Krishtërimi Orthodhoks në Shqipëri në 20 shekuj

Në kuadër të infrastrukturës kërkimore shkencore europiane RESILIENCE, “Albanian University” në bashkëpunim me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kolegjin Universitar “LOGOS”, zhvilluan sot, aktivitetin me temë “Krishtërimi Orthodhoks në Shqipëri në 20 shekuj”.

Aktiviteti u hap nga Prof. Dr. Kaliopi Naska, e cila në fjalën e saj vuri theksin në rëndësinë e angazhimit të “Albanian University” në kuadër të RESILIENCE, i cili po sjell së bashku komunitetet fetare shqiptare për të sjell në vëmendjen e të gjithëve, brenda dhe jashtë vendit, kontributet për kulturën, trashëgiminë kulturore, historinë dhe vlerat e krijuara dhe të ruajtura ndër shekuj nga këto komunitete në Shqipëri.

Prof. Asoc. Dr. Genta Rexha prezantoi për të pranishmit infrastrukturën kërkimore shkencore RESILIENCE, e cila synon të nxjerrë në pah përmes këtyre aktiviteteve thesaret e fshehura të kulturës fetare shqiptare, për t’i bërë të disponueshme për të gjithë kërkuesit, studiuesit dhe palë të tjera të interesuara. RESILIENCE ka ndikuar pozitivisht për të zgjuar interesin e të gjithëve dhe për t’u pasuruar me to.

Episkop Asti Bakallbashi dha një panoramikë mbi “Krishtërimin në mijëvjeçarin e parë në Shqipëri”. Më pas studiuesi Dr. Thoma Shkira, shoqëruar edhe me imazhe të shumta nga vepra të ndryshme të kultit dhe artit prezantoi “Krishtërimi (Orthodhoks) në mijëvjeçarin e dytë në Shqipëri”.

Prezantimet ngjallën interes tek të pranishmit duke përforcuar interesin për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të ardhshme në kuadër të infrastrukturës kërkimore shkencore RESILIENCE.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe rektori i “Albanian University”, Prof. Dr. Pavllo Kongo, përfaqësues të Komunitetit Shtetëror të Kulteve, pedagogë dhe studentë të “Albanian University”.

Në fund të aktivitetit Episkop Asti Bakallbashi i dhuroi Universitetit disa botime mbi historinë e Krishtërimit Orthodhoks në Shqipëri.