Zhvillohet takimi Kick-off në kuadër të Projektit Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH 2026)

Në kuadër të Projektit Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH 2026), u zhvillua takimi Kick-off i projektit “Qyteti sfungjer si qasje për menaxhimin e ujërave të shiut: Infrastrukturë e gjelbër dhe instalime bimore ujore në Lagjen nr. 17, Durrës”, nën drejtimin e Prof. Asoc. Dr. Klodian Gumeni.

Projekti sjell në fokus konceptin bashkëkohor “Sponge City”, një qasje që synon menaxhimin më të qëndrueshëm të ujërave të shiut përmes integrimit të infrastrukturës blu-jeshile në mjedisin urban. Lagjja nr. 17 në Durrës është përzgjedhur si zonë studimi për shkak të problematikave të evidentuara lidhur me përmbytjet urbane dhe kapacitetin e sistemit ekzistues të drenazhimit.

Gjatë takimit, anëtarët e grupit të punës prezantuan dhe diskutuan materialet e grumbulluara dhe të prodhuara në kuadër të fazës së analizës së gjendjes ekzistuese, duke krijuar bazën për vijimin e projektit drejt konceptimit të ndërhyrjeve të mundshme në zonën e studimit.

Në fazat në vijim, projekti do të eksplorojë zgjidhje të tilla si kopshtet e shiut (rain gardens), sipërfaqet permeabël, korridoret e gjelbra dhe bioswales, zonat e retencionit, basenet e përkohshme dhe integrimin e bimësisë ujore, me synim mbajtjen, infiltrimin, filtrimin dhe menaxhimin gradual të ujërave të shiut.

Përmes ndërthurjes së kërkimit shkencor, analizës së territorit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme, projekti synon të kontribuojë në zhvillimin e qasjeve inovative për rritjen e qëndrueshmërisë dhe përmirësimin e cilësisë së hapësirave urbane.

Grupi i punës: Prof. Asoc. Dr. Klodian Gumeni – Drejtues i projektit MSc. Kimete Tataveshi Dr. Proc. Anja Cenameri Dr. Proc. Ana Dindi MSc. Ineska Xhanari