Akademia e Shkencave të Shqipërisë për herë të parë lidh një marrëveshje bashkëpunimi me një universitet privat.
Këtë të premte, më 18 dhjetor 2020, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, e përfaqësuar nga kryetari i saj, akad. Skënder Gjinushi, ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me “Albanian University” në Tiranë, i përfaqësuar nga rektorja e tij, prof. dr. Kaliopi Naska.
Marrëveshja mes Akademisë së Shkencave dhe “Albanian University” ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si edhe midis strukturave përbërëse të tyre; përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi e në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, u shpreh se: “Është vizita jonë e parë në një universitet privat në kuadrin e bashkëpunimit me një institucion të arsimit të lartë. Vetë misioni i Akademisë së Shkencave është promovimi i kërkimit shkencor, që vihet në jetë duke krijuar ura lidhëse mes institucioneve të arsimit të lartë”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Gjjinushi.
“Rritja e nivelit të kërkimit shkencor është një mision i Akademisë së Shkencave”, theksoi ndër të tjera kryetari i Akademisë.
Ndërsa rektorja e “Albanian University”, prof. Kaliopi Naska, u shpreh se “ Eshtë ndër objektivat kryesore të Albanian University të nxisë bashkëpunimin me Institucionet kërkimore ne vend me synimin për të rritur cilësinë në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor. Ne besojmë se partneriteti me Akademinë e Shkencave do të na shërbejë për përfshirje në projekte të përbashkëta për promovim te burimeve akademike që Albanian University ka.”
Ajo falënderoi Akademinë e Shkencave edhe për dhuratën e veçantë që i bëri ‘Albanian University’.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë i dhuroi “Albanian University” disa nga botimet më të rëndësishme të saj. Bëhet fjalë për 250 tituj, revista dhe monografi, pra mbi 700 libra të akademikëve dhe autorëve më të rëndësishëm të botës shkencore.
Bashkëpunimi mes palëve do të shtrihet në të gjitha fushat e dijes dhe të shkencës, me përparësi në shkencat albanologjike: gjuhësi, arkeologji, histori, antropologji kulturore, trashëgimi shpirtërore e identitare, studime letrare e kulturore; si dhe në disiplinat e reja të shkencave not natyrore dhe teknike: nanoshkencë dhe nanoteknologji; bioshkencë, bioteknologji.