Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës (International Holocaust Remembrance Day (Shoah) në kuadër të javës Kulturore të Izraelit në Shqipëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë duke qenë dhe anëtare e Lëvizjes Kundër Antisemitizmit (Combat AntiSemitism Movement), pjesëtare e International Holocaust Remembrance Alliance (IHRA), në bashkëpunim me Israeli House(Albania) organizuan Konferencën Shkencore ndërkombëtare me temë “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”. Konferenca u nderua me përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve kërkimore-shkencore të kujtesës, me përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë e profesorë, miq e bashkatdhetarë hebrenj, përfaqësues të familjeve strehuese të hebrenjve gjatë Holokaustit, që kanë kontribuar dhe kanë luajtur një rol në dokumentimin dhe çertifikimin e pasojave të katastrofës më të madhe të shekullit të 20-të, Holokaustit, ku humbën jetën mbi 6 milionë jetë njerëzore për shkak të urrejtjes racore të shprehur në formulën naziste çrrënjosje përfundimtare. Fjala e hapjes dhe përshëndetëse u bë nga Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave që u shoqërua me 14 kumtime shkencore.
Për njohjen e vlerave shkencore të kësaj konference ndërkombëtare vlerësojmë ftesën e bërë nga Akademia e Shkencave, që i dha mundësi të ndjekin zhvillimet e saj një grupi studentësh të shoqëruar nga Prof. Dr. Kaliopi Naska të Albanian University, ku patën mundësinë të njihen nga afër me të gjitha prurjet shkencore në ndriçim të vlerave morale e politike kombëtare të shoqërisë dhe të popullit shqiptar, në antifashizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, rezistencën e përbashkët dhe bashkëjetesën e shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Shoah dhe më tej, duke u njohur dhe me dokumentacionin e përfshirë në ekspozitën me burime arkivore kushtuar kësaj dite.