Instituti Parlamentar i Kuvendit të Shipërisë në bashkëpunim me “Albanian University”, Fakultetin e Shkencave Shoqërore në kuadër të takimeve dhe kumtesave të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më datë 1 dhjetor 2022 zhvilluan aktivitetin kushtuar : “100 Vjetorit të Krijimit të Statutit të Zgjeruar të Lushnjes”. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Znj. Lidra Bushati, Drejtore e Shërbimit të Bibliotekës dhe Botimeve Parlamentare, e cila vlerësoi bashkëpunimin me universitetet dhe kontributin e Prof. Naskës në studimin dhe përçimin e vlerave të historisë dhe parlamentarizmit shqiptar. Prof. Dr. Kaliopi Naska ligjëroi mbi “100 Vjetorin e Krijimit të Statutit të Zgjeruar të Lushnjes” duke u ndalur në çastet më të rëndësishmë të historisë së popullit shqiptar nga Kuvendi i Vlorës tek Kongresi i Lushnjës, i cili ka meritën sepse vuri themelet ligjore të shtetit shqiptar me miratimin e aktit kushtetues të shtetit shqiptar. “Bazat e kanunores së Këshillit të Lartë” Statuti i Lushnjes, dhe më pas ishte miratimi i “Zgjanimit të Statusit të Lushnjës” në 8 dhjetor të 1922 që ishte një akt kushtetues me karakter demokratik, kombëtar e original. Dokument me vlera historike, e cila dominohej dhe nga fryma europiane dhe reflektonte parimet kryesore të demokracisë. Një kushtetutë moderne dhe e përparuar për kohën, e cila përbën krenarinë konstitucionale shqiptare për shekullin e 20-të. Statuti i Zgjeruar i Lushnjës konsiderohet si Kushtetuta Historike e Shqipërisë, e cila praktikisht shërbeu si bazë vlerash dhe parimesh udhërrëfyese për çdo Kushtetutë të ardhshme. Në takim ishin të pranishëm pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore të “Albanian University”. Nga deputetët përshëndeti znj. Pranvera Resulaj, anëtare e Këshillit Drejtues të Institutit Parlamentar.
Me mjaft interes ishte për studentët dhe vizita e organizuar nga Instituti Parlamentar për njohjen e ambjenteve zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, për shpjegimin e të cilave falenderojmë Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Genci Gjonçaj.