Në zbatim të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka njoftuar më 24.04.2026 shpalljen e dy vendeve vakante për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe një vend vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e pedagogëve të drejtësisë.
Njoftimet zyrtare:
https://www.parlament.al/lajme/c5895312-5f01-4013-b6bc-ace606e3b329
https://www.parlament.al/lajme/8d022570-f01d-499d-afbe-f99a49a28f01
- Kushtet
Ftohen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e mësipërme anëtarët e personelit akademik të Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Albanian University, të cilët plotësojnë kushtet ligjore të mëposhtme:
a) të jenë shtetas shqiptarë;
b) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist;
c) në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë (IAL) ose pedagogë të brendshëm ose të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës;
ç) të jenë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”;
ç/1) të mos kenë masë disiplinore në fuqi, të mos jenë shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore; në rastin e ish-magjistratëve, të kenë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose të mos kenë dhënë dorëheqjen pa iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që kanë qenë subjekt rivlerësimi në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të mos jenë skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
d) në kohën e kandidimit të mos jenë rektor ose drejtor i Shkollës së Magjistraturës;
dh) të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
e) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;
ë) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
f) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;
g) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.
- Dokumentacioni
Secili prej pedagogëve që plotëson kushtet ligjore dhe që siguron mbështetjen e së paku tre anëtarëve të personelit akademik efektiv, ka të drejtë të kandidojë për pozicionet. Mbështetja për një kandidim kryhet nëpërmjet nënshkrimit të formularit tip të miratuar, i cili gjendet në fund të kësaj thirrjeje.
Pedagogët e interesuar shprehin interesin e tyre nëpërmjet një kërkese me shkrim drejtuar Dekanes së Fakultetit të Shkencave Shoqërore. Kërkesa mund të paraqitet në adresën postare të Albanian University në Tiranë, Blvd. “Zogu I” ose elektronikisht në adresën burimenjerezore@albanianuniversity.edu.al, ose në adresën e Dekanes: v.loshi@albanianuniversity.edu.al.
Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin dokumentacionin e mëposhtëm:
1. kopje të pasaportës ose letërnjoftimit elektronik ID;
2. jetëshkrim të përditësuar, të nënshkruar në çdo faqe nga kandidati;
3. librezën e punës dhe/ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë prej jo më pak se 15 vitesh si jurist;
4. vërtetim që në kohën e kandidimit, kandidati është pedagog me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë ose pedagog i brendshëm ose i jashtëm jomagjistrat në Shkollën e Magjistraturës;
6. vërtetim që është personel akademik i kategorisë “profesor” ose “lektor”;
7. vërtetim që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
8. vërtetim nga çdo punëdhënës i mëparshëm që provon se kandidati nuk është shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore;
9. në rastin e ish-magjistratëve, kandidati duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit sipas formularit bashkëlidhur këtij njoftimi, ku të deklarojë se ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose që nuk ka dhënë dorëheqjen pa iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që kanë qenë subjekt rivlerësimi në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ta shoqërojë sipas rastit me dokumentacionin provues;
10. formularin e vetëdeklarimit bashkëlidhur kësaj thirrjeje ku të deklarojë se kandidati nuk është skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
11. vërtetim të gjendjes gjyqësore;
12. një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë në rast se zgjidhet;
13. formularin tip të plotësuar me nënshkrimet e nevojshme për mbështetjen e kandidimit;
14. formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet edhe në fund të kësaj thirrjeje;
15. formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr. 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet edhe në fund të kësaj thirrjeje;
16. vetëdeklarim se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimit sekret;
17. çdo dokument tjetër që provon përmbushjen e kushteve ligjore.
Dokumentacioni i paraqitur nga kandidati duhet të jetë në gjuhën shqipe, origjinal ose fotokopje e njësuar e tij.
Pedagogët që kanë shprehur interesin do t’i nënshtrohen verifikimit të plotë të kushteve ligjore për kandidimin e tyre.
Në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 115/2016, pedagogët e interesuar që paraqesin kërkesën duhet të dorëzojnë gjithashtu, brenda afateve ligjore, dokumentacion zyrtar për verifikim në organet publike përgjegjëse.
- Afati
Shprehjet e interesit do të pranohen deri më 14.05.2026, në përputhje me afatet ligjore.


