Më datën 27 Maj 2022, në Bibliotekën e Albanian University u zhvillua leksioni i hapur me temë “100 vjet marrëdhënie shqiptaro – amerikane (1922-2022)”, të prezantuar nga Prof. Dr. Hamit Kaba.
Të pranishëm përveç studentëve dhe stafit akademik ishin Rektori i Albanian University, Prof. Dr. Pavllo Kongo dhe i ftuari Z. Jeffery Warner, Drejtor i Programit dhe i Trajnimit të Korpusit të Paqes të qeverisë Amerikane në Shqipëri, i cili përshëndeti aktivitetin dhe u ndal në rolin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes në kryerjen e shërbimeve publike të tipit nga njerëzit për njerëzit në nivel individual. Ai tha se duke ardhur nga të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara këta vullnetarë punojnë së bashku me partnerët e tyre shqiptarë në sektorët e arsimit, edukimit shëndetësor dhe zhvillimit organizativ, duke shërbyer dhe bashkëpunuar me komunitetet në mbarë Shqipërinë që nga viti 1992 dhe duke u bërë ambasadorë të vërtetë të miqësisë në marrëdhëniet shqiptaro – amerikane.
Prof. Dr. Hamit Kaba në leksionin që mbajti u ndal në disa momente kryesore të marrëdhënieve dypalëshe si: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në korrik 1922 dhe njohja zyrtare në shkurt 1925 nga SHBA me statusin e kombit të favorizuar; njohja e mbretërisë shqiptare dhe e mbretit Zog përpara Anglisë dhe Francës dhe rrjedhojat e saj pozitive mbi Shqipërinë; raportet kulturore, arsimore e ekonomike ndërmjet të dy vendeve në periudhën e Mbretërisë; ralacionet e emigracionit shqiptar në SHBA dhe të Mbretit Zog me qeverinë amerikane.
Më tej Profesor Kaba foli për rolin e SHBA-ve si aleate e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe problemet e ringritjes së shtetit shqiptar pas mbarimit të Luftës; përpjekjet e pasuksesshme për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitet 1945-46 dhe shkaqet e dështimit të tyre. Në leksion u theksuan dhe çarja sovjeto-shqiptare e vitit 1961-62 dhe “Hands of Policy” e SHBA; përpjekjet e SHBA për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitet 70-80 dhe refuzimi permanent i qeverisë komuniste deri te rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në mars 1991 dhe përpjekjet për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.
Veprimtaria shkencore u prezantua nga dekane e FSHSH Prof. Dr. Kaliopi Naska e cila vlerësoi ecurinë e këtij aktiviteti shkencor dhe falenderoi historianin Prof. Dr. Hamit Kaba, për trajtesën e dokumentuar mbi historikun e këtyre marrëdhënieve si dhe Z.Jeffery Warner për përshëndetjen e bërë. Diskutimet e bëra nga pedagogët Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi dhe Dr. Etleva Babameto si dhe pyetjet e bëra nga studentë çuan me tej njohjen e këtyre marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Amerikës në këto 100 vjet.