Studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në “Albanian University” u bën sot pjesë e leksionit të hapur për “Aftësimin në media dhe në Informacion” të zhvilluar posaçërisht nga Biblioteka Kombëtare Shqiptare me qëllim për t’i njohur ata me mjetet të cilat lehtësojnë dhe ndihmojnë qasjen në informacionin që disponon BKSH dhe shërbimet online që ofrohen përmes faqes zyrtare të bibliotekës kombëtare www.bksh.al.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Prof. Dr. Kaliopi Naska falenderoi Bibliotekën Kombëtare për gatishmërinë e treguar në bashkëpunimin me Albanian University me qëllim rritjen e aftësisë së kërkimit shkencor nga ana e studentëve, si një element kyç dhe i domosdoshëm për cilësinë e punimeve studimore. Studentet e Departamenteve Psikologji e Përgjithshme, Shkenca Juridike dhe Politiko-Administrative si dhe Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes shfaqën interes me pyetjet për të mësuar më shumë mbi mënyrën sesi mund të shfrytëzojnë teknologjitë e reja si burime referuese.