“Albanian University” se bashku me Kryegjyshaten Boterore te Bektashizmit organizojne ne kuader te RESILIENCE konferencen : “Bektashizmi ne kulturen shqiptare”

Në kuadër të infrastrukturës së kërkimit shkencor në shkencat fetare, RESILIENCE, “Albanian University”, së bashku me Kryegjyshatën Botërore të Bektazhizmit organizuan konferencën “Bektashizmi në kulturën Shqiptare” me praninë e Kryegjyshit Botëror, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe të Rektorit të “Albanian University “ Prof. Dr. Pavllo Kongo.

Për dekanen e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në “Albanian University”, Prof. Dr. Kaliopi Naska “Zhvillimi i kësaj konference shkencore dhe ekspozita me foto kushtuar historisë së Bektashizmit në kulturën Shqiptare, synon të hedhë dritë mbi kontributet në çështje kryesisht letrare, historike, dokumentare, arkitekturore të trashëgimisë kulturore bektashiane dhe do të shpalosë rrugëtimin hulumtues të bërë mbi gjurmën historike dhe kulturore të tarikatit bektashian në jetën shpirtërore, shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve”.

Prof. Asoc. Dr. Genta Rexha bëri një pasqyrë mbi infrastrukturën e kërkimit shkencor në shkencat fetare, RESILENCE, pjesë e së cilit “Albanian University” është, krahas Institucioneve të tjera europiane.

Në fjalën e tij, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha se “Bektashizmi është një udhë mistike e fesë islame, që ndihmon në përfeksionimin e njeriut. Bektashizmi është për frymën e tolerancës dhe bashkëpunimit ndërfetar. Feja është mendja. Zotin e mbajmë në zemër përpos fesë, së cilës i përkasim. Ne jemi të shenjtë, nëse sillemi me moral, edukatë dhe vlera”.

Studiuesit Nuri Çuni dhe Sheldiana Agaraj kumtuan përpara studentëve mbi historikun e tarikatit bektashian ne Shqipëri dhe arkitekturën e teqeve, hierarkinë, veshjet, ritualin.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike në “Albanian University“ shfaqën interes për historinë dhe vlerat që ky besim shfaq në kulturën shqiptare të besimeve fetare.