Në 17 shkurt 2023, në ambientet e Muzeut Kosova në Vlorë, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora”, zhvilloi një aktivitet shkencor historik dhe festiv kushtuar 15- vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në këtë veprimtari, ishin të pranishëm intelektualë të Vlorës, profesorë, personalitete të ndryshëm të jetës politike e shoqërore të qytetit, deputetë, dhe të ftuar nga Kosova e Tirana. Në të kontribuan me kumtimet e tyre dhe dy profesorë të Albanian University. Fjala përshëndetëse u mbajt nga Deputeti Bujar Leskaj. Kumtesën kryesore për rrugëtimin e shtetit tonë vëlla e mbajti Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, i cili duke sjellë në kujtesën e të pranishmëve aktin sublim të shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, kujtoi rrugëtimin deri në mëvetësi, si kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullin kosovar. Në fjalën e tij ai kujtoi sakrificën e pashembullt dhe qëndresën e pareshtur të brezave, e cila i parapriu jetësimit të ëndrrës për liri e demokraci; duke u zhvilluar e forcuar në këto 15 vite si shtet i ri; duke dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike, funksionimin e institucioneve, zhvillimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të saj shtetërore me krijimin e një baze solide për funksionim të mëtejshëm. Më pas mbajtën kumtesa Prof. Dr. Kaliopi Naska, e cila duke sjellë dokumente e fakte historike, foli për kontributin e parlamentit të parë shqiptar në mbrojtje të çështjes së Kosovës. Ish- deputeti dhe ish- kryetari i bashkisë së Vlorës, z. Gëzim Zilja trajtoi kujtesën historike nëpërmjet këngëve e krijimeve popullore si dhe Poeti vlonjat Eqerem Canaj recitoi një poezi të tijën për Kosovën. Një gjallëri të madhe i dha këtij eventi interpretimi i një kënge të improvizuar aty për aty për Kosovën dhe heroizmin e saj nga këngëtarë e dashamirës të polifonisë labe. Të pranishmit vizituan dhe ambientet e Muzeut Kosova, i cili me pamjen e tij, materialet, piktura, fotografi, libra e dokumente me vlerë të madhe arkivore, shënon një dëshmi historike për Kosovën.