Prof.Dr.Kaliopi Naska
Prof. Dr. Kaliopi Naska, është diplomuar në vitin 1975 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, specialiteti “Histori - Gjeografi”. Në vitin 1985 ka marrë gradën Kandidat i Shkencave Historike, më 1994 gradën Doktore e Shkencave Historike. Me Vendim nr.36, datë 23.05.2000 merr titullin Mjeshtër Kërkimesh dhe me Vendim nr.104, datë 19.01.2005 merr titullin “Profesor”. Ka punuar si punonjëse shkencore në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave, nëndrejtore në Arkivin Qendror Shtetëror. Në vitin 1998 ka kryer Stazhin Ndërkombëtar të Arkivave në Paris dhe në vitet 2000 – 2002 ka qenë Drejtore e Qendrës së BIEF – it (program i Agjencisë Ndërqeveritare të Frankofonisë) për Shqipërinë etj. Nga janari i vitit 2009 - 2014 ka punuar si pedagoge, dekane dhe ZV. Rektore e universitetit ILLYRIA. Nga viti 2014 dhe në vazhdim pedagoge e brendshme pranë Departamentit të Shkencave Politiko – Administrative në AU. Lektore me kurse të plota leksionesh në lëndët “Shkrim Akademik”, “Sistemet politike dhe Administrative në Shqipëri”, “Histori e Shtetit dhe e të Drejtës në Shqipëri”, “Politikat në ballkan”. Në tetor të 2018 është emëruar dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të AU dhe Kryetare e Komisionit për dhënien e titujve shkencorë Prof.as.Dr dhe Prof. Dr.
Pjesë e rëndësishme e angazhimeve intelektuale dhe akademike të Prof. Dr. Kaliopi Naska ka qenë dhe është studimi i Historisë së Shqipërisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dokumentalistikës. Është autore e një numri veprash në fushën e studimit të historisë kombëtare me Monografi: “Ismail Qemali në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, Tiranë, 1987; “Këshilli Kombëtar 1920”, Tiranë, 2000; “D’Estournelles de Constant et l’Albanie” Tiranë 2007; “Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit” Tiranë, 2012(Bashkëautore); Kaliopi Naska& Bujar Leskaj. “90 vjet Kontrolli i Lartë i Shtetit„ Tiranë, 2015. Kaliopi Naska&Andriola Kambo “Tirana 11 shkurt 1920 - Kryeqytet i Shqipërisë” Tiranë, 2016; “Vetëqeverimi i Korçës (1916-1918) sipas të përkohshmeve Adriatiku dhe Gazet' e Korçës” Tiranë, 2017, dhe Botime Dokumentare: “ Dokumente për Çamërinë”, Tiranë, 1999, “Shën Naumi dhe Diplomacia e kohës” Tiranë, 2012; dhe në një sërë botimesh shkencore me bashkëautorësi me karakter historik dhe arkivor. Është autore e një varg artikujsh dhe kumtesash të botuara në revista shkencore brenda e jashtë vendit, duke kontribuar me kumtime dhe ligjërata të shumta në konferenca kombëtare e ndërkombëtare shkencore dhe institucione të ndryshme të arsimit të lartë mbi problemet e historisë kombëtare, minoritetet, historisë së parlamentarizmit, dokumentalistikës etj. si dhe anëtare në redaksi revistash dhe borde shkencore. Fushë e veprimtarisë së saj është dhe pjesëmarrja në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare si drejtuese dhe anëtare bordi.