Përshëndetja e Rektorit

                                                   

Të dashur studentë,

Universiteti “Albanian University” me historinë e tij prej më shumë se 16 vitesh është pjesë e institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe kontribuon me shumë përgjegjësi në një formim akademik elitar, intelektual dhe profesional të  të  rinjve  në vendin tonë, në promovim të vlerave kombëtare dhe europiane në ndërtimin e shoqërisë.

Ai është një nga universitetet më të mëdhenj në vend për nga numri i studentëve dhe stafit, dhe me ndikim më të madh në të gjitha segmentet e organizimit në vend. Si një simbol i përhapjes së dijes, për të përparuar shoqërinë, ai synon t’u sigurojë studentëve trajnim cilësor, ku vëmendje e veçantë i kushtohet cilësisë së mësimdhënies në kontekstin e një universiteti me një dimension njerëzor, duke u mbështetur në disponueshmërinë dhe afërsinë e pedagogëve të tij.

Ky universitet përgatit studentë për jetën e tyre profesionale, duke promovuar zhvillimin intelektual, kulturor dhe njerëzor; dhe nxit aftësi që janë thelbësore për qytetarët e përgjegjshëm, duke pasuruar njohuritë falë hulumtimit cilësor dhe kontribuar në jetën shoqërore, kulturore dhe ekonomike të vendit dhe të rajonit. Në bazë të trajnimit dhe kërkimit, universiteti vendos njohuritë në shërbim të shoqërisë, duke e parë zhvillimin e arsimit të lartë si një përparësi, për t’iu përgjigjur kërkesave të logjikës së tregut. “Albanian University” si dhe universitetet e tjera në vend, është pjesë e të njëjtave misione përkundrejt studentit, në plotësim të kërkesave të etikës shkencore dhe intelektuale. Ai synon të sigurojë, në të gjitha fushat, arsim të lartë me cilësi, duke e parë atë si një koncept shumë-dimensional, i cili duhet të përfshijë të gjitha funksionet dhe aktivitetet e tij: programe mësimore dhe kërkimore, personel, infrastrukturë.

“Albanian University” promovon bashkëpunimin midis disiplinave, i cili është i nevojshëm për përparimin shkencor dhe për zgjidhjen e problemeve shoqërore. Programet akademike të tij janë hartuar sipas ekspertizës më të mirë vendase dhe të huaj, duke pasur si tregues kryesor kërkesat e tregut të punës dhe trendet globale të zhvillimit, duke kaluar me sukses çdo proces akreditimi, të cilat realizohen me staf akademik dhe administrativ nga më cilësorët, me punë në ekip dhe me partneritet kombëtar e ndërkombëtar. Prova më e mirë e cilësisë dhe e suksesit janë studentët tanë të diplomuar përgjatë viteve, të cilët kontribojnë në institucione prestigjioze, si edhe ata studentë të rinj që vendosin çdo vit të bëhen pjesë e projektit tonë ambicioz.

Të dashur studentë, “Albanian University” ju jep mundësi për bashkërendimin e interesave tuaja akademike, motivet, dëshirat, talentet, që të realizohen në laboratorët shkencorë dhe klinikën universitare, në qendrat studentore, ambientet kulturore, sportive, biblioteka, televizion, pjesëmarrje konkrete në punë shkencore dhe shumë mundësi të tjera që mund të krijoni së bashku me kolegët tuaj.

Si Rektor, përgjegjës për zhvillimin e këtij institucioni shkencor, unë ndaj krenarinë dhe entuziazmin me të gjithë ata që janë pjesë e historisë së tij, me dëshirën  e përbashkët, që ta shohim Universitetin tonë të shkëlqejë, si në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare përmes arritjeve të tij arsimore dhe shkencore me detyrimin për të mbështetur gjithë integrimin dhe aktivitetin tuaj universitar në të drejtën për arsimim, në vlerat etike dhe morale, në lirinë akademike.

Në emër të stafit akademik dhe administrativ ju urojmë mirëseardhjen, duke qenë të bindur se, në fund të studimeve tuaja, ju do të jeni krenarë që jeni diplomuar në “Albanian University“, në këtë tempull të dijes shqiptare, duke ruajtur emrin dhe reputacionin e tij. Kjo përbën një sfidë  për të gjithë, për ta çuar përpara emrin e tij.

 Ju falënderoj për zgjedhjen tuaj, për të studiuar në “Albanian University”, suksese dhe ju mirëpresim!

Rektor

Prof. Dr. Pavli Kongo