Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje. Ai organizohet çdo vit dhe synon të shpërndajë informacion në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin. Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të zakonshme te gratë në mbarë botën, me rreth 2.3 milion raste të reja të diagnostikuara çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Studentët e “Albanian University” bashkë me “Zyrën e Karrierës dhe Alumnit”, i janë bashkuar fushatës “Tetori rozë!”, ku kanë vendosur pankarta me mesazhe sensibilizuese dhe tullumbace rozë, si simbol i fushatës ndërkombëtare për ndërgjegjësim.
Gjithashtu, gjatë gjithë dites u shfaq një video informuese me qëllim edukativ dhe sensibilizues, e përzgjedhur në përputhje me tematikën.
Aktiviteti u prit pozitivisht nga studentët dhe stafi, duke kontribuar në përforcimin e kulturës së kujdesit dhe përgjegjësisë shoqërore në ambjentin universitar.








