Aktivitet shkencor i “Albanian University” me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë në kuadër të projektit evropian RESILIENCE

Në datën 21 shkurt 2024 në kuadër të zbatimit të projektit evropian RESILIENCE u zhvillua në sallën e bibliotekës së AU-së aktiviteti shkencor, i mundësuar nga bashkëpunimi i “Albanian University” me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë të përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i saj Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja.

Hapja e aktivitetit u bë nga Prof. Dr. Kaliopi Naska, e cila  në fjalën përshëndetëse vuri theksin në rëndësinë e angazhimit të “Albanian University” në kuadër të projektit evropian RESILIENCE, i cili po sjell së bashku komunitetet fetare shqiptare, një vëmendje për kulturën, trashëgiminë kulturore, historinë, duke evidentuar dhe vlerat e krijuara dhe të ruajtura ndër shekuj nga këto komunitete në Shqipëri. Përmes infrastrukturës kërkimore shkencore që zhvillon ky projekt me këto aktiviteteve do të nxirren në pah dhe thesaret e kulturës fetare shqiptare. Projekti është mundësia më e mirë për të promovuar në shkallë botërore këto tradita duke ju dhënë mundësinë studiuesve shqiptarë dhe evropianë, që të njihen dhe të zhvillojnë më tej studimet  në rishikimin e historisë së kombit shqiptar. Më tej aktiviteti u përqendrua në kumtimin e Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, lektor në Universitetin Bedër, i cili trajtoi temën: “Historia e Bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri: ecuri dhe sfida”. Ai shpalosi me dokumente dhe argumente ecurinë e kësaj bashkëjetese ndërfetare në Shqipëri, duke e shoqëruar dhe me sfidat përkatëse të Dialogut Ndërfetar.

Në sajë të punës studimore, botimeve shkencore në këtë fushë, pjesëmarrjes në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe eksperiencave të tij, si ekspert i jashtëm në OSCE/ODIHR për lirinë e besimit dhe së fundmi dhe President i Këshillave Ndërfetarë të Europës (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe) solli dhe përvojën evropiane në këtë fushë, duke nxjerrë në pah shtrirjen e dialogut, me synimin diversitetin fetar, i cili paraqet një sfidë në rritje për shoqërinë Evropiane, një nevojë për mirëkuptim të ndërsjelltë për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve. Studentët dhe pedagogët që morën pjesë në këtë aktivitet mbetën shumë të kënaqur nga trajtimi shkencor që u bë, pasi patën mundësinë të përfitonin njohuri të çmuara rreth rolit të bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe u treguan aktiv me pyetjet dhe diskutimet e bëra. Në përfundim të aktivitetit Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja i dhuroi bibliotekës së AU-së botimin e monografisë së tij: “Historia e Dialogut Ndërfetar” 2023, ku iu shprehën dhe falënderimet.