi i studimit në Terapi Manuale ka kohëzgjatje prej 1 viti akademik dhe është i organizuar në 60 ECTS. Qëllimi parësor i këtij programi është formimi bashkëkohor i studentëve bazuar në një përgatitje të mirë teorike dhe praktike.
Departamenti ka punuar vazhdimisht për përmirësimin e kurrikulës dhe pasurimin me orë praktike të këtij programi studimi, gjithmonë në zbatim të akteve ligjore në fuqi.
Ky program është hartuar në perputhje me strategjinë kombëtare të arsimit me qëllim formimin e profesionisteve të aftë në këtë fushë. Mbi këto baza, një numër studentësh janë punësuar në vend dhe jashtë tij, në Institucione Shëndetёsore private ose shtetёrore.
Programi i studimit Master profesional në “Terapi Manuale” është një ndërthurje teoriko-praktike në të cilën baza e trajnimit është në përputhje me standardet evropiane. Në mënyrë të veçantë ky program ka për qëllim të nxisë një kulturë terapeutike të integruar në kuadër të terapisë manuale, bazuar në parimet; vizion biopsikosocial i problemit të pacientit, një metodologji klinike e mësimdhënies që kombinon prova kërkimore dhe dëshmi empirike, një metodologji kërkimore e artikuluar në funksion të problemeve të ndryshme dhe bazave epistemologjike të referencave bibliografike, një krahasim pozitiv me shkollat e ndryshme dhe traditat e terapisë manuale.
Në këtë program kanë mundësi të studiojnë Fizioterapistë të cilët kanë kryer arsim tre vjeçar (cikli i parë Bachelor) në degën e Fizioterapisë dhe kërkojnë të thellojnë më tej njohuritë e tyre në një specialitet më të ngushtë si ai i Terapisë Manuale.
Programi Master Profesional në “Infermieri Kirurgjikale”
Programi i studimit Master Profesional në “Infermieri Kirurgjikale” ka një kohëzgjatje formimi prej 1 viti akademik, organizuar në 60 ECTS. Qëllimi parësor i këtij programi është të përgatisë dhe të formojë specialistë të Infermierise Kirurgjikale të aftë të punojnë në klinika të kirurgjisë së përgjithshme dhe speciale, për të rritur dhe fëmijë.
Ky program është hartuar në perputhje me strategjinë kombëtare të arsimit me qëllim formimin e profesionisteve të aftë në këtë fushë. Mbi këto baza, një numër i lartë studentësh janë punësuar në vend dhe jashtë tij, në Institucione Shëndetёsore private ose shtetёrore.
Departamenti ka punuar vazhdimisht për përmirësimin e kurrikulës dhe pasurimin me orë praktike të këtij program studimi, gjithmonë në zbatim të akteve ligjore.
Në këtë program kanë mundësi të studiojnë Infermiere të diplomuar, të cilët kanë kryer arsim tre vjeçar (cikli i parë Bachelor) në degën e Infermierise dhe kërkojnë të thellojnë më tej njohuritë e tyre në një specialitet më të ngushtë si ai i Infermierise kirurgjikale.
Studimi mundëson pajisjen e studentëve me njohuri më të thelluara në lëndë si infermieristika e përgjithshme dhe ajo klinike, infermieristika në sallën operatore në përgjithësi dhe në nënspecialitete të veçanta të kirurgjisë.